Vetëm një koncesioner i një hidrocentrali të vogël në Parkun Kombëtar Mali Sharr ka hequr dorë, të tjerët kërkojnë dëmshpërblim

Koncesionarët e katër prej shtatë hidrocentraleve të vegjël të planifikuar në Parkun Kombëtar Mali Sharr kanë kërkuar kompensim për mjetet e investuara për anulimin e ndërtimit. Vetëm një koncesionar i dy hidrocentraleve të vegjël në negociatat e deritanishme është tërhequr plotësisht dhe nuk kërkon dëmshpërblim. Në kuadër të parkut të ri kombëtar tashmë janë ndërtuar dhe vënë në funksion 11 hidrocentrale të vegjël dhe katër janë në ndërtim e sipër, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk zbulojnë shumat e kërkuara nga koncesionarët e këtyre objekteve energjetike, pasi Komisioni i përbërë nga anëtarë të ministrive të mjedisit, financave dhe ekonomisë akoma i shqyrton kërkesat dhe provat, ndërsa vazhdojnë edhe bisedimet me koncesionerët.

“Momentalisht jpo bisedohet me të gjithë koncesionarët e hidrocentraleve të vegjël që mbulohen nga neni 17 i Ligjit për shpalljen e një pjese të Malit Sharr zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë, park kombëtar për të cilin janë krijuar zona të përkohshme mbrojtëse. Bëhet fjalë për HC Pena 82, Ljubotenska 66, Vratnicka 67, HEC Belovishka 107, HEC Mazdraça, dhe HC Leshoçka 100 dhe 101”, njoftoi Ministria e mjedisit jetësor.

Prej tyre, koncesionari për Leshoçka 100 dhe 101 ka paraqitur deklaratë se tërhiqet nga investimet pa kërkuar asnjë dëmshpërblim, ndërsa koncesionarët për Pena 82, Ljubotenska 66, Vratniçka 67 dhe Belovishka 107 kanë paraqitur kërkesë për kthimin e mjeteve të investuara për realizimin e deritanishëm të kontratave.

Heqja e koncesioneve për këto objekte energjetike është kërkuar prej kohësh nga organizatat e shoqërisë civile ekologjike. Arsyet janë shkatërrimi i dukshëm i natyrës dhe dëmtimi i biodiversitetit dhe nga ana tjetër kontributi minimal në furnizimin me energji elektrike.

Gjorgji Mitrevski nga “Eko svest” thekson se ambientalistët presin t’i zbatojnë rekomandimet e Konventës së Bernës të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar.

“Pritet që rekomandimet e bëra nga Konventa e Bernës për Mbrojtjen e biodiversitetit, shteti që është nënshkrues i saj, t’i zbatojë përmes legjislacionit kombëtar. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Konventën nga momenti i miratimit të rekomandimeve e deri më tani, kështu që nuk ka asnjë aktivitet”, tha Mitrevski.

Konventa e Bernës vetëm disa muaj më parë rekomandoi që të mos ndërtohen hidrocentrale në zona të mbrojtura, as të vogla e as të mëdha. Gjithashtu është rekomanduar që këto objekte energjetike të mos ndërtohen fare askund jashtë zonave të mbrojtura, nëse ndërtimi i tyre ka ndikim në zonat e mbrojtura. Kjo, mendon Mitrevski, tregon qartë se të gjitha objektet e planifikuara në parqet kombëtare nuk guxojnë të ndërtohen, por ato jashtë duhet të rishikohen.

“Fillimi i procesit të shpalljes së Malit Sharr Park Kombëtar është para mbi pesëmbëdhjetë vjetësh dhe koncesionet janë dhënë vite më pas, edhe pse qëllimet për mbrojtjen e zonës diheshin. Tani jemi në një situatë ku shteti duhet të paguajë tarifa për zgjidhjen e kontratave. Njëkohësisht duhet të punohet për zgjidhjen e objekteve të pandërtuara, por edhe për zgjidhjen e atyre që ekzistojnë, a do të pushojnë së punuari sipas rekomandimeve? Sa do të jetë kompensimi që do të duhet të paguaj shteti, a do të kërkojnë koncesionarët fitime të supozuara dhe a do të duhet të paguhen edhe nga xhepat e qytetarëve?”, pyeti Mitrevski.

Vendimi përfundimtar për kompensimin e koncesionarëve, thonë nga Ministria e mjedisit jetësor, do të duhet të merret nga Qeveria.

“Pas shqyrtimit të të gjitha kërkesave dhe përcaktimit të sasisë së fondeve të investuara për çdo impiant individual, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do t’i dorëzojë Qeverisë informacion me propozim për lidhjen e marrëveshjes për përfundimin e marrëveshjes koncesionare e cila do të përcaktojë dhe shumën e kompensimin dhe afatin e pagesës”, informuan nga Ministria.

Ata theksojnë se në të ardhmen, në përputhje me Strategjinë për Zhvillimin e Energjisë deri në vitin 2040, ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël duhet të rivlerësohet me kujdes përsa i përket ndikimeve në mjedisin jetësor, në krahasim me përfitimet e energjisë së prodhuar elektrike. Nga atje thonë se që nga miratimi i Strategjisë, Qeveria nuk ka miratuar, as Ministria nuk ka propozuar dhënien e koncesionit për shfrytëzimin e ujit në ndonjë zonë, pavarësisht nëse është e mbrojtur apo jo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button