KOS-i pranoi dhe njohu autoqefalinë e KOM-KO, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes 55-vjeçare midis dy kishave

Kisha Ortodokse serbe ka pranuar dhe njohur autoqefalinë e Kishës ortodokse maqedonase – kryepeshkopatës së Ohrit (KOM-KO), duke i dhënë kështu fund mosmarrëveshjeve 55 vjeçare midis dy kishave. Këtë e njoftoi patriarku serb Porfiri nga Kisha “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Tani vëllezër e motra, kur erdhëm këtu, ju sjellim një gëzim tjetër. Sinodi i ipeshkvijve të KOS-it njëzëri iu përgjigj kërkesës së KOM-KO dhe Kuvendi i kishës sonë bekon, miraton, pranon dhe njeh autoqefalinë. Vëllezër dhe motra, në të njëjtën kohë, Sinodi i Shenjtë i kishës sonë vihet në detyrë të Sinodit, së bashku me Kryepeshkopin Stefan dhe Sinodin e tij për të përpunuar të gjitha detajet tekniko-organizative dhe do të pasohet nga shpallja zyrtare e një akti zyrtar, ndërsa më pas do të njoftohen të gjitha kishat ortodokse vendore dhe do të thirren të pranojnë statusin autoqefal të KOM-KO-së”, tha patriarku Porfirj.

Jemi të sigurt, tha ai, se të gjitha kishat e tjera ortodokse do ta pranojnë këtë lajm dhe se do të gëzohen.

Lajmin e mirë ai e kumtoi pas shërbesës së liturgjisë së përbashkët me Kryepeshkopin e Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefan.

Shpallja e vendimit të Kuvendit të KOS-it u pasua me duartrokitje të gjata dhe të forta nga besimtarët që ndodheshin brenda dhe rreth Katedrales “Shën Klimenti i Ohrit”.

Kontesti i KOM-KO dhe KOS-it daton që nga viti 1967, kur siç thotë hierarkia kishtare serbe ndër vite, ndodh përçarje me shpalljen e autoqefalisë së kishës së KOM-it. Përpjekje për zgjidhje të problemit kishte në fillim të këtij mileniumi, kur u nënshkrua Marrëveshja e Nishit – KOM të kthehet në gjendjen e autonomisë, a më pas të bëhet autoqefale. Pasi që nën trysni të opinionit KOM u tërhoq nga marrëveshja, KOS i ftoi klerikët dhe besimtarët në Maqedonia që të kthehen në unitetin kanonin me KOS-in, të cilës i janë përgjigjur ipeshkvi i atëhershëm i KOM-it, Jovan Vranishkovski dhe disa murgj dhe besimtarë, pas së cilës është themeluar Kryepeshkopata Ortodokse e Ohrit.

Rruga deri te autoqefaliteti i plotë që do të ishte i pranishëm nga të gjitha kishat ortodokse në botë do të ishte dhënia e “Tomos-it” (dokument i lëshuar nga Kisha Ortodokse në Kostandinopojë) për autoqefali, që sipas sinjaleve nga Fanar, do të mund ta bëjë Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës nëse KOS qëndron fortë idesë që kisha maqedonase të bëhet autoqefale. KOS deri më tani insiston se ajo është kisha e cila mund të japë “Tomos” për autoqefali të “kishës maqedonase”.

Kisha Ortodokse Ruse (KOR), e cila për disa çështje të mëdha kishtare është diametralisht kundër me Patrikanën Ekumenike të Kostandinopojës, menjëherë pas vendimit të Fanar njoftoi se nuk e pranon vendimin e Patrikanës Ekumenike dhe se i pranon vetëm të drejtat kanonike të KOS në Maqedoninë e Veriut. Kontesti mes dy patriarkëve është thelluar para disa viteve, kur Patrikana Ekumenike e pranoi Kishën Ortodokse Ukrainase (KOU), e cila me dekada e ka pasur kontestin e njëjtë me KOR-in, ashtu siç KOM-i me KOS-in.

Edhe pse me këtë akt statusi dhe emri përfundimtar ende nuk janë zgjidhur, hapi më i rëndësishëm dhe më i madh ka përfunduar. Tani kisha jonë ortodokse është në bashkësi me të gjitha kishat ortodokse dhe kjo ditë është një ditë historike pas 7 dekadash izolimi total.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button