fbpx

Nga Parlamenti Evropian: lëvdata, bilateralizim, kontradiktë

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

Malinka Ristevska Jordanova
  • Parlamenti Evropian e miraton rezolutën për Raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2021 –

Jam dakord me një deklaratë të euro-deputetëve bullgarë në diskutimin pas Rezolutës së këtij viti për Raportin për Maqedoninë e Veriut: se ajo përmban pikëpamje kontradiktore. Është rezultat i lobimeve, kompromiseve të shumta që janë bërë, harmonizimeve dhe lëvizjeve taktike partiake, krejt kjo deri në ditët e fundit para miratimit.

Rrjedha e përgatitjes dhe debatit për Projekt-Rezolutën sivjet shkaktoi vëmendje shumëfish më të vogël të publikut sesa më parë, përveç në fund. Duket sikur ky dokument, të paktën në publik, ra nën hijen e të gjitha ngjarjeve me “rënie-ngritje” rreth vetos bullgare për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Për fat të keq, edhe në procesin parlamentar, si temë kryesore u imponuan kushtet që Bullgaria ia vendos Maqedonisë së Veriut për anëtarësim, kështu që beteja kryesore u zhvillua pikërisht rreth amendamenteve për këto çështje.

Teksti fillestar i Propozim-Rezolutës nga shkurti është jo më pak se 9 faqe, ndërsa ai përfundimtar përmban dy herë më shumë – 18. Në procedurën e komisionit (përgjegjës është Komisioni për Politikë të Jashtme) u dorëzuan 350 amendamente, vetëm pas kësaj Komisioni e miratoi tekstin me amendamentet e kompromisit që u propozuan nga raportuesi Çuçuk. Në këtë kaçubë u fshehën amendamentet, të cilat ndryshuan ndjeshëm tekstin dhe në Rezolutë e futën bilateralizimin e procesit të anëtarësimit.

Struktura e Rezolutës është e ngjashme me atë të vitit të kaluar: së pari janë nenet e përgjithshme që kanë të bëjnë në përgjithësi me reformat dhe procesin e anëtarësimit e më pas nëntitujt për funksionimin e institucioneve demokratike; medieve dhe shoqërisë civile; të drejtat themelore; sundimi i ligjit; reformat socio-ekonomike, energjia, transporti dhe mjedisi; bashkëpunimin rajonal dhe politika e jashtme.

Në pjesën e përgjithshme, vendin kryesor e zë lëvdata për përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj reformave që kanë të bëjnë me BE dhe thirrja për fillimin e menjëhershëm të negociatave, në dritën e kushteve të reja të theksuara gjeostrategjike. Edhe në këtë seksion janë vendosur më tepër qëndrime të formuluara ndryshe për çështjet bilaterale. Më e rëndësishmja, megjithatë, është se me një nga amendamentet e miratuara, që u paraqitën në fund të seancës plenare (nga të Gjelbërit dhe Liberalët), Parlamenti i inkurajoi Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që “të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre kulturore-historike veçmas nga procesi i pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe të mundësojnë menjëherë organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare, sepse Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kriteret zyrtare. Të përkujtojmë se bëhet fjalë për propozimin e Portugalisë, të cilin Maqedonia e pranoi, megjithatë pala bullgare e refuzoi fuqishëm. Këtu Rezoluta madje i përkujton shtetet anëtare se politika e zgjerimit duhet të udhëhiqet nga kritere objektive.

Ndërsa, nëse lexohet pjesa për bashkëpunimin rajonal, do të vërehet ndikimi i madh i lobimit bullgar dhe përfshirjen e elementeve të narrativit bullgar në Rezolutë. Ashtu që bëhet thirrje “…që negociatat e anëtarësimit të fillojnë, duke i zgjidhur në të njëjtën kohë çështjet e pazgjidhura dypalëshe që janë pjesë e” masave 4 + 1” të cilat duhet të zbatohen mjaftueshëm dhe të zgjidhen gjatë procesit të integrimit në BE.” Një shembull ku qartë shihet përfshirja e narrativit dhe interpretimit bullgar të Marrëveshjes Dypalëshe për Bashkëpunimit është amendamenti i paraqitur me propozimin e grupit të partive Popullore dhe Konservatore, i cili bën thirrje për pajtim historik bazuar në një “histori të përbashkët të përcaktuar”, por edhe teksti që kërkon intensifikim të punës në tekstet shkollore.

Me analizë më të detajuar shihet se narrativi bullgar ka ndikim në tekstet e pjesëve të tjera të Rezolutës, veçanërisht në ato për demokracinë dhe sundimin e ligjit, që është një tregues se si kërkesat bullgare do të inkorporohen në procesin e integrimit.

Fatkeqësisht, nuk kemi hapësirë për analiza të aspekteve të tjera të tekstit, gjë që nuk shmanget nga rekomandimet e njohura (si nga Raporti i Komisionit ashtu edhe nga konkluzionet e Këshillit të BE-së) në lidhje me reformat. Pavarësisht, teksti i kompromisit përmban elementë të mjaftueshëm që të secili të mund të citojnë atë që i përshtatet, siç është lëvdata që Maqedonia e Veriut vazhdon të tregojë rezultatet më të mira në tranzicionin demokratik në rajon.

Më të zëshmit në debat, por edhe më aktivët në propozimin e amendamenteve, ishin përfaqësuesit bullgarë që aktualisht nuk janë të pranishëm në Parlamentin Kombëtar të Bullgarisë – VMRO, por edhe përfaqësuesi i GERB-it. Ata, natyrisht, u përpoqën që me qëndrimet e tyre të përfitonin deputetët e grupit të tyre parlamentar – të partive popullore dhe konservatore – e që patën rezultat të pjesshëm. Është interesant se në fund PPE, megjithatë, e tërhoqi amendamentin me të cilin pretendohej se qytetarët që shprehin identitetin apo përkatësinë etnike bullgare diskriminohen. Grupi i Gjelbër/Liberal është më i zëshmi në mos përfshirjen e çështjeve dypalëshe në negociata, të mbështetur kryesisht nga socialdemokratët – sigurisht pa deputetët bullgarë të këtij grupi. Mund të vërehet Grupin “Rindërtimi i Evropës” ka ndasi lidhur me çështjet bilaterale.

Debati plenar, për fat të keq, u helmua nga fjalimet e neveritshme të tre përkrahësve më të zhurmshëm të vetos bullgare (Xhambaski, Jordanov, Sllabakov). Ndonëse e morën të drejtën për të shprehur qëndrimet e tyre, ata mbetën të izoluar në paraqitjet e tyre, në disonancë të qartë me qëndrimet e shprehura nga grupet politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button