KUR HATRI I RREMË ËSHTË MË I RËNDË SE TOPUZI

Ndër gjërat interesante që kanë shkruar të tjerët për ne më kujtohet një letër e hapur e viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, të cilën  studiuesi, përkthyesi dhe albanologu gjerman Joakim Lanksh (1943-2019) – nxënës dhe mik i ngushtë i poetit Martin Camaj, e kishte botuar në revistën Zëri i Rinisë, pasi kishte lexuar në faqet e saj konstatimin e një shkruesi, sipas të cilit: poezia shqipe është e nivelit evropian. Në shkrimin në fjalë, Joakimi fillimisht na e bënte me dije se është dashamir i kulturës dhe letërsisë shqipe, se përveç kontributeve të çmuara në fushën e Albanologjisë merrej edhe me përkthimin e lirikës shqipe në gjermanisht dhe asaj gjermane në shqip. Megjithatë nuk mund të pajtohej me pohimet paushalle të kujtëdoqoftë që mund vetëm da dëmtojnë krijimtarinë letrare. Shi për këtë ai shtronte pyetjen se si ka mundësi që një segment i letërsisë suaj të qëndrojë në një shkallë shumë më të lartë se llojet tjera të shkrimeve dhe sferat tjera të jetës? Më vin keq, thoshte ai, por më duhet të them se, parë në tërësinë e saj, niveli i letërsisë së një vendi dhe kombi, është i përafërt me nivelin e ekonomisë, standardit të jetës, arsimit, shkencës, mjekësisë, kulturës politike, kulturës së sjelljes, kulturës së varrezave…

Asokohe nuk dija kurgjë për Joakim Lankshin, ndaj m’u duk sikur e tepron pak, por, me të hyrë në vitet e nëntëdhjeta, ndryshova mendje dhe nisa të ndjej keqardhje për krijuesit shqiptarë, të cilëve u mungon kuraja qytetare për t’i parë e për t’i thënë gjërat ashtu siç janë në të vërtetë. E kuptova se me filozofinë e bërjeqejfeve dhe hatrit që tek ne është më i rëndë së topuzi nuk do ta gjejmë kurrë hullinë e mbarë të zhvillimit, që na afron me të tjerët, veçmas pas trazirave që shoqëruan rrënimin e sistemit monist dhe pollën krijimtarinë mediokre që mbisundoi shpejt vlerat, duke i bërë ato të papesha dhe të papërfillshme. Pjesë e kësaj llomishteje u bënë sakaq edhe studiuesit profiterë të estetikës vaditëse, që ngritën në piedestale të larta arti kallaballëkun e krijuesve të shpifur. Kështu zunë rrënjë kriteret e përçudnuara të vlerësimit të pseudovlerave të barikaduara pas temave të mëdha të lidhura me Zotin e Atdheut, ku idealet dhe patriotizmi qenë llaf goje, feja pozë devotshmërie, ndërkaq të dyja bashkë para dhe jetë kokërshpinas.

Qe ky paradoksi i viteve të ‘90-ta, kur gjërat u zhvendosën prej anarkisë së dirigjuar në sallamadi të përgjithshme kulturore, që hodhi në margjina artin e mirëfilltë.

Qe kjo stina kur nisi marshi ynë drejt akulturimit të rrezikshëm, të cilin duhet ta ndalin ata që kanë mundësi: mësuesit, profesorët, studiuesit, kritikët, mediet, tekstet shkollore, botuesit, donatorët e pandërgjegjshëm për dëmet që ia bëjnë kulturës dhe letërsisë gjatë stinëve kur rëndomësohet e keqja. Mënyra është e thjeshtë. Mjafton vetëm kuraja për të ndarë qartë vlerën nga jovlera, që vetëm në kulturat e brishta qëndrojnë kaq pranë njëra-tjetrës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button