Kovaçevski njoftoi rivitalizimin e tetë hidrocentraleve kryesore në vend

Tetë hidrocentralet në vend të cilat janë në pronësi të SHA ELEM, edhe atë në: Vrutok, Vërben, Raven, Tikvesh, Shpilje, Glloboçicë, Kozjak dhe hidrocentrali Sveta Petka, fuqia e të cilave është rreth 85% e fuqisë së përgjithshme të instaluar në hidrocentralet në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të rivitalizohen, kështu njoftoi sot kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.
Për hidrocentralet e lartpërmendura Kovaçevski njoftoi se ato marrin pjesë në prodhimin mesatar prej 1.280 gigavat në orë, përkatësisht sigurojnë 20% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Përveç renovimit të pjesës makinerike të këtyre objekteve, përfitim shtesë i projektit është rritja e kapacitetit të akumulimit të Mavrovës që do të sigurojë rritje të prodhimit vjetor të energjisë elektrike prej rreth 40 gigavat orë. Një rritje e tillë e prodhimit të energjisë nga uji do të thotë kursim prej 36.4 mijë tonë CO2”, tha Kovaçevski.
Kjo është pjesë e Programtit operativ të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020 – 2024, në fushën e energjetikës.
Koha totale për zbatimin e projektit pritet të jetë nga viti 2022 deri në vitin 2026.
“Prandaj po nisim projektin për revitalizimin e hidrocentraleve të mëdha. Për të përforcuar stabilitetin dhe pavarësinë energjetike, përmes prodhimit të vazhdueshëm të energjisë së pastër dhe të gjelbër në vend”, tha Kovaçevski.
Ndryshe, mjetet për realizimin e këtij projekti kapital në vlerë prej rreth 29 milionë euro do të sigurohen nga grante dhe kredi të favorshme, si dhe nga mjetet vetanake të Elektranave të Maqedonisë së Veriut.