Fuqia e diturisë

Një proverbë e lashtë thotë: “Dituria është si një kopsht, nëse nuk kultivohet, nuk jep fryt.” Në kushtet e sotme, kur dituria është kaq afër nesh dhe kaq e qasshme, është mëkat të mbetemi të paditur dhe të pamësuar. Arkimendi dikur thoshte se me një levë dhe me një pikë qëndrimi mund të lëvizte gjithë botën, por sot është informata ajo që e jep fuqinë për ta lëvizur botën. Ashtu si është shprehur Benjamin Franklin: “Investimi në dituri paguan gjithmonë normën më të mirë të interesit.”

Në të kaluarën studimi ka qenë punë shumë e vështirë. Studentët është dashur të udhëtojnë në vende të largëta dhe të përballen me shumë vështirësi për të fituar pak njohuri të cilat shpesh ka ndodhur që deri në përfundim të studimeve të bëhen të papërdorshme, veçanërisht për shkak të zhvillimit të hovshëm teknologjik. Studentët është dashur të harxhojnë shumë mjete të mbledhura me mund nga prindit e tyre që të studiojnë dhe të jetojnë në një qytet të huaj ose në një shtet të largët, të mësojnë gjuhë të re dhe të përballen me shumë sfida të të jetuarit larg familjes dhe të të mësuarit me zakone të reja në një vend të huaj. Si të gjitha gjërat tjera, edhe kjo punë i ka pasur përparësitë e veta. Studentët që kanë studiuar larg familjeve të tyre janë pavarësuar më shpejt dhe kanë mësuar më mirë të gjinden në jetë.

Në kohën e tashme, procesi i studimit ka ndryshuar. Studentët tani kanë mundësinë të studiojnë në qytetin ose në rrethinën ku ata banojnë. Kanë shumë më pak harxhime të studimit se që kanë pasur prindit e tyre. Kanë komoditetin të studiojnë duke mos u detyruar të shpërngulen nga shtëpia dhe duke qenë gjithmonë nën mbrojtjen e familjes. Edhe pse një gjë e tillë ofron shumë komoditet dhe më pak harxhim, kjo ndonjëherë vjen me çmimin e një pavarësimi të vonuar për të rinjtë e sotshëm, që më vonë e lënë çerdhen dhe më vonë krijojnë jetë të pavarur në krahasim me paraardhësit e tyre.

Studimet tani janë gjithmonë në hap me kohën, sepse informata është e qasshme në çdo kohë përmes mjeteve elektronike të cilat i kemi kudo. Deri sa më herët studenti është dashur të kërkojë disa ditë me radhë një libër apo një artikull të caktuar në raftet e bibliotekës, sot këto informata gjenden me një klikim, duke qenë se bibliotekat janë elektronike dhe qasja te resurset është e menjëhershme. Të porosisësh një libër nga një shtet tjetër dikur ishte një luks i shtrenjtë, ndërsa sot librat e gjithë botës blihen me një klikim dhe fillojnë të lexohen menjëherë. Kjo vlen për ata që preferojnë të lexojnë libra më shpesh se sa te lexojnë postime në rrjetet sociale.

Dikur ishte sfidë politike të studiosh. Qasja në arsim të lartë në gjuhën amtare pamundësohej bazuar në paragjykime dhe në politika shovene. Sot është lehtë të studiosh në gjuhën tënde amtare dhe ke zgjidhje të shumta, pikërisht në vendin ku vet jeton.

Sot është lehtë të studiosh edhe në çdo vend të botës, po pate dëshirë dhe ambicje për ta sfiduar veten dhe për të fituar më tepër njohuri. Programet Erasmus+, Fulbright, Chevening, e të tjera programe si këto mundësojnë studim në qendrat kryesore universitare në botë. Sot studentët mund të vendosin të mësojnë për një semestër ose një vit akademik në një universitet të huaj, ose të ndjekin një program të tërë studimor në vendin ku ata dëshirojnë të hulumtojnë. Ka programe bursash që këtë e mundësojnë për ata që duan ta sfidojnë veten më shumë dhe të pavarësohen me herët. Sot bota është një fshat global dhe udhëtimi është i mundshëm dhe jo aq i shtrenjtë sa në të kaluarën. Sot edhe mundësitë për të krijuar karrierë janë më të shumta se më parë. Studentët kanë mundësi të bëjnë edhe punë praktike në vende të huaja dhe të përfitojnë aftësi të shumta që do t’u nevojiten për të zhvilluar karrierën e tyre.

Sot dituria është kudo. Sot sfida është për të bërë studime kualitative dhe mirë të strukturuara. Sepse kur ka shumë qasje në informata, jo të gjitha janë të sakta dhe të dobishme. Kur ka shumë opsione sfida është të gjendet zgjidhja më e mirë.

Pranë një morie të tillë informatash dhe opsionesh është mëkat të mbetemi të paditur. Është mëkat të mbetemi si do të kishte thënë Fan Noli: “anës dijes, i panxënë”.

Është kohë e mirë për të studiuar. Sepse dituria ka një fillim por nuk ka fund dhe arrin gjithmonë të të mahnisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button