Tetovë, autobusët e transportit publik ndezin motorët të hënën (FOTO)

Mëngjesin e sotëm në qendër të Tetovës, Portalb.mk vërejti se po qarkullonte një nga pesë autobusët e transportit publik të Tetovës, të cilët ka pesë muaj që janë në parking. I kontaktuar, drejtori i “Tetova Transport”- Rafiz Mejdia konfirmoi se të hënën do të rifillojë funksionimi i transportit publik në Tetovë.

Sipas drejtorit të “Tetova Transport” të gjitha pengesat janë tejkaluar dhe autobusët nga e hëna do rifillojnë të qarkullojnë përsëri.

“Ditën e hënë do të jenë në funksion autobusët, dje kanë pasur një test për shoferat, sot do të pastrohen që të jenë gati për të hënën. Të gjitha dokumentacionet në bazë të ligjit i kemi rregulluar, kemi pasur shumë punë të arrimë deri te përfundimi i të gjitha barrierave, po ja arritëm në një kohë të shkurtër t’i përfundojmë”, tha Rafiz Mejdia.

Autobusi i transportit publik në Tetovë (28 maj 2022, ora 08:27), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Autobusi i transportit publik në Tetovë (28 maj 2022, ora 08:27), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nëpër stacione janë ngjitur edhe tabelat me oraret dhe linjat e autobusëve.

Tabela me orarin e autobusëve, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Tabela me orarin e autobusëve, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Më tepër informata mund të gjeni në ueb-faqen e Tetova Transport: https://tetovatransport.mk/

Planin e punës të plotë dhe orarin më në detaje e gjeni duke klikuar KËTU.

Autoritetet komunale kanë paralajmëruar edhe rritje të çmimit të biletave nga se ishin paraprakisht, kjo si pasojë e rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, por kjo sipas tyre ngelet të vendoset më tutje.

Paraprakisht, kryetari i Komunës së Tetovës premtoi se autobusët deri në fund të muajit maj do të lëshohen në funksion përsëri.

Në seancën e nëntë të Këshillit të Komunës së Tetovës, këshilli votoi propozim-vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për transportin komunal dhe linjave të udhëtarëve në Komunën e Tetovës si dhe propozim-vendim për ndryshimin dhe plotësimin e lokacioneve për vendqëndrimet dhe vend-kthimet e autobusëve në territorin e Komunës së Tetovës.

Autobusët që nga dhjetori i vitit të kaluar ndaluan së funksionuari dhe qëndrojnë të parkuar, sipas autoriteteve komunale ato do lëshohen në përdorim kur të rregullohen të gjitha punët në ndërmarrje.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës u lëshuan në përdorim në mes të gushitit të vitit të kaluar. Gjatë kësaj kohe ata disa herë ndaluan së funksionuari dhe u rikthyen prapë. Autobusët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button