Besimi – Geer: RMV-ja t’i vazhdojë reformat ekonomike dhe sociale

Ambasadori i BE-së në vend- David Geer dhe ministri i Financave- Fatmir Besimi sot përmes një konference për shtyp njoftuan disa nga konkluzionet e Dialogut ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Këto konkluzione u miratuan në Bruksel para dy ditëve, ku edhe filluan aktivitetet përgatitore për Programin e ardhshëm të reformave ekonomike (PRE) për periudhën 2023-2025, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftojnë nga Zyra e Bashkimit Evropian në vend, në mesin e këtyre konkluzioneve ishin: krijimi i rezistencës ekonomike në periudhë afatgjate përmes përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e duhur të përkrahjes financiare të BE-së përmes Instrumentit për ndihmë paraaderuese dhe Fondit evropian për zhvillim të qëndrueshëm.

Gjithashtu nga atje shtojnë se në mes tjerash ishte edhe gatishmëria për sigurimin e përkrahjes së mirë-orientuar, transparente dhe të përkohshme për amvisëritë dhe kompanitë e ndjeshme, nëse nevojitet është e domosdoshme.

David Geer dhe Fatmir Besimi
David Geer dhe Fatmir Besimi

Ministri Fatmir Besimi theksoi se ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe përkrahja e rritjes së qëndrueshme këtë vit do të ketë rëndësi kryesore, ku fokusi do të jetë në nxitjen e tranzicionit të gjelbër, përforcimin e kapitalit njerëzor, përforcimin e konkurrencës së kompanive vendase dhe integrimin e tyre në zinxhirët e vlerave globale, si dhe formalizimin e ekonomisë gri.

“Përveç pakos me 26 masa si reagim ndaj krizës aktuale, me rishikimin e buxhetit të miratuar nga Qeveria, parashihen mjete shtesë në rast të nevojës për masa të reja. Më tej, në rrethanat aktuale, ku kriza energjetike parandalon rritjen, një prej sfidave kyçe në periudhën e ardhshme do të jetë efikasiteti energjetik dhe burimet e energjisë së ripërtëritshme. Si një nga shtyllat kryesore mbi të cilat bazohet ky program trevjeçar është përforcimi i kapitalit njerëzor, që është një prej sfidave kryesore për përforcimin e konkurrencës dhe rritjes ekonomike. Ruajtja dhe përforcimi i kapitalit njerëzor paraqet një çështje shumëdimensionale me ç’rast nevojiten investime të vazhdueshme dhe qasje, proces në të cilin fokusi duhet të jetë mbi përmirësimin e cilësisë së arsimit” theksoi Besimi.

Euro-ambasadori David Geer theksoi se synimet e politikave për Maqedoninë e Veriut në vitin 2022 fokusohen në sigurimin e përkrahjes për amvisërit dhe kompanitë e ndjeshme në periudhë afatshkurtër dhe për konsolidimin afatmesëm të buxhetit.

“BE-ja ka vendosur të ndërmarrë më shumë përgjegjësi mbi sigurinë e saj dhe të ndërmarrë hapa të mëtejshme vendimtare drejt krijimit të rezistencës në Evropë. Kjo nënkupton uljen e kushtëzimit, krijimin e modelit të ri të rritjes dhe investimeve për vitin 2030, si dhe zhvillimin e diversifikimit më të madh  energjetik. Partnerët tanë inkurajohen të ndjekin këtë shembull, tha Geer.

David Geer dhe Fatmir Besimi
David Geer dhe Fatmir Besimi

Siç njoftuan nga Zyra e BE-së në vend, reformat prioritare strukturore të dakorduara në dialog përfshijnë vendosjen e shpejtë të rregullave fiskale dhe krijimin e këshillit fiskal që bazohet në progresin e arritur gjatë përpilimit të Ligjit të ri për buxhetet; zbatimin e Strategjisë për reforma në sistemin tatimor me masat për rritjen e të hyrave; si dhe përmirësimin e menaxhimit me investimet publike. Për rikuperimin, do të kontribuojnë edhe përpjekjet e mëtejshme për të luftuar korrupsionin, përmirësimi në sundimin e ligjit, përforcimi i transparencës dhe përforcimi i institucioneve, si dhe dialogu social”

Ndryshe, përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, ministrat e Financave të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, si dhe përfaqësuesit e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë u takuan në fillim të kësaj jave në Bruksel në kuadër të dialogut vjetor ekonomik dhe politik.

Qëllimi i këtij dialogu është që ta përgatisë Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për pjesëmarrjen e tyre të ardhshme në Semestrin Evropian, i cili është niveli më i lartë i koordinimit të politikave ekonomike të Bashkimit Evropian.

Zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski dhe zëvendës-guvernatorja e Bankës Qendrore, Emilija Naceva e përfaqësuan vendin tonë në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button