FILOZOFIA E ARSIMIT

“Filozofia e arsimit është filozofi e jetës.”

John Dewey

Filozofia e arsimit nënkupton studimin filozofik të arsimit, të procesit dhe disiplinës arsimore. Si degë e filozofisë praktike apo të aplikuar (ku bëjnë pjesë edhe filozofia e së drejtës, mjekësisë, e shkencës), analizon natyrën, qëllimet e arsimit, problemet filozofike që burojnë nga teoria dhe praktika arsimore. Ajo  merret me idealet e arsimit, me mësimdhënien, me çështjen dhe kriteret e evaluimit, institucionet, autoritetin e  shtetit dhe të mësimdhënsve, me të drejtat e nxënësve/studentëve dhe prindërve, me indoktrinimin, nxënien dhe plan-programin e të tjera. (Archambault, 2010)

Nel Noddings (1929-) është një filozofe dhe mësimdhënëse amerikane me karrierë nga universitetet Stanford, Columbia dhe Colgate, që analizon konceptet dhe pyetjet bazë të arsimit, që zbërthen qëllimet, format, metodat dhe kuptimet e arsimit,  që shtron një sërë pyetjesh ekzistenciale që duhet të shqyrtohen si nga nxënësit ashtu edhe nga mësimdhënësit. (Coleman et.al, 2018) Ajo e sjell etikën e filozofisë së përkujdesjes në teorinë arsimore, duke theksuar nevojën për të mbështetur fëmijët, të moshuarit, kafshët dhe mjedisin. Noddingsi  është autore e shumë veprave, ndër to edhe: Caring: A Feminine Approach to Ethics and Moral Education (Përkujdesja: Një qasje femërore ndaj etikës dhe arsimimit moral,1984), Women and Evil (Gratë dhe e keqja, 1989), Educating for Intelligent Belief or Unbelief (Të edukosh për besim ose mobesim inteligjent 1993), Critical Lessons: What our Schools Should Teach (Leksione kritike: Çka duhet të mësojnë shkollat tona, 2006), When School Reform Goes Wrong (Kur reforma shkollore shkon gabim, 2007), Education and Democracy in the 21st Century (Arsimi dhe demokracia në shekullin XXI, 2013) etj.

Ajo mban edhe firmën e veprës Filozofi e arsimit (1995), që analizon një spektrum të gjerë të problemeve në arsimin bashkëkohor. (Verharen, 2011) Ky libër, i përkthyer edhe në gjuhën kineze, japoneze, koreane, norvegjeze, portugeze dhe hebraike, tani edhe shqip, nga revista “Teaching Philosophy” dhe si libër standard për filozofinë e arsimit nga “Educational Theory” është vlerësuar si “pasqyra më e mirë në këtë fushë”. Ky doracak për mësimdhënësit praktikë, i mbështet arsimtarët e brezit të ardhshëm të kualifikuar, të përkushtuar. I njëjti në këtë format përfshin edhe një kapitull plotësisht të ri mbi problemin e reformoës shkollore, të barazisë, llogaridhënies, standardeve dhe testimit.

Sipas Noddingsit, pedagogët ose edukatorët duhet të punojnë për të prodhuar njerëz me karakter të admirueshëm (Noddings, 2008), të vetë-aktualizuar dhe të dobishëm për shtetin. Ajo diskuton çështjen e gjërave që fëmijët duhet t’i mësojnë me qëllim që të marrin pjesë në mënyrë inteligjente në demokraci. Sipas saj, shkollat nuk duhet t’i përgatisin nxënësit vetëm duke derdhur në ta vlerat dhe dijen specifike të kulturës; ato duhet t’i inkurajojnë për komunikim, hetim, dhe ndërtim të vlerave dhe njohurive të përbashkëta. Nxënësit duhet të pajisen me shkathtësi praktike jetike dhe të jenë të aftë të bëjnë zgjedhje të mirë-informuara. (Noddings, 2002) Duhet të shndërrohen në pjesëmarrës publikë të dijshëm. Arsimi duhet “t’i çlirojë” mendjet, të ndërtojë një qytetarì sipas modelit funksionalist, të aftë për veprim autonom. Qëllimi kryesor i arsimit është prodhimi i njerëzve kompetentë, përkujdesës, dashurues dhe të dashurueshëm” (Noddings, 1992) Autorja e kritikon “totalizimin”, detyrimin e të gjithë fëmijëve në të njëjtin kurs studimi që i asimilon të gjithë fëmijët sipas modelit të një elite të krijuar nga kriteret e ndërtuara nga një grup ekskluziv, segment ky që duhet zëvendësuar me kurikulat e dizajnuara në mënyrë johierarkike.  Sipas saj pjesëmarrësit në arsim kanë qëllime të ndryshme, prirje të ndryshme, personalitete të ndryshme dhe prejardhje të ndryshme. Andaj, “ekzistojnë arsye të mira për të testuar dhe ndarë fëmijët sipas aftësive të tyre”, sikur që është i rëndësishëm edhe “mësimi me shokët/shoqet me kapacitete të ndryshme të nxënies”. (MSU, 2021) Nxënësve duhet mësuar jo vetëm përmbajtjen e disiplinave por edhe epistemologjinë e tyre. Noddingsi rëndësi i kushton edhe skepticizmit reflektues, shkëmbimit kritik, njohjes së vetes dhe shmangies së qëndrimeve egocentrike dhe sociocentrike, zbatimit të argumenteve për problemet e përditshme. Edukimi moral është një temë tjetër që rrihet në këtë vepër. Të gjitha mësimet duhet të kenë një pikë morale, si dhe atë njohëse. “Pa një zotim moral ndaj së vërtetës, shkenca dhe çdo fushë tjetër e dijes shkon keq” – shprehet Noddings.

Kapitulli i parë i kësaj vepre merret me filozofët që kanë komentuar ose ndikuar arsimin, përfshirë Sokratin, Platonin, Aristotelin, Rousseauin, Pestallozin, Herbartin dhe Froebelin. Më pas, një kapitull të tërë i përkushtohet filozofit më me ndikim të shekullit XX, John Deweyit. Katër kapitujt në vazhdim eksplorojnë traditat e ndryshme filozofike dhe ndikimin e tyre në arsim, përfshirë edhe filozofinë analitike, logjikën dhe mendimin kritik etj. Gjysma tjetër e librit merret me ndërveprimin e këtyre traditave filozofike me shkencat shoqërore dhe kërkimin arsimor, me filozofinë sociale dhe politike, reformat shkollore, multikulturalizmin, kozmpolitizimin dhe feminizmin. (Dohrer, 2021)

Besojmë që kjo vepër, do t’u hyjë në punë shumë kategorive të lexuesve, në veçanti atyre që merren me filozofi e pedagogji, botës akademike, nga mësimdhënësit universitarë deri te studentët. Bashkë me veprat Filozofi e fesë (Aydın), Filozofi e orientalizmit (Smajlloviq), që pritet të publikohen nga botuesi i njëjtë, Filozofi e arsimit përbën pjesë të triadës që e begaton ligjëratën filozofike të papërpunuar sa duhet ndër ne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button