Në rajonin e Pollogut nuk po ndërmerret asgjë për avancimin e të drejtave të viktimave të dhunës në familje

Shoqata për Psikoterapi dhe Këshillim “Korteks” – Tetovë në bashkëpunim me Rrjetin Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje prezantoi gjetjet e anketës “Analiza e gjendjes me shërbime të specializuara të aksesueshme e që janë në dispozicion për të ndihmuar dhe mbështetur gratë dhe fëmijët viktima të dhunës në bazë gjinore dhe në familje në rajonin e planifikimit të Pollogut”, njofton Meta.mk.

Bëhet fjalë për një analizë e cila paraqet hartën e të gjitha institucioneve ekzistuese për trajtimin e dhunës në familje dhe dhunën me bazë gjinore në rajonin e Pollogut me nëntë komunat dhe shërbimet e tyre, duke e theksuar nevojën për ekzistencën e një strehimoreje, gjegjësisht një qendër si strehimore, që mungon në të gjithë rajonin, si dhe rritje të numrit të këshillimeve të specializuara psikologjike, si dhe rritje të aksesit në shërbime si ndihma e parë falas dhe dispozicioni i SOS linjave.

“Aktualisht dhuna ndaj grave dhe ballafaqimi me të, edhe pse është detyrë ligjore, nuk është prioritet i komunave në rajonin e Pollogut sepse asnjë komunë nuk ndan mjete për mbështetjen e shërbimeve të specializuara. Edhe pse numri i rasteve të raportuara vitet e fundit po rritet, rajoni i Pollogut nuk ka qendër strehimi, as qendër për intervenim apo SOS linjë dhe asgjë nuk po bëhet për avancimin e të drejtave të grave viktima të dhunës në familje apo në bazë gjinore”, tha Ana Avramovska Nushkova nga Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Analiza është përgatitur në kuadër të projektit “Ngritja dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së një qendre këshillimore për gra dhe fëmijë viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore” të zbatuar nga SHPTK “Korteks”, që është pjesë e projektit “Rrugës për në BE: Parandalimi i dhunës ndaj grave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, që zbatohet nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje me mbështetje financiare nga Fondacioni “Kvinna till Kvinna” nga Suedia.

Në këtë eveniment morën pjesë studente të Departamentit të Psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, të cilat kanë marrë pjesë në një cikël dhjetëditor të punëtorive kushtuar ndërgjegjësimit për të drejtat e grave viktima të dhunës duke përvetësuar njohuri dhe shkathtësi në fushën e parandalimit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Në kuadër të trajnimeve, në punëtorinë përfundimtare studentet kishin për detyrë që njohuritë e fituara t’i ndajnë me tetovaret dhe në këtë mënyrë të shqyrtojnë vetëdijen për problemin e dhunës dhe nivelin e informimit të tyre se ku duhet ta raportojnë këtë lloj dhune, e pas kësaj të premten shkuan në sheshin e qytetit ku biseduan me kalimtarë të rastit.

“Jemi të lumtura që ishim pjesë e këtij seminari vërtet të dobishëm. Sot kemi mundësi të ndajmë atë që e kemi mësuar dhe të ngremë zërin tonë për barazinë gjinore. Ne i ndajmë informacionet tona, por i marrim edhe nga popullata e me këtë mund të kontrollojmë shkallën e vetëdijes dhe nëse duhet të flitet për barazi mes burrave dhe grave”, tha studentja Bora Qazimi për “Meta.mk”. Cikli i punëtorive u organizua nga Qendra e grave kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në Tetovë, e cila ekziston në kuadër të Rrjetit Nacional Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, ndërsa realizohet nga punonjësja sociale dhe këshilltarja për familje dhe sistem, Monika Çekalloviq dhe Nebahat Ziberi, magjistre e Psikologjisë Klinike, Geshtalt këshilltare dhe terapeutist EMI.

“Meta.mk” paraprakisht ka shkruar për problemin në rajonin e Pollogut që shkaktohet nga mungesa e strehimoreve për gratë viktima të dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button