Nuk ka nevojë për vaksinime masive kundër lisë së majmunit, thotë zyrtarja e OBSH-së

Një zyrtare e lartë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) njoftoi sot se nuk ka nevojë për vaksinime masive kundër virusit të lisë së majmunit që aktualisht ka prekur disa pjesë të botës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dr. Sylvie Briand, drejtoresha e Përgatitjes dhe Parandalimit ndaj Epidemive dhe Pandemive në OBSH, iu drejtua konferencës së posaçme për vendet anëtare të organizatës në Asamblenë e 75-të Botërore të Shëndetësisë mbi “Shpërthimin e lisë së majmunit në shumë vende”.

“Kjo është një sëmundje zoonotike, që do të thotë se transmetohet nga kafshët. Por për fat të keq, ne nuk e dimë ende se cili është rezervuari i kafshëve për këtë virus”, tha Sylvie Briand.

Briand theksoi se sëmundja është endemike në më shumë se nëntë vende në Afrikë, ku ka pasur shpërthime në vitet e fundit.

“Ne jemi këshilluar deri më tani se nuk ka nevojë për vaksinim masiv dhe nuk ka nevojë për fushata të mëdha imunizimi”, shtoi Sylvie Briand.

Ajo vuri në dukje se rreth 200 raste janë raportuar deri më tani në të gjithë botën dhe tha se numri mund të rritet në ditët në vijim pasi ky është “vetëm fillimi i kësaj ngjarjeje”.

“Ne nuk rekomandojmë ndalime apo kufizime të udhëtimit dhe duhet të vazhdojmë të komunikojmë për atë që dimë se çfarë po bëhet dhe të sigurojmë vërtet publikun. Çështja është se ne duhet vetëm të marrim masat e duhura”, shtoi Sylvie Briand.

Lija e majmunit është një virus që e ka prejardhjen nga kafshët e egra, si brejtësit dhe primatët, dhe që ndonjëherë kalon tek njerëzit. I përket të njëjtës familje virusesh si sëmundja e lisë. Shumica e rasteve të identifikuara te njerëzit ka qenë në Afrikën qendrore dhe perëndimore, dhe përhapja ka qenë relativisht e kufizuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button