Ambientalistët i kërkojnë Gjykatës së Lartë Administrative të vendosë për rastin e minierës “Ilovica-Shtukë”

Aktivistët e mjedisit nga pjesa jug-lindore e vendit kërkojnë që Gjykata e Lartë Administrative të marrë një vendim sa më shpejt dhe të mbyllë përfundimisht çështjen me minierën Ilovica-Shtukë. Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Administrative në mars të këtij viti, për refuzimin e ankesës së kompanisë “Euromax Resources” dhe konfirmimin e revokimit të koncesionit, ambientalistët nga Novosella, Bosilova dhe Strumica presin konfirmimin nga Gjykata e Lartë Administrative, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Aktivistët mjedisor apelojnë që të mos presin mbylljen e rastit pasi siç thonë ata nuk shmangen nga zotimi për të mos lejuar hapjen e një miniere në zonën e tyre.

“Vendimi i fundit i gjykatës në të gjithë procesin e deritanishëm, në të cilin ka pasur disa aktgjykime në instanca të ndryshme, qartë shpjegon se pse duhet të revokohet koncesioni i ‘Euromax Resources’. Në të janë marrë të gjitha argumentet për shkeljet në kontratë dhe detyrimet që koncesionari nuk ka përmbushur. Arsyet janë deklaruar shumë saktë me citim të qartë të të gjitha dispozitave ligjore. Kjo është arsyeja pse ne pyesim veten se çfarë ka pritur kaq gjatë tani. Bëjmë thirrje që të mos vonohet procesi, por t’i jepet fund”, thanë aktivistët e Luginës së Shëndetshme, duke shtuar se aktgjykime të tilla, të cilat argumentojnë qartë dhe pa mëdyshje provat, rikthejnë besimin te gjyqësori dhe në marrjen e vendimeve në përputhje me ligji.

Vendimi i Gjykatës Administrative është marrë në tetor të vitit të kaluar, dhe fillimisht është publikuar në fund të vitit të kaluar në mediat kanadeze. Publiku vendas nuk ka mundur ta shohë deri në mars të këtij viti kur është publikuar në portalin gjyqësor. Ndërkohë, Euromax Resources ka apeluar sërish në Gjykatën e Lartë Administrative për të kundërshtuar vendimin.

Në dhjetor të vitit të kaluar, qytetarët nga rajoni jug-lindor organizuan një protestë para Gjykatës së Lartë Administrative, ku kërkuan ndalimin e kalimit të çështjes nga Administrativja në Gjykatën e Lartë dhe marrjen e një vendimi përfundimtar që do ta mbyllte çështjen.

Si atëherë ashtu edhe tani, ambientalistët theksojnë se çështja është e qartë dhe se është e kotë vazhdimi i seancave gjyqësore pasi koncesionari “Euromax Resources” nuk ka përmbushur shtatë nga nëntë detyrimet e koncesionit dhe që duhet të ishin kryer brenda vitit 2016.

“Ashtu si edhe më parë, ne mbetemi në qëndrimet tona të pandryshuara prej vitesh dhe që përfundimisht njihen në gjykatë si gjendje faktike e padiskutueshme. Për gjithçka që kemi thënë, koha ka filluar të tregojë se kishim të drejtë sepse arma jonë është e vërteta dhe qëndrimet dhe pyetjet tona i shprehim gjithmonë me integritet, objektivitet dhe me dokumente. Prandaj apelojmë në Gjykatën e Lartë Administrative që përfundimisht të përfundojë puna sepse e vërteta është në dritë dhe e dimë të gjithë. Nëse dikush tenton të manipulojë dhe mbrojë diçka që nuk ka bazë për mbrojtje, atëherë do të përballet me lumenj njerëzish në rrugë, fusha dhe male”, thonë nga “Lugina e Shëndetshme” në rrjetet e tyre sociale.

Çështja ka qenë një herë në Gjykatën e Lartë Administrative, në korrik të vitit të kaluar, kur kjo gjykatë ka anuluar vendimin e Gjykatës Administrative për rrëzimin e ankimit të “Euromax Resources” për koncesionin e hequr. Më pas Gjykata e Lartë Administrative vendosi që të rigjykohej në Gjykatën Administrative.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button