fbpx

Geer: Shpresa të mëdha për fillimin e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë gjatë presidencës franceze

Kemi shpresa të mëdha që negociatat e Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të fillojnë më në fund gjatë presidencës franceze të BE-së, kështu pohoi ambasadori i BE-së në vend, David Geer në konferencën “Zërat bullgarë për Evropën”, shkruan Opserver, trasnsmeton Portalb.mk

Para pjesëmarrësve në konferencë, e cila është pjesë e debateve të Konferencës për ardhmërinë e Evropës, Geer theksoi se institucionet e BE-së janë të vendosura të përkushtuara për avancimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se vlerësojnë shumë përpjekjet e bëra nga të gjitha palët për të çuar përpara këtë proces.

“Suksesi është në interes të këtij vendi, Shqipërisë dhe sigurisht të gjithë rajonit dhe vetë BE-së”, tha Geer.

Duke folur për Konferencën për ardhmërinë e Evropës, Geer theksoi se në të janë të përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ai përkujtoi se delegacioni i BE-së ka organizuar gjashtë debate me këtë temë, me fokus te të rinjtë.

“Ballkani Perëndimor është Evropa, Ballkani Perëndimor natyrisht i përket Evropës dhe ne jemi të bindur se është në interesin tonë të përbashkët të vazhdojmë procesin e zgjerimit pa vonesa të mëtejshme. Nuk është vetëm prioritet gjeostrategjik për partnerët në rajon, por edhe prioriteti ynë jo vetëm për shkak të luftës, por edhe për shkak të presionit që shihni në kontekstin e asaj lufte dhe për shkak të lidhjeve të gjata historike sociale dhe ekonomike”, tha Geer.

Geer vuri në dukje se është shumë e rëndësishme të kujtohen rrënjët e BE-së, nga filloi, nga vjen, duke shtuar se është shumë e lehtë të neglizhosh arritjet e Bashkimit – paqen, prosperitetin, tregun e përbashkët, vlerat demokratike dhe respektimin e diversitetin, si dhe vetë procesin e zgjerimit.

“Sigurisht që u përballëm me sfida, kriza financiare në 2008, pandemia, tani është lufta ruse në Ukrainë, BE-ja po bën diskutime intensive dhe ne kemi treguar unitet dhe kemi lëvizur shpejt. Ky diskutim është një proces shumë i rëndësishëm dhe është një kontrast me atë që Rusia po bën në Ukrainë, që është të përcaktojë të ardhmen e Ukrainës pa asnjë konsultim,” tha Geer.

Ai shtoi se angazhimi i Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian u pa në zgjedhjet strategjike të mbajtura nga vendi në mbështetje të një rezolute që dënon agresionin rus në OKB.

“Dhe këtu shohim se Maqedonia e Veriut është bashkuar 100% në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, shtoi Geer.

Ai përkujtoi se konkluzionet e Konferencës për ardhmërinë e Evropës do të prezantohen në shtator nga presidentja e KE-së Ursula von der Layen.

Në konferencë mori pjesë Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Kyçuk, i cili vuri në dukje se është e rëndësishme që Evropa të konsolidojë thelbin e saj, por është po aq e rëndësishme të shikojë përtej kufijve të saj, përtej 27 vendeve të saj dhe të kërkojë mundësi për zgjerim.

Kyçuk shtoi se nëse BE-ja nuk adreson zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, atëherë fuqitë e treta do të përfshihen në vend të tyre, pasi nuk ka vakum në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe askush nuk e toleron një vakum të tillë.

Lidhur me Konferencën për ardhmërinë e Evropës, Kyçuk theksoi se ajo duhet të bëhet një mekanizëm i qëndrueshëm komunikimi me qytetarët evropianë në mënyrë që Evropa të ofrojë zgjidhje afatgjata dhe t’u përgjigjet krizave. Sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të vendosur një urë për gjeneratat e ardhshme për të ndërtuar BE-në si një projekt i paqes, lirisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm.

“Evropa nuk duhet të jetë një xhuxh apo një nga xhuxhët në marrëdhëniet ndërkombëtare, por një lojtar i madh gjeopolitik,” tha Kyçuk.

Ambasadori bullgar në vend Angell Angellov shtoi se e ardhmja e Evropës nuk përcaktohet paraprakisht, por krijohet nga ata që janë pjesë e saj.

Ai theksoi se e ardhmja e BE-së duhet të shkojë në një drejtim të bazuar në parimet bazë të vetë BE-së.

Lidhur me mosmarrëveshjen me Maqedoninë e Veriut, ambasadori Angellov theksoi se Bullgaria kërkon garanci nga vendi se do të respektohet Marrëveshja për Fqinjësi të mirë e vitit 2017.

Sipas Angellov, kërkesat bullgare për pakicën e tyre në Shqipëri janë duke u plotësuar, prandaj nuk kanë hezitim t’i japin dritën jeshile Tiranës, por siç tha ai do të shohin nëse Shkupi do të jetë në atë paketë.

Ndryshe, konferenca në Shkup u organizua nga agjencia bullgare BTA, ndërsa drejtori i përgjithshëm i saj Kirill Vllçev në hapje tha se BE-ja është kudo ku ka qytetarë evropianë, duke shtuar se diskutimi është për të ardhmen e Evropës, jo për të ardhmen e njësit vend apo tjetrit.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button