Shefi i diplomacisë greke Dendias sot do të vizitojë Shkupin

Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, zhvillimet në Ballkan, Mesdheu Lindor dhe situata në Ukrainë, sipas ministrisë së Jashtme greke, pritet të jenë temat mbi të cilat do të bisedojë Nikos Dendias me nikoqirët e tij në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Shefi i diplomacisë greke, sot do të zhvillojë vizitë njëditore në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, pas çka do të ketë deklarata për media, më pas do të pritet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa do të marrë pjesë në darkë pune të organizuar nga Osmani dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq.

“Është paraparë, që Ministrat të diskutojnë për integrimet evropiane, marrëdhëniet bilaterale, në këtë kontekst për progresin në zhvillimin e partneritetit strategjik, zhvillimet në rajon, veçanërisht në aspekt të proceseve të tija integruese, për zhvillimet në botë, si dhe angazhimet dhe aktivitetet e zbatuara në përputhje me Marrëveshjen e Prespës dhe përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara në përputhje me Planin Aksionar për Bashkëpunim dhe Zbatim të Marrëveshjes së Prespës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Maqedonisë.

Nga ana tjetër, nga ministria e jashtme greke, thanë se bisedimet pritet të fokusohen në zbatimin e plotë, të qëndrueshëm dhe me qëllim të mirë të Marrëveshjes së Prespës, në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, duke përfshirë ekonominë, tregtinë dhe energjinë, si dhe për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Në mënyrë shtesë, bisedimet pritet të përfshijnë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe Mesdheun Lindor, si dhe situatën në Ukrainë pas pushtimit rus”, njoftoi Ministria e Jashtme greke.

Gjithashtu, kujtojnë se Dendias ka qenë në Shkup në nëntor 2019 dhe gusht 2021, ndërsa kolegu i tij Bujar Osmani ka vizituar Athinën në janar 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button