Umno.mk: Çfarë bëjnë gazetarët kur “rrëshqasin” në informacion të pasaktë?

Gazetaria ditore është punë komplekse në të cilën shpejtësia e publikimit të informacioneve luan rol të madh dhe shpesh ndodhë që të publikohet edhe ndonjë informatë e gabuar. Si e korrigjojnë mediat gabimin?

Me këtë temë është marrë Umno.mk dhe me leje të posaçme të redaksisë në vijim e transmetojmë analizën e plotë:

Raportimi i pasaktë dhe jokorrekt është arsyeja më e shpeshtë e ankesave në Këshillin për Etikë në Mediat në Maqedoni (KEMM). Kjo shifër kap më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të ankesave që i pranon Këshilli. Arsyeja tjetër më e përfaqësuar është se njëra palë nuk është përfaqësuar, kurse arsyeja e tretë – gjuha e urrejtjes. Si organizatë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse, qëllimi i së cilës është të promovojë rregullat dhe normat etike në gazetari, statistikat e KEMM ofrojnë të dhëna interesante për punën e mediave në Maqedoni.

Në një kohë kur shtypi humbi një pjesë të madhe nga fuqia e saj, televizionet po luftojnë me edicionet onlajn për ekskluzivitet dhe shpejtësi në publikimin e informacionit, ndërsa portalet e reja puna e të cilave nuk është e rregulluar po mbijnë si kërpudhat pas shiut, duke e ngritur çështjen se si mediat profesionale luftojnë kundër dezinformatave. Gazetaria ditore është punë kompleks në të cilën shpejtësia e publikimit të informacioneve luan rol të madh dhe shpesh ndodh që të publikohet edhe ndonjë informatë e gabuar, por ka mekanizma për korrigjimin e tyre. Qëllimi është unik – besimi i lexuesve dhe publikut. Pyetja është se sa i përdorin mediat këto mekanizma për të pranuar dhe korrigjuar gabimin.

Sipas Mirçe Adamçevskit, gazetar me përvojë shumëvjeçare dhe kryetar i Komisionit të Apelit pranë KEMM, pak media thonë publikisht se kanë gabuar. Nga themelimi i Komisionit për Ankesa e deri më sot janë pranuar gjithsej 632 ankesa, janë marrë 559 vendime dhe janë bërë 66 ankesa për të cilat nuk ka pasur bazë që Komisioni të iniciojë procedurë. “Kush dëshiron të thotë se e kishte gabim?! Nga përvoja ime në Komisionin e Apelit, pak janë, megjithëse Kodi i Gazetarisë e kërkon të kundërtën. Sigurisht që ka përjashtime, por ato janë të rralla. Kryesisht janë mediat anëtare të KEMM”, thotë Adamçevski.

Sipas tij, mediat e shkruara janë ende më profesionale në punën e tyre, ndërsa 80 për qind e ankesave kanë të bëjnë me mediat onlajn. Ata janë shkelësit më të shumtë, por edhe më të shpeshtë të Kodit të Gazetarëve.

“Kemi një mekanizëm që quhet ndërmjetësim ku ndërmjetësojmë mes dy palëve. A do të publikojnë falje, përgënjeshtrim apo tekst për të sqaruar situatën dhe në këtë mënyrë janë zgjedhur shumë konteste”, shpjegon Adamçevski.

Rregullimi kundrejt vetërregullimit

Me rastin e hartimit të Ligjit për Media, kishte shumë dilema nëse puna e mediave onlajn duhet të rregullohet me ligj apo mënyra e funksionimit duhet t’i lihet vetë-rregullimit. Adamçevski thotë se ata e zgjodhën opsionin e dytë sepse rregullorja ka gjoba dhe dënimr penale. “Imagjinoni që një media online duhet të paguajë ndonjë gjobë prej 5000 apo 10000 euro. Do të mbyllë biznesin dhe nuk do të mund të vazhdojë kurrë punën. Ndërsa në një shoqëri jodemokratike, si kjo e jona në Maqedoni, cilado parti që do të jetë në pushtet do ta përdorë fuqinë e saj për të mbyllur mediat që nuk funksionojnë në favor të saj. Mediat gjithmonë do të keqpërdoren. Por është mirë të ketë të paktën një regjistër ku mediat profesionale onlajn do të anëtarësohen. Në një mënyrë do të detyroheshin t’i respektojnë ligjet, ndërsa në anën tjetër do të kishin subvencione nga shteti”, thotë Adamçevski.

Ana Atanasovska është redaktore e ueb edicionit të gazetës së përditshme “Slloboden peçat”. Ajo thotë se “Slloboden peçat” përpiqet që gjithmonë të përcjellë informacionet në mënyrë profesionale, në përputhje me Kodin e Gazetarisë, duke i respektuar standardet etike të përcaktuara nga ky dokument.

“Është e vërtetë se në garë me kohën, veçanërisht mediat digjitale i nënshtrohen në masë të madhe lajmeve tërheqëse, të cilat ndonjëherë rezultojnë të rreme. As ‘Slloboden peçat’ nuk ka qenë imune ndaj këtyre fenomeneve. Sidomos në periudhën kur pandemia e Covid-19 ishte aktuale dhe kur në fillim kishte lloj-lloj lajmesh për virusin e panjohur, e më vonë për vaksinat. Tani situatë të njëjtën kemi me luftën në Ukrainë. Në rrjetet sociale shpërndahen video të ndryshme origjina e të cilave nuk dihet. Megjithatë, si medium jemi shumë të kujdesshëm për atë që e publikojmë. Përpiqemi të kontrollojmë me kujdes përmbajtjen para se t’ua publikojmë lexuesve tanë”, shpjegon Anastasovska.

Kur publikojnë lajme në të cilat “kanë rrëshqitur” dhe ato kanë rezultuar të rreme, këtë ua thonë lexuesve, e korrigjojnë gabimin që e kanë bërë dhe e venë në dukje.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Çdo medium është përgjegjës për atë që vendos si përmbajtje në platformat e tij të internetit. Në mediumin tonë ka gjithmonë vend për përgënjeshtrime dhe opinione të dyta. Nëse kemi publikuar ndonjë lajm për të cilin ka përgënjeshtrim, sigurisht që ai do të jetë në faqen tonë të internetit ose në edicionin e printuar, varësisht se ku është publikuar lajmi. Po ashtu, në mediumin tona mund të gjeni polemika që zhvillohen nëpërmjet seksionit tonë ‘kolumna’, thekson Atanasovska.

Çka nëse “rrëshqet”?

Liljana Gërxho Damovska është ndihmës kryeredaktore e gazetës “Veçer”. Ajo thotë: “Mbase u bë teori ajo që deri para disa vitesh ishte praktikë (dhe duhet të ishte proces i kundërt, apo jo?!) që mediat, qofshin ato të shtypura apo elektronike, të mos bëjnë kompromis kur bëhet fjalë për çështjet e standardeve etike në raportim. Deri para disa vitesh, dhe tani shumë rrallë, nga teksti gazetaresk kërkohej të ishte i saktë, i paanshëm, të përfaqësonte opinione të ndryshme dhe të respektonte të drejtat themelore të individit. Por tekstet e tilla janë të rastësishme tani. Ndoshta vetëm disa nga mediat e shkruara, veçanërisht ato me traditë më të gjatë, janë bastioni i fundit i qasjes profesionale ndaj tekstit. Mediat digjitale që i respektojnë standarde të tilla mund të numërohen me gishtat e dorës”, thotë Gërxho Damovska.

Sipas saj, gazetarët sot përballen me fenomenin e lajmeve të rreme, sensacionalizmit me çdo kusht, gjegjësisht me dezinformata. Ndërsa ato e minojnë debatin publik, e minojnë besimin e qytetarëve në institucionet dhe mediat, madje edhe i destabilizojnë proceset demokratike.

“Dhe dihet që mjedisi në të cilin përhapet dezinformata është i cenueshëm dhe i manipuluar. Prandaj përgjegjësia është më e madhe tani dhe duhet pasur kujdes në përzgjedhjen e lajmeve që do të publikohen në media. Çka nëse “rrëshqet”? Edhe lajm i vogël i rremë do t’u shkaktojë dëm sa një elefant të dyja palëve – edhe atij që i referohet edhe medias që e ka publikuar, nëse i përmbahet standardeve të gazetarisë profesionale. Korrigjimi do të publikohet (në medium serioz është obligim) që në numrin e ardhshëm, por askush nuk mund ta riparojë dëmin e shkaktuar nga informacioni i publikuar një ditë më parë”, është decide Gërxho Damovska.

Sipas Goran Rizaov, kryeredaktor i Meta.mk, lufta kundër dezinformatave është diçka që ata e konsiderojnë si aktivitetin e tyre kryesor. Dezinformatat, në kuptimin e përhapjes me qëllim të keq të gënjeshtrave për qëllime politike apo ekonomike, konsiderohen ndër sfidat kryesore të mediave në Maqedoni. Sfidë që jo vetëm ndikon në besueshmërinë e gazetarëve, por imponon ndarje në të gjitha sferat e shoqërisë, madje mund të cenojë stabilitetin dhe situatën e sigurisë në vend.

“Gazetarët e Meta.mk janë jashtëzakonisht seriozë në luftën kundër dezinformatave. Shpejtësia e publikimit të lajmeve dhe artikujve të tjerë është dytësore. Ajo ku ne fokusohemi më shumë është respektimi i standardeve etike dhe Kodit të Gazetarisë. Të gjithë artikujt e publikuar në Meta.mk duhet të përmbajnë burime specifike dhe të besueshme të informacionit, të jenë të shkruara saktë, pa vend për keqinterpretime dhe manipulime. Ne shmangim publikimin e teksteve me burime anonime, të cilat mund të përdoren vetëm në situata të jashtëzakonshme kur rrezikohet siguria e burimit në rast se emri i tij publikohet. Gjithmonë kemi një dozë skepticizmi ndaj asaj që thonë burimet dhe kontrollojmë nëse pas pretendimeve të tyre fshihen interesa personale apo të organizatave”, potencon Rizaov.

Përveç kësaj, ata merren edhe me verifikimin e drejtpërdrejtë të fakteve dhe sqarimin e spineve, që më së shpeshti publikohen nga politikanë. Verifikimin e fakteve e bëjnë sipas rregullave të Rrjetit Ndërkombëtar për verifikim të fakteve, të cilat janë edhe më të rrepta se Kodi i Gazetarëve dhe nuk lënë hapësirë ​​për cenimin e besueshmërisë. Rizaov shpjegon se redaktorët në Meta.mk janë të aftësuar për të mbajtur trajnime dhe procese mentorimi për mënyrat e luftimit të dezinformatave. Ata i zbatojnë këto aftësi në një proces të vazhdueshëm mentorimi kur punojnë me gazetarë të rinj me të cilët bashkëpunojnë, por edhe duke organizuar trajnime dhe punëtori.

“Konsiderojmë se qytetarët mirë të informuar kanë fuqi që në mënyrë të pavarur dhe korrekte të marrin vendime për përmirësimin e proceseve demokratike, qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien dhe përgjegjësinë e autoriteteve dhe qendrave të tjera të pushtetit”, tha Rizaov.

Sa i përket politikës për publikimin e përgënjeshtrimeve, kërkim faljeve dhe sqarimeve, Meta.mk i përmbahet normave ligjore, rregullave etike, Kodit të gazetarëve, por e respekton edhe politikën e brendshme të korrigjimeve dhe sqarimeve, e cila është e shprehur qartë në ueb-faqen e tyre në rubrikën “Kushtet e përdorimit”.

“Redaktorët e shqyrtojnë rastin për ndonjë lloj përgënjeshtrimi që e pranojmë. Nëse përgënjeshtrimi është i mbështetur me argumente, e botojmë të plotë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën mënyrë siç është publikuar teksti që përgënjeshtrohet. E njëjta gjë vlen edhe për kërkim faljen për gabime të paqëllimta dhe sqarimet. Sipas praktikës, në rast të tillë qysh në titull e theksojmë se ka një korrigjim të tekstit dhe para fillimit ose nën paragrafin e fundit të tekstit shtojmë një shpjegim se teksti ka pësuar ndryshime, që shoqërohet me kërkim falje ndaj publikut për gabimin e paqëllimshëm. Këto ndryshime të mundshme i zbatojmë më pas në artikujt që tashmë janë publikuar në rrjetet sociale”, shpjegon Rizaov.

Aleksandra Tomiq është kryeredaktore e “Bloomberg Adria Digital Macedonia”, ndërsa deri vonë e ka drejtuar redaksinë e “Faktor”. Ajo thotë se është praktikë e saj të kontrollojë informacionin që e publikojnë nga të paktën dy burime. Pra, analizat bazohen në të dhëna relevante nga burime zyrtare, ndërsa përmbajtja autoriale mbështetet me deklarata dhe informacione nga institucionet dhe burime të tjera të dhënash.

“Shpeshherë, pothuajse çdo ditë, në media ka informacione interesante, tërheqëse për t’u lexuar, mbase edhe ekskluzive, por nuk i marrim derisa t’i kontrollojmë. Pandemia me kovid, ndërsa tani lufta në Ukrainë, i ka vënë mediat në një pozicion ku nuk mund të verifikojnë dhe konfirmojnë informacionin nga burimet e tyre dhe ato zyrtare. Në raste të tilla, ne përpiqemi të transmetojmë tekste ekskluzivisht nga media të njohura dhe të dëshmuara botërore, natyrisht duke cituar burimin. Përgënjeshtrimet dhe reagimet, si dhe shpjegimet shtesë, i publikojmë pa hezitim sa herë që kërkohet nga dikush dhe ka bazë. Përpiqemi të raportojmë në mënyrë etike, pa gjuhë të urrejtjes. Është imperativ në punën tonë”, tha Tomiq.

Gërxho Damovska konsideron se për momentin është shumë e rëndësishme që të mos nënvlerësohet roli i shtetit, i cili duhet të krijojë kushte për gazetari profesionale dhe të rrisë shkrim-leximin mediatik, veçanërisht te të rinjtë që duan të merren me këtë profesion.

“Aspekti i keq socio-ekonomik, auto-censura, sulmet dhe motivimi i dobët i të rinjve për t’u angazhuar në gazetari, vetëm tregojnë se tani për tani kemi vetëm një përkushtim deklarativ për lirinë e medias dhe gazetarinë profesionale. Gazetarët mund të kenë pikëpamje të ndryshme, matrica ideologjike, gjithçka është legjitime, por nuk duhet të ketë asnjëherë dallim në kuptimin e standardeve etike, zbatimi i tyre dhe faktet janë prioritet absolut. Prandaj tani është shumë e rëndësishme të stabilizohet besimi i lëkundur i qytetarëve në media. Vallë, a nuk është media e lirë thelbi i shoqërisë?”, përfundon Gërxho Damovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button