Përfundoi rikonstruimi i pistës së Aeroportit të Shkupit, nga nesër normalizohen fluturimet

Ka përfunduar rikonstruimi i pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Siç informojnë nga TAV Maqedoni, punimet ndërtimore kanë përfunduar dhe nga nesër në ora 17 do të normalizohen fluturimet, përkatësisht do të zhvillohen gjatë gjithë ditës dhe natës, transmeton SDK.

“Ky projekt i madh investimi përfundon pas 62 ditësh punime ndërtimore për rikonstruimin e asfaltit në pistë. Ne në TAV jemi të kënaqur dhe të bindur se përfundimi me sukses i një projekti të këtij lloji, për herë të parë që nga rindërtimi i pistës në vitin 1996, do të ofrojë shërbime më cilësore”, tha Metin Batak, Drejtor i Përgjithshëm i TAV Maqedoni.

Punët ndërtimore për rehabilitimin e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kanë filluar më 28 mars dhe prej atëherë ka ndryshuar orari i fluturimeve, gjegjësisht fluturimet kryheshin çdo ditë nga ora 17:00 deri në 9:00, ndërsa nga ora 9:00 deri në 17:00 është punuar në pistë.

Pista në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit është 2950 metra e gjatë dhe 45 metra e gjerë. Pista është rikonstruktuar për herë të fundit në vitin 1996, kur aeroporti është mbyllur plotësisht për qarkullim për një periudhë prej dy muaj e gjysmë dhe trafiku ajror është transferuar në Aeroportin e Ohrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button