Bojan Mariçiq: Propaganda antidemokratike nuk mund të zgjasë shumë, qytetarët janë të lodhur prej narrativeve destruktive

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për “Vërtetmatësi”,  ka folur për efektin e dezinformatave në kontekstin e invazionit rus mbi Ukrainë, si dhe për strategjitë që Republika e Maqedonisë së Veriut po i ndërmerr për t’i luftuar ato. Sipas tij, nga dezinformatat, nuk është e sulmuar vetëm shoqëria e Maqedonisë, por bëhet fjalë për një fenomen botëror. Ai ka shtuar se, në diskursin publik më së shpeshti janë rrëfimet se “Ukraina e sulmoi Rusinë”, “Perëndimi e provokoi luftën”, “Rusia sulmoi si përgjigje ndaj kërcënimeve të NATO-s” dhe dezinformata të ngjashme. Mariçiq beson se dezinformatat e tilla, megjithatë, nuk mund të bëjnë dëm shumë të madh politik, sepse qytetarët i njohin dhe nuk u besojnë atyre.

Zoti Mariçiq, cilat janë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për dezinformatat ruse lidhur me luftën në Ukrainë? A konsiderohen pengesë serioze në marrëdhëniet mes dy vendeve, a pengojnë dhe sa, në përmbushjen e detyrimeve tona si anëtare e NATO-s, a janë intensifikuar ato pas dëbimit të diplomatëve rusë nga vendi dhe në përgjithësi, si i sheh Qeveria dezinformatat ruse në momentin aktual politik?

-Me dezinformata nuk merret vetëm shoqëria në Maqedoni, por e gjithë bota, sepse ato janë problem global dhe asnjë shoqëri nuk është imune ndaj tyre. Bota demokratike është nën sulm të vazhdueshëm nga qendrat nëntokësore të propagandës që synojnë të fusin frikë dhe pasiguri te popullata, të minojnë demokracitë dhe, në mënyrë të pandershme, manipuluese, në dëm të interesit publik dhe mirëqenies së qytetarëve, të përhapin ndikim mbi palë të treta. Këto qendra ndikimi dhe pushteti nuk arrijnë të fitojnë mbështetjen e shumicës së qytetarëve nëpërmjet garës demokratike të koncepteve dhe ideve. Qeveria e ka kundërshtuar me vendosmëri dezinformatat dhe po krijon vazhdimisht partneritete në këtë betejë globale, me NATO-n, Facebook-un dhe Google-in, shërbimet e pavarura për verifikim të fakteve, me institucionet vendase, organizatat mediatike dhe median. Përballet me dezinformatat në baza ditore, nëpërmjet sistemit të vet të krijuar për komunikime në krizë, i krijuar me mbështetjen e qeverisë britanike. Është sistem nëpërmjet të cilit brenda një kohë shumë të shkurtër kontrollohet çdo lajm shumë i dyshimtë dhe nëse është i rremë, përcaktohen menjëherë mënyrat dhe kanalet e reagimit, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. Kemi filluar edhe aplikimin e  transparencës aktive të institucioneve në mënyrë që informacioni i saktë të jetë vazhdimisht në dispozicion dhe i dukshëm për publikun, me çka zvogëlohet hapësira e manovrimit të atyre që përhapin dezinformata. Në pjesën e legjislacionit dhe ndëshkimit, zgjidhja e dyshimeve për vepra penalë që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes do të dërgojë gjithashtu një mesazh serioz për dezinformatorët. Plani i Qeverisë për përballjen me dezinformatat është i gjerë, gjithëpërfshirës dhe i hapur, kurse për suksese të reja është e nevojshme të përfshihen sa më shumë aleatë dhe përkrahës të fakteve të sakta, në paraqitjen publike dhe të hapur të argumenteve.

Çilat narrativa dhe dezinformata, që burojnë nga Rusia apo media të afërta me Kremlinin, i vëreni më së shpesh në diskursin publik? A i konsideroni të rrezikshme dhe me kapacitet të madh për të shkaktuar dëme politike në vend?

Narrativat si “Ukraina sulmoi Rusinë”, “Perëndimi e provokoi luftën”, “Rusia sulmoi si përgjigje të kërcënimeve të NATO-s”, “Putini brenda një dite e pushtoi Kievin”, “Amerikanët dhe britanikët duan luftë me çdo kusht”, si dhe dezinformatat që u përhapën nëpër botë erdhën edhe tek ne, ndërsa të njëjtën kohë mbështetja për Rusinë u nxit nga grupe të caktuara pro-ruse, të cilat vepronin dhe veprojnë kryesisht nëpërmjet grupeve dhe faqeve në Facebook. Qeveria përballet me përhapjen e dezinformatave të tilla apo lajmeve të rreme nëpërmjet komunikimit të përditshëm të sinqertë dhe të hapur me publikun. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me partnerët tanë nga BE-ja dhe NATO-ja, komunikojmë në mënyrë të koordinuar dhe bëjmë gjithçka që kemi në dorë që qytetarët tanë të informohen siç duhet, gjegjësisht të marrin informacion të saktë nga burimet të besueshme. Nuk besoj se mund të bëjnë dëm të madh politik, sepse qytetarët tashmë i njohin dhe nuk u besojnë. Sondazhet ndër vite kanë treguar mbështetje të fortë për anëtarësimin e vendit në BE, në mënyrë që narrativet që vijnë nga lajmet e rreme nuk e fitojnë besimin e dëshiruar, por përkundrazi, e bëjnë publikun më selektiv në lidhje me informacionin.

A vini re narrativa që e përdorin invazionin aktual mbi Ukrainën për të na larguar nga NATO-ja dhe rruga jonë drejt BE-së, rrëfime nëpërmjet të cilave nga Maqedonia e Veriut kërkohet të bëjë një zgjedhje midis Perëndimit dhe Rusisë, ku Rusia paraqitet si “vëllazërore”, sllave, vend ortodoks, ndërkohë që Perëndimit dhe institucioneve të tij, anëtare e të cilit vendi është apo aspiron tradicionalisht, i ngjiten lloj-lloj epitetesh negative për ta nxirë, paraqitur si të largët dhe të huaj, për të krijuar një zmbrapsje të qytetarëve ndaj politikave, vlerave dhe arritjeve demokratike perëndimore?

– Dezinformatat e minojnë besimin e qytetarëve ndaj demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe përbën një sfidë të madhe për demokracitë dhe shoqëritë evropiane. Kjo është arsyeja për të cilën ne duhet t’i zgjidhim ato në përputhje me vlerat dhe liritë evropiane. Qeveria është e përkushtuar në zbatimin e reformave evropiane dhe këtë e ka bërë me sukses në 5 vitet e fundit. Përafrimi i standardeve dhe vlerave evropiane me qytetarët tanë është synimi që e kemi vendosur dhe po punojmë vazhdimisht në atë drejtim, duke përcaktuar kështu qartë të ardhmen evropiane të vendit. Qëllimi nuk është denigrimi i Rusisë, por sigurimi i një fluksi të kontrolluar i informacioneve për publikun tonë, jo në aspektin e censurës, por përkundrazi, në drejtim të mundësimit të rrjedhës së informacionit përkatës dhe të saktë që do të informojë siç duhet publikun se çfarë vërtet po ndodh, jo vetëm në Ukrainë, por në përgjithësi në Evropë dhe në botë.

Sa jeni të kënaqur me zbatimin e Planit për veprim vendimtar kundër përhapjes së dezinformatave dhe kundër sulmeve ndaj demokracisë të propozuar nga qeveria e mëparshme gati dy vjet më parë? A mendoni se plani tashmë duhet të plotësohet, veçanërisht duke pasur parasysh situatën e re me luftën në Ukrainë? Apo mendoni se aktivitetet në këtë fushë duhet të koordinohen ndërkombëtarisht në bashkëpunim me partnerët perëndimorë? A ka ndonjë iniciativë apo aksion të përbashkët të tillë në nivel ndërkombëtar për momentin, në të cilat është përfshirë edhe Maqedonia e Veriut?

– Jam i kënaqur, por gjithmonë mund të jetë më mirë kur bëhet fjalë për zbatimin. Plani duhet të përmirësohet dhe të përshtatet me sfidat e kohës së re. Një sërë masash të parashikuara në plan tashmë janë zbatuar dhe do të inkurajojnë bashkëpunimin me Komisionin Evropian dhe do të kërkojnë përfshirjen në Sistemin e Sinjalizimeve të Shpejtë për përhapje të dezinformatave ((Rapid Alert System), me qëllim të shkëmbimit të informacioneve mbi përmbajtjen dhe temat e fushatave të dezinformimit në të gjithë Evropën. Për më tepër, jemi të përfshirë në disa projekte rajonale për menaxhim me dezinformatat. Kjo Qeveri vazhdon të mbështesë çdo aktivitet që vjen nga sektori civil sepse kjo është luftë e përbashkët kundër përpjekjeve të organizuara që synojnë minimin e procesit demokratik.

Qëllimi nuk është të nxihet Rusia,

por të mundësohet rrjedhë e informacioneve relevante dhe të sakta për atë që vërtetë po ndodh,

jo vetëm në Ukrainë, por në përgjithësi, në Evropë dhe në botë

Si po shkon zbatimi i sanksioneve ndaj Rusisë? A ka sulme, presione, dezinformata apo narrativa të rreme në këtë drejtim, nëpërmjet të cilave kërkohet zbutja apo heqja e tyre?

“Që nga fillimi i agresionit në Ukrainë, Qeveria e ka harmonizuar plotësisht politikën e saj me politikën e jashtme të BE-së dhe këtu nuk kemi lënë vend për dilema, qartë u pozicionuam në anën e BE-së si vend kandidat për anëtarësim të plotë. Qëndrojmë së bashku në sanksionet kundër Rusisë në tërësi. Në aspektin e informatave, Maqedonia e Veriut krah për krah me aleatët, arriti të përjashtojë “RashaTudej” nga valët e saj. Propaganda antidemokratike nuk mund të zgjasë shumë sepse nuk bazohet në të vërteta, ndërsa nga ana tjetër qytetarët tanë tashmë janë të lodhur nga narrativet që padyshim nuk bartin klimë miqësore, por kanë synime shkatërrimtare.

A paraqesin dezinformatat dhe narrativet ruse rrezik për perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe personalisht, a mendoni se dezinformatat për luftën në Ukrainë arrijnë lehtësisht te qytetari jonë dhe e mashtrojnë atë?

– Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut është e përcaktuar qartë, Qeveria po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për ta mbajtur atë përkundër vendimeve në kuadër të politikës së zgjerimit të Unionit, të cilat na e vështirësuan ruajtjen e besueshmërisë dhe besimit mes qytetarëve në BE-në si partneri jonë. Fakti që dezinformatat për luftën në Ukrainë arrijnë lehtësisht te qytetari te ne është fatkeqësisht i vërtetë, por nuk besoj se e mashtrojnë, sepse tashmë thash që qytetarët tanë kanë mundësi të përzgjedhin informacione dhe mendoj se e njohin të rremën, ndërsa nga ana tjetër ata kanë qasje në burimet përkatëse nga të cilat mund të informohen.

Sondazhet e ndryshme të opinionit publik në vend gjatë një ose dy vitet e fundit tregojnë qëndrime shumë më pozitive ndaj Rusisë (madje edhe ndaj Kinës), në një farë mase mbështetje për anëtarësimin në Bashkimin Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia dhe të ngjashme. Cila është arsyeja për këtë dhe a po punon qeveria për rritjen e besimit në drejtim të anëtarësimit në BE?

– Personalisht nuk besoj që qytetarët po zgjedhin opsione të tjera nga ajo evropiane. Mendoj se sondazhet e tilla janë pjesë e tentativave për të shpërfytyruar imazhin e vërtetë dhe për të dezinformuar, madje edhe për të manipuluar publikun. Nga ana tjetër, sondazhet në mbështetje të perspektivës evropiane dhe anëtarësimit në BE tregojnë një mbështetje të lartë publike për Unionin, megjithëse zhgënjimi i një pritjeje të gjatë për një datë për fillimin e negociatave është i dukshëm. Për këtë arsye, kjo mbase ka të bëjë me përpjekjet e dëshpëruara të shumë partive për të ulur nivelin e lartë të besimit që qeveria e gëzon te qytetarët dhe mbështetjen e tyre për atë që ne bëjmë – reformat evropiane për një jetë më të mirë, përafrimi me standardet dhe procese evropiane në drejtim të sigurimit të anëtarësimit të plotë në BE.

A mbetet e pandryshuar politika e përgjithshme e jashtme e Maqedonisë së Veriut që synon anëtarësimin në BE apo kërcënohet nga narrativet dezinformuese ruse?

– Sigurisht që mbetet e pandryshuar, do të ishte jo serioze nëse Qeveria do të gjunjëzohej nga narrativet dezinformuese ruse kur kemi punuar me aq intensitet dhe përkushtim në proceset integruese evropiane dhe ende po punojmë.

Dezinformata për luftën në Ukrainë,

për fat të keq ata arrijnë lehtësisht te qytetari i Maqedonisë,

por nuk besoj se e mashtrojnë

Gjatë dy muajve të fundit, sa po zgjat lufta në Ukrainë, në mediat e vendit mund të dëgjohet terminologjia e përdorur nga Kremlini dhe që pasqyron pikëpamjet dhe politikat e Kremlinit. Pra, në vend që të thuhet “pushtim i Ukrainës” ose “luftë në Ukrainë”, ai thotë “operacion special i forcave ruse në Ukrainë”, një nga dy rajonet separatiste të Ukrainës në lindje të vendit, Donjeck, emërohet “Republika Popullore e Donjeckut”e ngjashëm. Çfarë mendoni për përdorimin e termave të tillë në emisionet qendrore të lajmeve të këtyre mediave?

– Epo, ne jemi mbi të gjitha një vend demokratik me një shkallë të lartë të lirisë së medias – këtë e konfirmuan renditja botërore e agjencive prestigjioze. Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Medias të Reporterëve pa Kufij, Maqedonia veriore ka shënuar avancim për 33 pozita për vitin 2021. Liria e shprehjes është e garantuar në vend, megjithëse me sa duket po abuzohet nga qendra të caktuara për të shtrembëruar imazhin, veçanërisht të luftës në Ukrainë. Këtu besoj se vetë mediat duhet të rishqyrtojnë narrativet dhe burimet nga të cilat i marrin informacionet për t’u ofruar qytetarëve informacion objektiv dhe të saktë. Përndryshe ata vetë rrezikojnë të humbasin shikuesit e tyre, sepse nuk mund të mbijetoni gjatë dhe të ruani mbështetje që bazohet në informacione të pasakta.

Jo të gjitha vendet fqinje janë anëtarë të NATO-s, madje as kandidatë për anëtarësim në NATO dhe jo të gjitha janë anëtarë të BE-së. Në disa nga vendet fqinje ka struktura politike serioze dhe të rëndësishme që janë tërësisht pro-ruse dhe mbështesin pushtimin e Ukrainës. Vendet e tilla fqinje kanë sektorë të fuqishëm mediatik, të cilët kanë ndikim dhe mediat e të cilëve konsumohen në territorin e Maqedonisë së Veriut. Numri i atyre që haptas e glorifikojnë dhe e mbështesin pushtimin e Ukrainës dhe politikat e Kremlinit nuk është i vigël. Cili është ndikimi i mediave nga vendet fqinje në përhapjen e dezinformatave ruse në Maqedoninë e Veriut?

– Ne po punojmë në mënyrë aktive për të përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me vendet fqinje, ata janë fqinjët tanë dhe ne duhet të kemi marrëdhënie të ndershme dhe miqësore. Nisma “Ballkani i Hapur” në këtë kontekst ka një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin dhe është një kontribut në bashkëpunimin rajonal të vendeve, nëpërmjet zbatimit të vlerave evropiane në rajon. “Ballkani i Hapur” kontribuon në thellimin e bashkëpunimit, duke hapur mundësi për konkurrencë më të madhe rajonale në tregun evropian dhe tregjet e tjera botërore dhe në drejtim të tërheqjes së investitorëve të huaj, por nga ana tjetër u lejon qeverive që janë së bashku në këtë iniciativë të shkëmbejmë informacionet edhe në drejtim të informimit të qytetarëve. Pozicioni i disa strukturave politike në rajon nuk do të thotë domosdo rrezik apo kërcënim për Maqedoninë e Veriut. sepse tek ne situata nuk është e tillë. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj prioriteteve tona strategjike dhe me përkushtimin dhe vullnetin e Qeverisë për t’u përballur me sfida të tilla, besoj se nuk do të gjendemi në një situatë të përhapjes së gjerë të dezinformatave ruse. Qasja në media nga vendet fqinje ka një ndikim, por nuk mendoj se është vendimtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button