Ministritë e lashta të mjedisit 

Nismat për mbrojtjen e mjedisit datojnë që në kohërat e lashta, atëherë kur bota nuk rrezikohej nga ngrohja globale, kur natyra ishte e pastër dhe e virgjër, kur lumenjtë ishin të kulluar, kurse njerëzit nuk thithnin helme, sepse nuk kishte industri e as megapolise frymëzënëse.

Shumëkush mund të çuditet dhe të mendojë se autori i këtij teksti shkruan tregim kur thotë se që në lashtësi ka pasur ministri të mjedisit. Këtë nuk e pranon shkenca. Nëpër libra historie nuk përmenden ministri të këtilla. Nëse kjo do të shënohej në ndonjë libër atëherë, me gjasë, ekspertët do të reagonin për pasaktësi ose lajthitje. Por, për ministritë e lashta flasin mitet si rrëfime simbolike nga një e kaluar e largët (shpesh të kohës fillestare).

Ata që merren me mbrojtjen e mjedisit, besojnë gabimisht se nismat ekologjike janë të vonshme, por zgjimi i njeriut për ta mbrojtur mjedisin ka ndodhur para shumë mijëvjeçarëve. Për këtë shkak, më duket interesante qasja e kontestuar mbi historinë, ajo postmoderniste, e cila nuk e pranon se historia është proces drejtvizor e progresiv, pra se faza pasuese e njerëzimit është më e përparuar dhe më e zhvilluar se faza paraardhëse.

Në Greqinë e lashtë kishte një qeveri qiellore që udhëhiqej nga kryeministri Zeus. Në atë qeveri kishte ministra dhe ministre që merreshin me çështjet e mjedisit jetësor. Artemida ishte ministre e gjuetisë, kafshëve dhe pjellorisë. Demetra ishte ministre e dheut, luleve, bimëve, bujqësisë dhe e ushqimit. Mbrojtësit e mjedisit shfaqen edhe në mitologjinë tonë. Bindi ilir ishte ministër i burimeve ujore dhe i detit. Ministrja Thana, së bashku me burrin, ministrin Vidasus, i mbronin pyjet, fushat dhe burimet. Nimfat e mitologjisë sonë, që quheshin Jashtësmet, të krahasuara me driadat romake, i mbronin pyjet dhe malet. Edhe pse ishin egoiste dhe të egra, ato i mbronin njerëzit që kujdeseshin për pyjet.

Tek e sipërthëna kam bërë ndërhyrje. Fjalën hyjni supreme e kam zëvendësuar me kryeministër dhe fjalët hyjni e hyjnesha me ministër dhe ministre. Gjithçka tjetër vjen nga koha e lashtë.

Mitet dëshmojnë se njeriu kishte respekt dhe kujdes për natyrën. Njeriu nuk e shihte veten të shkëputur prej saj. Njeriu u shkëput nga natyra kur u bë pjesë e qytetërimit, ashtu siç ndodhi me Enkidunë tek Epi i Gilgameshit. Enkidu, pasi mëkatoi me gruan, u bë pjesë e qytetërimit, por më vonë e kuptoi aty kishte më shumë egërsi se në male. Enkidu nuk arriti të rikthehej në gjirin e natyrës. Vdiq i dëshpëruar.

Qytetërimi ynë, që ka shënuar përparime të shumta teknike e teknologjike, e dëmton natyrën si asnjëherë më parë. Dhe sërish mburremi se jemi më të avancuar se ata që e mbrojtën natyrën edhe kur ajo nuk rrezikohej. Atëherë njeriu e donte natyrën. E mbronte atë. Natyra për të ishte diçka sakrale. Sot vetëm bëjmë kinse e duam natyrën, por, në fakt, jemi armiqtë më të mëdhenj të saj. Njëkohësisht, jemi armiq të vetvetes, të mbarë njerëzimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button