Kovaçevski – Petkov: Nuk ka progres, të vazhdojë dialogu për zgjidhje të bazuar në vlerat evropiane

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në margjinat e vizitës së tij në Vatikan dhe Romë me rastin e 24 majit – Ditës së vëllezërve Kirili dhe Metodi, u takua me kryeministrin e Bullgarisë Kiril Petkov. Të dy kryeministrat deklaruan se nuk shohin të ketë pasur ndonjë progres, por janë optimistë pasi bisedimet vazhdojnë ende, transmeton Portalb.mk.

Në takimin ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov patën bisedë konstruktive jo vetëm për çështjet e hapura politike, por edhe për krizën ekonomike me të cilën ballafaqohet bota. U theksua se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka qëllim të qartë që ka të bëjë me përballjen me krizën, mbrojtjen e standardit të kategorive më të cenueshme të qytetarëve, mbështetjen e kompanive për likuiditet dhe sigurimin e investimeve adekuate që do të nxisin rritjen ekonomike.

Në takim, kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov u njoftuan nga ministrat resorë për bisedimet në nivel ministror, ​​për të cilat u pajtuan se duhet të vazhdojnë në mënyrë që të arrihet një dokument që do të ishte i pranueshëm për të dyja vendet dhe do të mund të ishte bazë për një zgjidhje që mund të ndahej me institucionet në të dy vendet. Takimi u përdor edhe për bisedë lidhur me nevojën e vazhdimit të dialogut për zhbllokimin e procesit të hapjes së negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Në bisedën me kryeministrin Petkov, kryeministri Kovaçevski theksoi se përfitimi më i madh për të dyja vendet është zhbllokimi i procesit të anëtarësimit me zgjidhje të bazuara në vlerat evropiane të mbështetura dhe të pranuara nga të dyja palët duke respektuar dinjitetin e qytetarëve.

Pas takimit Kovaçevski tha se nuk mund të deklarojë se ka progres, por se bisedimet vazhdojnë.

“Në këtë moment nuk mund të them për atë nëse ka progres në lidhje me arritjen e dokumentit të përbashkët të pranueshëm me Bullgarinë, por bisedimet vazhdojnë në mes ekipeve të ekspertëve të Ministrive për Punë të Jashtme dhe menjëherë sapo të ketë progres të caktuar kjo do të kumtohet në nivel të ministrave”, deklaroi Kovaçevski pas takimit me homologun e tij bullgar Kirill Petkov në Romë.

Nga ana tjetër, Petkov në një deklaratë për mediat bullgare pas takimit me Kovaçevskin përsëriti se nevojitet të thirret Këshilli konsultativ bullgar për siguri kombëtare në të cilin do të bisedohej për tërë atë që deri më tani e kanë bërë qeveritë e dy vendeve.

“Nuk u obliguam në kurrfarë afate, gjëja e vetme në çka jemi obliguar është që ta mbajmë ritmin e mirë, ndërsa ministritë e punëve të jashtme të vazhdojnë të punojnë. Premtuam se do ta mbajmë ritmin konstruktiv. Presim në javët dhe muajt e ardhshëm disa grupe të ndryshme të cilat nuk duan fqinjësi të mirë midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut të tentojnë të shkaktojnë provokime”, deklaroi Petkov.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button