Minçev: Nuk po përgatitemi për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut

Qeveria bullgare nuk po përgatitet të heqë veton për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit Popullor, Nikolla Minçev, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është një temë që mund të përdoret shumë lehtë për qëllime politike. Nuk ka asnjë arsye reale për të pretenduar se ne do të devijojmë nga interesi kombëtar i Bullgarisë. Qëndrimi i Bullgarisë për këtë çështje është i qartë dhe presim zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe marrëveshjeve të tjera”, tha Minçev.

Të premten, kryeministri bullgar Kiril Petkov i kërkoi presidentit Rumen Radev që të mblidhte një këshill konsultativ të sigurisë kombëtare. Ai u bëri thirrje partive, shërbimeve dhe kreut të shtetit që të ridiskutojnë veton bullgare kundër fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Kjo ka hasur në reagime të ndryshme nga partitë politike në koalicionin qeverisës. Disa e mbështetën mbledhjen e Këshillit, të tjerë e kundërshtuan atë. Megjithatë, shumica besojnë se mbledhja e Këshillit nuk do të ndryshojë qëndrimin e Bullgarisë për këtë çështje.

Nesër kryeministri i Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kiril Petkov dhe Dimitar Kovaçevski do të zhvillojnë udhëtimin e tyre në Romë dhe Vatikan me rastin e 24 majit – Ditës së Shën Kirilit dhe Metodit.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button