Kush është pro dhe kush kundër mbledhjes së këshillit konsultativ të sigurisë kombëtare në Bullgari për rastin ndaj RMV-së

Partia Socialiste Bullgare (BSP) është në favor të mbledhjes së këshillit konsultativ të sigurisë kombëtare për çështjen e Maqedonisë së Veriut. Kështu ka deklaruar kryetarja e BSP-së, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e ekonomisë në qeverinë bullgare, Kornelia Ninova, shkruan Dnevnik.bg, transmeton Portalb.mk.

“Është gjithmonë e dobishme që ky organ të mblidhet, sepse aty përfaqësohen të gjitha partitë dhe shërbimet. Nëse është e nevojshme, Këshilli do të riafirmojë qëndrimin e tij deri më tani se ne nuk do ta tërheqim veton ndaj Maqedonisë së Veriut derisa të zbatohet Marrëveshja e Fqinjësisë e vitit 2017″ tha Ninova.

Të premten, kryeministri bullgar Kiril Petkov i bëri thirrje presidentit Rumen Radev që të mbledhë një Këshill Konsultativ të Sigurisë Kombëtare. Ai u bëri thirrje partive, shërbimeve dhe kreut të shtetit që të ridiskutojnë veton bullgare kundër fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Ky vullnet i kryeministrit erdhi pas dy vizitave të rëndësishme në Bullgari këtë javë, nga ndihmës sekretarja e shtetit e SHBA-ve për çështjet evropiane- Karen Donfried dhe komisioneri i Zgjerimit të BE-së Oliver Varhei.

Bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike”, nga ana tjetër, Atanas Atanasov më parë përshëndeti veprimin e Petkovit për të kërkuar thirrjen e Këshillit.

“Bullgaria ka interes kombëtar që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së në mënyrë që ne të rrethohemi nga vende mike, por për momentin nuk ka mbështetje të mjaftueshme publike dhe as në parlament nuk ka gatishmëri për të hequr veton”, tha Atanasov.

Deputeti i partisë së Sllavi Trifonovit, “Ka popull të tillë”, Stanislav Balabanov, komentoi se dyshimet e partisë së tij për obligimet e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut u vërtetuan për shkak të kërkesës së Petkovit për thirrjen e këshillit konsultativ të sigurisë kombëtare. Sipas Balabanov, thirrja e këshillit nuk ka kuptim, sepse në mbledhjen paraprake ky organ konfirmoi qëndrimin e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut dhe që atëherë ai nuk ka ndryshuar.

Qëndrimi i Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut mbetet i pandryshuar, tha ministrja e Jashtme Teodora Gençovska, anëtare e partisë së Trifonov në qeverinë bullgare. Ajo shpjegoi se vendimi për mbledhjen e këshillit i takonte tërësisht presidentit dhe siguroi se nuk ishin zhvilluar bisedime në prapaskenë për heqjen e vetos.

“Nuk e di pse është bërë një thirrje e tillë nga kryeministri”, tha Gençovska.

Presidenti Rumen Radev është ndër ithtarët e tezës se fillimisht bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë si pakicë dhe vetëm atëherë mund të hiqet vetoja.

“Ky qëndrim është i papranueshëm për Shkupin”, tha muajin e kaluar ministri i jashtëm i RMV-së Bujar Osmani. Këtë javë, megjithatë, ai tha se në mosmarrëveshje “topi është në fushën e Sofjes” dhe se provokatorët në Bullgari po sabotojnë procesin.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button