(Pa)pastërtia në Tetovë, prej 200 të punësuarve në NPK, vetëm 50 e pastrojnë qytetin (FOTO)

Qytetarët e Tetovës përballen me papastërti në qytet, e cila kundërmon erë të keqe dhe është rrezik potencial për përhapjen e sëmundjeve. Udhëheqsia e re komunale, pavarësisht premtimit, ende nuk ka gjetur një zgjidhje efikase për t’i larguar këto pamje që e shëmtojnë qytetin. NPK Tetova paralajmëron sistematizim të punëtorëve pasi që prej rreth 200 të punësuarve vetëm 50 pastrojnë, të tjerët janë në administratë, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse një nga zotimet kryesore të udhëheqësisë aktuale të komunës gjatë periudhës parazgjedhore ishte pikërisht menaxhimi me mbeturina dhe pastërtia në qytet, kjo në terren të paktën deri tani nuk shihet ashtu siç u premtua. Ndonëse ka pak përparim në këtë drejtim, situata mbetet ende e pandryshuar dhe kritike.

Qytetarët theksojnë se një nga problemet të cilat Komuna duhet ta zgjidh është pikërisht grumbullimi më i shpeshtë i mbeturinave pasi të njëjtat sidomos tani kur koha është e ngrohtë krijojnë erë të keqe.

“Shumë problem, tash verës vjen shumë erë e keqe, sidomos ne që jemi me lokale afër kontejnerëve, na pengon. Ne krejt e dimë se ka plot probleme po kjo për mu është problemi i par qe duhet te zgjidhet”, tha një qytetar.

“Jam e vetëdijshme se është problem i ndërlikuar, mirëpo duhet të gjendet zgjidhje e menjëhershme, tash e shoh se kanë vendosur disa kontejnerë të rinj, ndoshta ato do ta ulin numrin e mbeturinave që derdhen neper rrugë, por prapë mendoj se duhet pastrim më i shpeshtë”, tha një qytetare.

“Si çka mendoj, a nuk e shihni? Dilni një xhiro teposhtë edhe shiheni, ere e keqe, ndonjëherë i bllokojnë trotuaret, katastrofë”, tha një qytetar.

This slideshow requires JavaScript.

Edhe pse Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” ka rreth 200 të punësuar, vetëm rreth 50 janë të angazhuar në pjesën e pastrimit dhe mirëmbajtjes së qytetit, ndërsa pjesa tjetër është e angazhuar në administratë.  Kryetari i Komunës së Tetovës tha se në vazhdim do të bëhet risitematizim i vendeve të punës.

“Në një nga raportet të cilat i dorëzoj ndërmarrja, konstatuam se vetëm 50 punëtorë në ndërmarrje janë të sistematizuar me vende të punës me vendime. Kemi kërkuar nga ndërmarrja të ndryshojë sistematizimin që gjithë ata të cilët janë në operativ të ndërmarrjes të parashihen në sistematizim që pastaj të shkojmë në fazën tjetër të angazhimit të tyre me vendim të përhershëm dapo të përkohshëm. Ky proces ka nisur, jemi në konsultim edhe me ministrinë e Administratës që e njëjta të miratohet”, tha Kasami.

NPK-ja sipas asaj që Komuna ka njoftuar ka mbi 9.6 milion euro borxh, dhe kjo përbën problem për funksionimin e ndërmarrjes. Për këtë, Kasami njoftoi ndarjen e ndërmarrjes në dy drejtori, drejtoria e ujësjellësit dhe ajo për menaxhimin me mbeturinat.

Për 5 muaj, vetë 2 persona janë gjobitur për ndotjen e mjedisit

Nga fillimi i vitit 2022 e deri tani në SPB Tetovë janë regjistruar vetëm 2 vepra penale për ndotjen e mjedisit në Tetovë.

“Nga fillimi i vitit 2022 e deri më sot në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë janë regjistruar 3 vepra penale lidhur me ndotjen e mjedisit (TE-2 dhe GV-1), nga të cilat për një vepër ku SPB Tetovë ka ngritur kallëzim përkatës kundër një personi në bazë të nenit 230 të Kodit Penal, ndërsa veprën tjetër e ka kryer një autor ende i panjohur i cili ka hedhur mbeturina ndërtimore dhe rasti është duke u zbardhur”, tha Fatmir Rexhepi- zëdhënës i SPB Tetovë.

Sipas nenit 230 të Kodit Penal dënimi për kryerjen të kësaj vepre mund të jetë nga tre muaj deri në dhjetë vite apo në të holla, varësisht elementeve të përcaktuara në paragrafë.

Nga NPK-ja, zv.drejtori na njoftoi se sot është në Shkup dhe se do të përgjigjet më vonë në pyetjet gazetareske për atë se pse nuk pastrohen më shpesh mbeturinat dhe nëse kanë krijuar një plan për të eleminuar këtë kaos me mbeturina. Por deri në këtë moment përgjigje nuk kemi marrë.

Çfarë thotë ligji për pastërti publike?

Çdo qytetar që ka ankesa për papastërtinë në Tetovë, mund të paraqet në numrin fiks të telefonit 044 331 167. Rikujtojmë qytetarët gjithashtu se sipas ligjit për pastërti publike, çdo person fizik nëse kapet duke hedhur, leckë, shpuzë cigaresh, apo të ngjashme do të gjobitet me 50 euro, ndërkaq nëse kapet duke hedhur materiale ndërtimore, parashihet gjobë prej 150 deri në 200 euro.

Por në Tetovë inspektorati ekologjik është joefikas.  Ne aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Autoritetet nuk bëjnë inspektime dhe kontrolle të shpeshta në terren si masë parandaluese ndaj hedhjes së materialeve të renda.

Kryetari i Komunës së Tetovës ka njoftuar se do të instalohen kamera sigurie në pikat më kritike ku qytetarët hedhin mbeturina, ku të njëjtat do të mund të përcillen nga çdo qytetar të njëjtit do mund të denoncojë qytetarët e papërgjegjshëm të cilët do të hedhin mbeturina në hapësira publike.

Çfarë premtoi Kasami para zgjedhjeve për mbeturinat?

“Ne si Lëvizje Besa kemi një plan detal për të cilin besatohemi se do ta realizojmë në vitin e parë të marrjes së pushtetit lokal. Tetovës nuk i kushton më shumë se 3.5 milion në fakt zgjidhja përfundimtare e deponisë në gjithë qytetin e Tetovës, ,mbeturinave gjithandej para çdo shtëpie, para çdo institucioni mr atë që ne do të zgjidhim përfundimisht edhe çështjen e grumbullimit dhe selektimit që sa më pak mbeturina të dërgohen në deponitë aktuale sepse kjo do të ul kostot e menaxhimit me mbeturinat në Tetovë”, deklaroi Bilall Kasami me 14 tetor 2021 në #Debatpërnime.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e mjedisit të pastër duke theksuar problemet e lartpërmendura premton një komunë ekologjike, mes të cilave ndërtimin e një fabrike për reciklimin e mbeturinave, sanksione financiare dhe përgjegjësi ligjore për të gjithë ndotësit e ambientit dhe që hudhin mbeturina pa kontroll, përcjellja e rregullt e ndotësve të ambientit, plan për aktivitete edukuese dhe sensibilizuese dhe të tjera.

Ndryshe, këtë javë pritet të lëshohen në përdorim kontejnerët gjysmë-nëntokësor në 15 lokacione në qytet. Ndërsa sot Komuna shpalli thirrje për dorëzim të ofertave për përmirësimin e shërbimeve komunale ku parashihen prokurimi i automjeteve për mbledhjen e mbeturinave dhe prokurimi i kontejnerëve. Më shumë detaje gjeni KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button