fbpx

Çair, edhe një ndërtim i ri pa leje

Në Çairin e mbipopulluar dhe të mbingarkuar me objekte betoni e gjelbërim në zhdukje, së fundmi ka filluar të ndërtohet edhe një ndërtesë nëntë-katëshe. Investitori në fjalë nuk ka marrë leje nga Komuna e Çairit për ndërtimin në fjalë. Nga kjo komunë thanë se, leja për ndërtim dhe komunalet paguhen në Qytetin e Shkupit. Por, nga Qyteti i Shkupit thonë se nuk janë kompetent për të dhënë leje ndërtimi dhe se kjo është nën kompetencë të komunave. Madje, nga ky institucion konfirmuan se investitori deri në këto momente nuk ka paguar taksat komunale dhe me këtë, nuk kanë dhënë vërtetim që ai të mund të nxjerrë leje për ndërtim, transmeton KlanMacedonia.

“Në parim procedura është si në vijim; Investitori paguan në Qytetin e Shkupit taksat komunale dhe me atë vërtetim shkon në komunë për t’i dhënë leje. Siç jam informuar për rastin, përllogaritja është përgatitur nga ana jonë por, taksat komunale nuk janë paguar nga ana e investitorit”,  thanë nga Qyteti i Shkupit.

Klan M tentoi të kontaktojë edhe kryetarin e komunës, Visar Ganiu për ta pyetur nëse është dhënë leja për ndërtim, por ai tha se nuk kohë të përgjigjet sot, pasi është në një panel debat.

Përpos që ndërtimi ka filluar pa leje, një shqetësim tjetër për qytetarët është se objekti në fjalë po ndërtohet në parcelën që ndodhet afër xhamisë në Çairit.

Të pyetur në lidhje me këtë nga komuna thanë se ka qenë e paraparë në Planin Detal Urbanistik dhe nuk mund të ndryshohet.

“Plani detal urbanistik është miratuar me vendim të Këshillit komunal me numër 08-2199/14 në datë 14.12.2021 dhe i njëjti vlen për 5 vitet e ardhshme. Parcela ndërtimore është 100% pronë e investitorit dhe i njëjti është pronar i objektit. I gjithë procesi është në përputhshmëri të plotë me dispozitat ligjore, gjegjësisht Ligjin për Planifikim Urbanistik, çdo pengesë dhe ndryshim i planit vendos Komunën e Çairit në pozitë ku mund të penalizohet nga investitori”, –thanë nga Komuna e Çairit.

Nga komuna thanë se në bazë të anketës publike të realizuar nga komuna, para se të miratohet Plani detal urbanistik aktual, nuk kanë hasur në asnjë ankesë qytetare mbi parcelën në fjalë.

Megjithatë, situata në terren thotë ndryshe.

“Mendoj se xhemati nuk kanë reaguar kërkush. Komuna e Çairit katastrofë e ka bë këtë. Unë, thash unë, nuk jam politikan, nuk jam kërkush, Komuna e Çairit nuk është dash me ia dhënë lejen me e ndreq këtë afër xhamisë. Ndërtesë dhjetë katëshe, 11 katëshe ose tetëshe, është katastrofë në themel të xhamisë”, tha një qytetar.

“Turp më i madh nuk është bërë deri më tani në Komunën e Çairit. Ky është kapaku i të gjitha turpeve! Një objekt i këtillë fetar, në një mjedis të këtillë, kush e ka bërë objekti Zoti i dhashtë gjithçka. Megjithatë, një besimtar të bëjë diçka të tillë, të dalë e të mbyll një objekt të këtillë të bukur, dëgjojë ndërtesa do të bëhet 10-11 katëshe, ky është turp për të gjitha kohërat, e aq më shumë për një besimtar, nëse është besimtar, por nuk besoj se është”, tha një qytetar.

Qytetarët thonë se parcela mund të shfrytëzohej për të ndërtuar diçka tjetër, në shërbim të komunitetit.

“Përgjithësi në Çair kështu është gjendja, kush ku të mbërrijë vetëm ndërton, vetëm rrënon, vetëm prish. Për shembull, mund të bëhet një park i bukur këtu, gjelbërim bukur. Plus, kur të ndërtohet ndërtesa, pikë së pari nuk ka vend parkim, këtu do të jetë kaos. Tani është shumë keq e lëre më pastaj”, tha një qytetar.

Sipas komunës, anketa publike ka zgjatur 15 ditë dhe ka qenë e shpallur në dy gazeta formale, si dhe njoftimi ka qëndruar në tabelën për shpallje në objektin e komunës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button