Liverpooli e Reali gati për spektaklin e futbollit

Liverpooli i Juergen Kloppit po kërkon të mbyllë një edicion të jashtëzakonshëm duke u hakmarrë për humbjen e vitit 2018 ndaj Real Madridit, kur skuadrat takohen sërish në finalen e Ligës së Kampionëve në Paris, të shtunën. Por, gjiganti spanjoll synon triumfin e 14-të në Kupën Evropiane kur të dalë në fushën e stadiumit “Stade de France” në duelin që nis në orën 21:00, raporton Koha.net.

Kjo është finalja e tretë e Championsit për Liverpoolin në pesë edicione. Pësoi humbjen 3:1 ndaj Realit në Kiev, kurse mundi Tottenhamin në Madrid një vit më vonë. Ekipi i Kloppit shihet si favorit për ta pushtuar për herën e shtatë Evropën. Suksesi të shtunën mbrëma do ta vendoste Liverpoolin në një nivel me Milanin, me vetëm Realin që e ka fituar më shpesh këtë trofe.

Në fakt, Liverpooli do ta përfundonte edicionin me tre trofe të fituar pasi më herët triumfoi edhe në Kupën e Ligës dhe Kupën FA.

“Të fitosh trofe, nuk ka ndjenjë më të mirë”, pranoi Trent Alexander-Arnold që u paraqit të premten në konferencën për shtyp. “Kjo është finale e rëndësishme dhe jemi gati për të. Natyrisht që ka presion, por kështu e kanë ndeshjet e mëdha”.

Për një kohë të gjatë Liverpooli ishte në garë për trofeun e katërt, por skuadra e Kloppit nuk arriti ta fitonte titullin në Premier League, duke përfunduar me një pikë prapa Manchester Cityt.

“Pa Ligën e Kampionëve do të ishte një edicion i mrekullueshëm. Me Ligën e Kampionëve do të ishte një edicion fantastik”, shtoi trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp. “Disponimi është shumë i mirë brenda ekipit dhe jemi shumë të emocionuar që do të luajmë në finale kundër ekipit më të dekoruar të kësaj gare”.

Kanë qenë disa vite të paharrueshme për skuadrën e Kloppit pas humbjes në Kiev, kur Mohamed Salah u detyrua të largohej i dëmtuar në pjesën e parë dhe Lorius Karius bëri gabime amatore në portë për t’ia dhuruar trofeun Realit. Liverpooli është përforcuar mirë që nga ajo finale, kryesisht në portë me brazilianin Alisson Becker dhe Thiago Alcantaran që po shkëlqen në mesfushë.

“Ne nuk e kemi përvojën e Realit, por jemi në finale për herën e tretë brenda pesë vjetësh dhe kjo është e veçantë. Finalja e vitit 2018 nuk është motivimi i vetëm i Salahut, por është normale që ai dëshiron t’i vendosë gjërat në vend. Ne kemi shumë arsye për ta dhënë më të mirën që ta fitojmë ndeshjen, por nuk është vetëm humbja e vitit 2018 arsyeja e vetme”, ka shtuar Klopp. “Të gjithë jemi të motivuar dhe kjo është një shenjë shumë e mirë. Do të thotë shumë nëse fitojmë. Mirëpo, jam i kënaqur edhe me atë që e kemi bërë deri më tani në këtë sezon”.

Klopp tha se Reali për një nuancë është favorit përballë ekipit të tij. Mirëpo, paralajmëroi se Realin e pret një përballje tejet e vështirë.

“Nuk e di kush është favorit. Personalisht mund të them se Reali është për shkak të përvojës, por unë pres të jemi në nivelin më të lartë të lojës. E nëse e bëjmë këtë, atëherë Reali do ta ketë shumë të vështirë të përballet me ne”, pranoi Klopp. “Edhe ne kemi përvojë tashmë dhe si trajner jam mësuar t’i fitoj finalet në mënyrë të vështirë. E them këtë për shkak se kam humbur shumë finale”.

Real Madridi ka pasur një rrugë më të vështirë për të arritur deri në finale. I eliminoi Paris Saint-Germainin, Chelsean dhe Manchester Cityn. Ndërsa Liverpooli ishte më i mirë se Interi, Benfica e Villarreali në fazën e nokautit.

Më i merituari te Reali për arritjen deri në finale mbetet sulmuesi Karim Benzema. Francezi 34-vjeçar është lider i Realit dhe në finale futet pas një sezoni në të cilin ka shënuar 44 gola, 15 në Champions dhe 27 në La Liga. Reali po ndjek trofeun e pestë në nëntë sezonet e fundit në Champions, një ecuri që filloi kur e mposhti Atletico Madridin në Lisbonë në vitin 2014. Benzema ishte në atë ekip, ashtu si Luka Modriqi, ndërsa Carlo Ancelotti ishte trajner në periudhën e tij të parë në krye të Realit.

“Jam tejet i emocionuar. E kemi parasysh se sa e rëndësishme është kjo finale dhe kemi gjasa të mira për ta fituar. Kemi pasur një sezon fantastik dhe me meritë kemi ardhur deri këtu”, tha kapiteni i Real Madridit, Marcelo. “Ne të gjithë e dimë se sa i mirë është Benzema. Ai ka qenë fantastik këtë sezon dhe është lider i ekipit. Prania e tij në fushë do të na ndihmojë shumë edhe në këtë finale”.

Ancelotti mund të bëhet trajneri i parë që ka fituar katër herë Championsin, pasi ka triumfuar edhe me Milanin në vitin 2003 dhe 2007. Edhe pse është kaq i suksesshëm si trajner, italiani ka pranuar se nuk është imun ndaj presionit.

“Jam kthyer te Reali për një vit, por duket se do të mbetem më gjatë. Kemi arritur në këtë ndeshje dhe rëndësinë e saj e kam parasysh. Për ne ishte me rëndësi të vinim deri këtu pasi kemi mundësinë ta mbyllim sezonin me sukses të madh. Secila ndeshje ka tregimin e saj, kështu që unë nuk do të fokusohem në të shkuarën. Ekipi është i motivuar dhe jemi përgatitur mirë, ndonëse presioni është i pranishëm”, ka shtuar Ancelotti. “Jam kënaqur këtë vit shumë. Jam kënaqur si pjesë e klubit dhe me këta lojtarë. Jam optimist për finale edhe pse e di se do të jem paksa nervoz, por kjo është normale për mua. Me të filluar ndeshja nervat do të më largohen”.

Sipas Ancelottit, Reali duhet të bëjë një paraqitje madhështore ndaj Liverpoolit, ekip që e vlerësoi lart dhe e përgëzoi për sezonin fantastik që e pati. Mirëpo, ai shtoi se Reali është një skuadër superiore në secilin aspekt.

“Duhet të luajmë një ndeshje të madhe, në të cilën do të tregojmë cilësitë tona. Duhet të shfaqim gjithçka që kemi treguar këtë edicion. Sigurisht, nuk do të jetë aspak lehtë, sepse përballemi me një skuadër shumë cilësore. Ekipi që tregon cilësi në fushë, do ta fitojë titullin”.

Kjo do të jetë finalja e tretë mes këtyre dy klubeve, që gjithashtu u takuan në Paris në vitin 1981, por fitoi Liverpooli falë golit të Alan Kennedyt në stadiumin “Parc des Princes”. Një turmë prej 80.000 shikuesish do ta mbushë stadiumin “Stade de France”, me 20.000 tifozë të çdo ekipi zyrtarisht të pranishëm. Rreth 40.000 tifozë të tjerë të Liverpoolit pritet të udhëtojnë në Paris pa bileta. Rreth shtatë mijë policë do të jenë në detyrë si pjesë e një operacioni masiv sigurie në kryeqytetin francez.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button