fbpx

RMV, Prokuroria hapi hetim kundër një mësuesi 40-vjeçar për sulm seksual ndaj një nxënëse

Prokuroria Themelore Publike e Strumicës ka dhënë urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër një personi 40-vjeçar për veprën penale “Sulm gjinor ndaj fëmijës që nuk i ka mbushur 14-vjet” nga neni 188 paragrafi 1 nga Kodi Penal, vepër për të cilën parashikohet dënim me së paku 12 vjet burg, njofton Portalb.mk.

“I dyshuari është mësues në një shkollë fillore në Strumicë. Ai në periudhë prej tetor 2020 deri në maj 2022, nëpërmjet rrjetit social një nxënëses, e cila nuk i ka mbushur 14-vjet i ka dërguar porosi me përmbajtje eksplicite seksuale. Duke e shfrytëzuar rastin, kur kanë mbetur vetëm ai në sallën sportive të shkollës, dy herë ka kryer edhe veprime tjera gjinore, duke e prekur dhe puthur të dëmtuarën”, thonë nga Prokuroria.

Prokurori përkatës deri te gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata Penale në Strumicë ka dorëzuar propozim për shqiptimin e masës së paraburgimit, pasi ekziston rreziku që ai të lëshohet në arrati, të ndikojë ndaj dëshmitarëve ose ta përsëris veprën. Gjykatësi e ka pranuar masën dhe i ka shqiptuar 30 ditë paraburgim.

Sipas njoftimit të MPB-së, me datën 20.05.2022, babai i vajzës e ka denoncuar rastin në stacion policor dhe ka dorëzuar prova, pas së cilës janë marrë masa dhe mësuesi është arrestuar më 21.05.2022 në Kumanovë, ndërsa më pas është dërguar në SPB Strumicë dhe është zhvilluar bisedë zyrtare.

Ndryshe, aktualisht në Regjistrin e Pedofilëve të Maqedonisë së Veriut janë të regjistruar 294 persona të cilët me vendim të plotfuqishëm janë dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me abuzimin seksual të fëmijëve. Prej tyre, 170 janë në liri, ndërkaq 124 të tjerë janë duke vuajtur dënimin. Për këtë dukuri devijuese dhe penale, ekspertët e fushave të ndryshme japin mendimet dhe rekomandimet e tyre.

Të dhënat e të gjithë të regjistruarve në këtë regjistër publik, pavarësisht nëse ndodhen në burg apo dalin nga burgu pasi ta vuajnë dënimin, mbeten në regjistër, me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes së popullatës dhe fëmijëve. Pra nëse një person vendoset në këtë regjistër, ai do të jetë aty derisa të jetë gjallë

Për më shumë LEXO: Në RMV momentalisht ka 294 pedofilë të regjistruar, ekspertët alarmojnë për sensibilizim më të madh të publikut dhe mbrojtje të fëmijëve

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button