RMV, si deri te shërbimet më efikase të administratës?

Një nga elementët e një administrate të mirë, të reformuar të pranuar nga OECD dhe BE është edhe çështja e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe personave juridikë, biznesit, gjegjësisht ndërtimi i një administrate që synon nevojat e qytetarëve, e cila do të ofrojë shërbime lehtësisht të qasshme. Kjo, ndër të tjera, theksohet në Raportin e “Metamorfozis” për reformat në administratën publike, me titull: “Administrimi” me administratën – parakusht kyç për reformat, në të cilin shqyrtohet gjendja e procesit të reformës nga viti 2021, deri më 31 mars 2022, shkruan Vërtetmatësi.

Sipas shumicës së analizave dhe raporteve në lidhje me këtë fushë të reformimit të administratës, gjërat ndryshojnë shumë nga viti 2017 dhe është bërë progres. Por ky progres ka të bëjë më shumë me ligjet kyçe që janë të nevojshme për ofrimin e shërbimeve, por jo në shumicën e fushave të shërbimeve të ofruara nga administrata. Në vitin 2019, nga Kuvendi i RMV-së u miratuan rregulloret kryesore ligjore – Ligji për Regjistrin Qendror të Popullsisë, Ligji për Menaxhimin Elektronik dhe Shërbimet Elektronike dhe Ligji për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale. Por, për të zbatuar vertikalisht në mënyrë më efikase ofrimin e shërbimeve, që shpesh nënkupton shërbime dixhitale që ofron nga administrata, duhet të ndryshohen dhe sinkronizohen qindra ligje. Qeveria ka arritur në një konkluzion të tillë për harmonizimin e 150 ligjeve në fusha të ndryshme në mars 2021, dhe një grup i posaçëm pune i koordinuar nga kryeministria është duke punuar për të, ndërsa mbi 200 ligje janë përmendur në forume të ndryshme që diskutojnë këtë çështje, për shembull reforma në drejtësi.

Hulumtimi ynë tregon se në korrik dhe gusht 2021 Qeveria ka debatuar për këtë çështje. Fillimisht, kryeministri dhe zëvendëskryeministri morën pjesë në një takim me grupin punues për përgatitjen e amendamenteve të ligjeve për dixhitalizimin e proceseve, duke nënvizuar vendosmërinë e Qeverisë për ta shtyrë këtë proces si prioritet me synimin përfundimtar administratë moderne dixhitale, e cila do të ofrojë shërbime të tilla për qytetarët dhe biznesin dhe disa javë më vonë në një seancë të qeverisë sipas informacioneve të zv.kryeministrit, u konkludua që deri në fund të gushtit të gjitha ligjet e nevojshme për procesin e dixhitalizimit të ndryshohen dhe harmonizohen dhe të dorëzohen në Kuvend.

Se sa nga kjo është arritur mbetet e paqartë, duke qenë se ka pasur pasivitet për shkak të fushatave zgjedhore për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, më pas bisedimet për një shumicë të re qeveritare, më pas qeveria e re, e kështu me radhë. Megjithatë, është fakt se administrata moderne dhe shërbimet e dixhitalizuara që synojnë qytetarin janë pjesë e Programit të Qeverisë së re për periudhën 2022-2024 dhe është ende prioritet i Qeverisë i përfshirë në listën e prioriteteve të përgjithshme strategjike që janë të barabarta për nga rëndësia dhe prioritet strategjik për vitin 2022. Megjithatë, se po punohet në harmonizimin e ligjeve, tregojnë disa ndryshime të tilla që janë propozuar dhe miratuar nga Kuvendi deri në fund të vitit të kaluar në fushën e punës dhe mbrojtjes sociale, dhe një hap i madh ligjor do të bëhet me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjendjen Civile, i cili nga nëntori i vitit 2021 është vendosur për debat publik dhe ndryshimet e të cilit janë pikërisht nga aspekti i evidencës elektronike dhe identifikimit, për procedurat që kanë të bëjnë me evidencën personale të qytetarëve. Gjithashtu, konfirmim ka edhe nga një prej ekspertëve të fokus grupit, i cili ka renditur disa ligje që janë ndryshuar pikërisht në drejtim të dixhitalizimit të shërbimeve, duke përmendur Ligjin për të Drejtat Sociale, Ligjin për të Drejtat e Fëmijëve, Ligjin për Kujdesin Shëndetësor në fusha e dhënies me koncesion për kujdesin parësor shëndetësor, ligjet për arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë, aktet nënligjore për dhënien e bursave etj.

Por, vitin e kaluar sektori i shoqërisë civile analizoi legjislacionin që është vendimtar për dixhitalizimin e shërbimeve dhe konstatoi mospërputhje në disa nga ligjet bazë, si dhe mungesën e ndryshimeve ligjore në disa ligje kyçe të institucioneve që duhet të ofrojnë shërbime, siç janë ligjet për dokumentet personale dhe të udhëtimit. Në analizën e përgatitur nga Instituti i Shkencave Sociale dhe Humane nga Shkupi, është bërë një rishikim mjaft kritik pas shqyrtimit të tri ligjeve bazë (ato të vitit 2019), të cilat janë të rëndësishme për dixhitalizimin e shërbimeve dhe përputhshmërinë e tyre me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative:

“Përpjekja për digjitalizimi e udhëheqjes së librave amë para miratimit të ligjeve për digjitalizim nga viti 2019 është për t’u përshëndetur. Realizimi, nga ana tjetër, është objekt i analizës kritike, e cila tregon preferencë për inercinë nga epoka paradixhitale, filozofia e administrimit e trashëguar nga epoka e të ashtuquajturës shtet i robëruar (i tjetërsuar nga “njeriu i vogël”), pra inercia e aparatit publik autoritar dhe joefikas. Ne do t’i lejojmë vetes të ndajmë përshtypjen se në mënyrën se si përfytyrohen veprimet, kontradiktat e tyre dhe fakti që zgjidhja e kontradiktave i është lënë qytetarit të thjeshtë në vend të aparatit administrativ, shohim një lloj sadizmi të shtetit të fuqishëm përballë “qytetarit gjoja të korruptuar”. Qasja e ligjvënësit bazohet në të cilën edhe një lapsus i thjeshtë dhe lëshim teknik trajtohet si gjest kriminal në vend të injorancës, lapsus callami, të cilin shteti, nëse vendoset sipas parimeve të EPTP-së, duhet ta zgjidhë me vullnet të mirë dhe proaktivitet” – thuhet në hyrje të analizës.

Përveç kësaj, jepen edhe rekomandime se si duhet të jenë ndryshimet në ligjet për dokumentet personale dhe ato të udhëtimit:

“Ligjet e posaçme për dokumentet personale, duke përfshirë certifikatat, duhet t’i nënshtrohen sa më shumë që të jetë e mundur tre ligjeve për administrimin dixhital, në frymën e procedurës efikase dhe të lirë, që është parim themelor i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), si dhe të Kartës Evropiane të të Drejtave Themelore në seksionin që shpjegon të drejtën për administrim të mirë. Vërejtje të ngjashme kemi edhe për ligjet e tjera për dokumentet personale të përpunuara në këtë studim, si dhe dokumentet shoqëruese strategjike për dixhitalizimin, të cilat do t’i përmbledhim në konkluzione dhe rekomandime”.

Njëri nga ekspertët e fokus grupit vlerësoi se tre ligjet kryesore janë përgjithësisht të mira dhe se duhet të bëhen vetëm rregullime të vogla në disa pjesë të ligjeve, duke vënë theksin tek Ligji për Dokumentet Elektronike, Identifikimi Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale.

Edhe në raportin e SIGMA të nëntorit 2021, theksohet situata e ndryshme nga viti 2017, se në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor kjo situatë është pak mbi mesataren në RMV, por që në ndryshimet në praktikë, pra në zbatim, ka rezultate të ndryshme:

“Përmirësimi i politikave në këtë fushë shoqërohet me rezultate të përziera në zbatimin e tij. Ka pasur zhvillime të rëndësishme që kanë pasur një ndikim të madh në ofrimin e shërbimeve publike, si krijimi i Regjistrit Qendror të Popullsisë, Platforma e ndërveprueshmërisë dhe Portali kombëtar i shërbimeve elektronike. Megjithatë, nga analiza e një kampioni të shërbimeve rezulton se vetëm depozitimi dhe pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale është përmirësuar dukshëm me futjen e sistemit të ri elektronik të tatimit personal në vitin 2018, duke përfshirë deklaratat tatimore të para-plotësuara të përgatitura nga DAP për të gjithë tatimpaguesit. Në rastin e shërbimeve të tjera nuk ka zhvillim më të madh se në vitin 2017. Për shembull, për rinovimin e një dokumenti identifikimi nuk ka mundësi të dorëzohet formular elektronik”, thuhet në raportin e monitorimit të nëntorit 2021.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button