Një mbrëmje e paharrueshme me sopranon Ermonela Jaho në Shkup

Më 22 maj 2022, artdashësit e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut mirëpritën me shumë entuziazëm në sallën e filarmonisë, një nga figurat më të rëndësishme të të kënduarit bashkëkohor lirik, sopranon Ermonela Jaho.

Në këtë rast, publiku i apasionuar qëndroi me ëndje duke dëgjuar me kërshëri deri në veprën e fundit, një nga ikonat e artit të sotëm operistik, e cila mbarte në vetvete opusin e gjerë të një rrugëtimi të shquar artistik.

Gjithsesi, përpara se të shohim rrjedhën e koncertit të Ermonela Jahos, është e udhës të nënvizojmë rëndësinë që ka pasur përpjekja 10 vjeçare e festivalit të skenës së muzikës serioze shqiptare, për të sjellë përpara publikut emra të rëndësishëm e mbi të gjitha, për të mundësuar një vizion largpamës mbi gërshetimin e kulturave multietnike në marrëdhëniet tyre.

Në një kuadër të tillë, ky 10 vjetor i festivalit të skenës së muzikës serioze, e vuri artisten shqiptare Ermonela Jaho përballë një publiku të përzjerë, si nga pikëpamja kulturore, ashtu edhe nga ajo etnike.

Si rrjedhojë, sopranoja Ermonela Jaho, sëbashku me pianisten Pantesilena Jaho, ishin kujdesur për të përzgjedhur një repertor dinjitoz të veprave të shquara operistike botërore, por të gërshetuara me kujdes, edhe me vepra të njohura të kompozitorëve shqiptarë.

Duke filluar nga “vagaluna, cheinargenti” të Vincenzo Belinit e duke vazhduar me pjesët  “brindisi” të Xhuzepe Verdit, “nana” të Manuel de Fallas, “sole e amore”, të Xhakomo Puçinit, “ombra di nube” të Liçinio Refiçes, “tristezza” Francesco Paolo Tostit, “serenada” të Çarl Gunosë, “pastorale” të Kozma Larës, “Siberia” të Umberto Xhordanos, “signore ascolta” të  Xhakomo Puçinit, “Manon” të Zhyl Masnesë, “Valzer di Musetta” e “Madam Butterfly” të  Xhakomo Puçinit, “Adriana Lecouvereur” e Françesko Çilea dhe “N’at zaman t’asaj furie” , të përpunuar nga Çesk Zadeja, dëgjuesit patën fatin të përballen me një mozaik shumëngjyrësh tingëllor, i cili do të mbetet për shumë kohë në kujtesën e tyre.

Përvoja e gjatë e artistes dhe siguria e saj krijuan një atmosferë mbresëlënëse në gjithë rrjedhën veprave që u trajtuan.

Por, më e rëndësishme ishte diçka tjetër dhe lidhej me. Siç e theksoi atë që vetë Ermonela e theksoi që në fillim të koncertit:

“Ky koncert për mua është shumë i veçantë, andaj dua ta ndaj me ju në formën e një bashkëbisedimi përpara çdo vepre”.

Dhe, ashtu siç premtoi, përpara çdo vepre ajo shpjegoi me qartësinë e një profesionisteje të vërtetë detaje dhe imtësi të veprave, që bënë të mundur azhurnimin e drejtpërdrejtë të publikut me to.

Ndërkohë, me timbrin e saj të veçantë, me teknikën e dalluar dhe mbi të gjitha, me emocionet që përcolli në çdo vepër e që u harmonizuan me ndjeshmërinë absolute që vetëm një artiste si ajo mund t’ia arrijë, krijoi përshtypjen se la copëza shpirti në skenë, la copëza dashurie që, për hir të së vërtetës, mbizotëronin në çdo vepër.

Në këtë rast nuk mund të anashkalojmë aspak edhe shoqërimin instrumental dinjitoz të pianistes, e cila, me shumë përgjegjësi artistike qëndroi përballë një ikone, siç është Ermonela, andaj këtë përgjegjësi, gjithashtu, e tregoi edhe tek veprat solo për piano, duke treguar qartë tiparet e një pianisteje me cilësi artistike.

Në përgjithësi, koncertit kaloi në një frymë mbresëlënëse, por asgjë nuk kishte përfunduar, përpara se të interpretohej dueti me sopranon tjetër, Besarta Murtezani, duet, i cili, me këngën popullore “N’at zaman t’asaj furie”, të përpunuar nga kompozitori Çesk Zadeja, shërbeu si një mbyllje dinjitoze e kësaj mbrëmjeje.

Për ta mbyllur duhet të theksojmë që një meritë e veçantë për suksesin e artisteve pjesëmarrëse i takon edhe festivalit të skenës së muzikës serioze shqiptare, të drejtuar me profesionalizëm nga Fatos Lumani.

                                                                                                                                     Shkruan: Jesir Hoxha

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button