NPPK Mali Sharr siguroi grant për funksionimin e tij

Sot në Kodrën e Diellit u nënshkrua Marrëveshja e Grantit të Planifikimit në mes Fondit të Natyrës Prespa-Ohër (PONT) dhe NPPK Mali Sharr, me të cilën janë siguruar mjete shtesë të nevojshme për funksionimin e institutit publik të sapoformuar, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Mjedisit, Naser Nuredini theksoi se bashkëpunimi ndërmjet ministrisë dhe Fondit të Natyrës Prespa-Ohër, i cili filloi në vitin 2018 me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë, rezultoi me ndihmën financiare nga PONT në valorizimin e trashëgimisë natyrore dhe përgatitjen e planeve të menaxhimit me zonat e mbrojtura, si rastet me PK Pelister, PK Galiçica, Monument i Natyrës – Burimet e Vevçanit dhe Monumenti i Natyrës Liqeni i Prespës.

“Sot ky bashkëpunim po zgjerohet edhe në PK Mali Sharr dhe presim që do të krijohen kushte për zgjerim edhe në zona të tjera të mbrojtura, siç është PK Mavrovë dhe të tjera”  tha Nuredini.

Drejtoresha ekzekutive e PONT- Miriam de Koning u shpreh se sot është ditë e rëndësishme pasi ata mund të fillojnë mbështetjen e tyre për zonën e re të mbrojtur, Parkun Kombëtar Mali Sharr.

“Ky park i rëndësishëm kombëtar është i përfshirë në rajonin më të gjërë ndërkufitar me zona të tjera të rëndësishme të mbrojtura në Shqipëri dhe Kosovë. Sot ne po nënshkruajmë grantin e planifikimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë do tpë vazhdojmë me grante shtesë”, tha de Koning.

Nga ana tjetër, drejtori i NPPK Mali Sharr Ibrahim Dehari tha se instituti publik i sapoformuar përballet me sfida dhe përgjegjësi të mëdha.

“Qeveria e RMV-së na ka dhënë mjete për të filluar, por fondet e nevojshme për kompletimin e vetë institutit dhe vënien në punë të tij janë shumë më të mëdha. Për këtë arsye ne po bëjmë përpjekje për të siguruar fonde shtesë përmes projekteve dhe donatorëve që do të na mundësojnë të funksionojmë dhe të jemi të vetë-qëndrueshëm”, tha Dehari.

Ndryshe, me këtë grant të planifikimit do të sigurohet fuqizim administrativ i institutit, ruajtja e natyrës nga kërcënimet siç janë zjarret dhe aktivitetet e paligjshme si dhe vizibilitet më i madh i institutit, informim dhe bashkëpunim me popullsinë vendase.

PONT është institucion privat, ligjërisht i pavarur që ofron grante që financojnë ruajtjen e qëndrueshme të natyrës. Granti i planifikimit siguron kontribute nga Qeveria gjermane, përmes PONT, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe donatorëve të tjerë.

PONT do të mbështesë gjithashtu edhe dy iniciativa qytetare lokale për të cilat janë nënshkruar marrëveshje me Qendrën për Edukim dhe Zhvillim (CED) nga Tearca dhe me Klubin e Alpinistëve “Ljuboten” nga Tetova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button