Dendias nga Shkupi: RMV-ja të fillojë menjëherë negociatat me BE-në

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, në kuadër të vizitave të tij në Ballkanin Perëndimor, sot pasdite vizitoi Shkupin, ku në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm Bujar Osmanin, dërgoi një mesazh të qartë se Greqia është e mendimit se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të nisin menjëherë negociatat me BE-në, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Jashtëm grek theksoi se Greqia dëshiron dhe punon shumë për të siguruar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Greqia beson se e vetmja mënyrë për të arritur këto synime është mbështetja e qartë dhe e plotë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi besim dhe besojmë thellë se negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë menjëherë. Ky është mesazhi që ne po u përcjellim aleatëve tanë evropianë gjatë gjithë kohës.” tha Dendias.

Ministri Osmani foli edhe për nevojën që vendi të fillojë negociatat, duke theksuar se kjo tashmë është çështje e sigurisë.

“Pushtimi rus i Ukrainës ka treguar se rajoni ka nevojë për investime shtesë në rezistencën ndaj kërcënimeve. Si aleatë të NATO-s ne kemi detyrimin të kujdesemi për stabilitetin rajonal dhe në këtë drejtim jam veçanërisht i kënaqur që kemi një qasje të koordinuar në interes të rajonit dhe Evropës. Në të njëjtën mënyrë, besoj se perspektiva evropiane e rajonit është një çështje me interes sigurie si për ne ashtu edhe për Evropën. Fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është mënyra më e mirë për të rikthyer besueshmërinë evropiane në rajon dhe në këtë drejtim jam veçanërisht i kënaqur që kemi mbështetjen e plotë të Greqisë”, tha Osmani.

Në konferencën për shtyp u theksua se shkëmbimi ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në vitin 2021 ka arritur pak më shumë se 930 milionë euro dhe nëse merren parasysh të dhënat nga tremujori i parë i këtij viti kur janë mbi 350 milionë euro, pritet që në vitin 2022 shifra do të kalojë një miliard euro. Dendias zbuloi gjithashtu se një kompani e madhe greke është e interesuar të investojë 200 milionë euro në një termocentral. Ministri Osmani theksoi se Greqia është partneri i katërt më i madh ekonomik i vendit.

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button