Në RMV momentalisht ka 294 pedofilë të regjistruar, ekspertët alarmojnë për sensibilizim më të madh të publikut dhe mbrojtje të fëmijëve

Katër persona i janë shtuar Regjistrit të Pedofilëve të Maqedonisë së Veriut vetëm në tre-mujorin e parë të këtij viti. Aktualisht në regjistër janë të regjistruar 294 persona të cilët me vendim të plotfuqishëm janë dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me abuzimin seksual të fëmijëve. Prej tyre, 170 janë në liri, ndërkaq 124 të tjerë janë duke vuajtur dënimin. Për këtë dukuri devijuese dhe penale, ekspertët e fushave të ndryshme japin mendimet dhe rekomandimet e tyre, transmeton Portalb.mk.

Nga numri total i pedofilëve të regjistruar në regjistrin e posaçëm të personave të dënuar për vepra penale për abuzim seksual të të miturve dhe pedofili, 281 janë meshkuj dhe 13 janë femra.

Regjistri përmban të dhëna për personat e dënuar me vendim të formës së prerë për 11 krime kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual ndaj fëmijëve, aty janë të shënuara emri, mbiemri, pseudonimi, datëlindja, adresa e vendbanimit-qëndrimit, krimi për të cilin janë dënuar, masa e dënimit, fillimi, pushimi apo ndryshimi i vuajtjes së dënimit me burg.

Të dhënat e të gjithë të regjistruarve në këtë regjistër publik, pavarësisht nëse ndodhen në burg apo dalin nga burgu pasi ta vuajnë dënimin, mbeten në regjistër, me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes së popullatës dhe fëmijëve. Pra nëse një person vendoset në këtë regjistër, ai do të jetë aty derisa të jetë gjallë.

Regjistri i Pedofilëve me defekte dhe vetëm në gjuhën maqedonase

Ky regjistër edhe pse shumë i nevojshëm për popullatën, herë pas here nuk është i qasshëm. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale arsyetohet se faqja me raste bie pasi bëhet përditësimi i së njëjtës.

“Që nga themelimi  në vitin 2012 e deri më sot, Regjistri i Posaçëm i Personave të Dënuar për Veprat Penale për Abuzimin Seksual të të Miturve dhe Pedofili është vazhdimisht në funksion, me ndërprerje të shkurtra të natyrës teknike ose për përmirësimin dhe përditësimin e tij në mënyrë efektive”, thanë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Portalb.mk, disa herë, nga kompjuterë të ndryshëm tentoi, por i njëjti nuk hapej.

Regjistri: Registarnapedofili.mk jofunksional
Regjistri: Registarnapedofili.mk jofunksional

Ky regjistër është vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet në pyetjen se përse kjo faqe nuk është në gjuhën shqipe.

Të dhënat nga MPB-ja, shqetësuese

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), numri i përgjithshëm i krimeve kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual për vitin 2019, 2020 dhe 2021 është 95. Ndërsa për tre-mujorin e parë të këtij viti është 2.

Informatat më të detajuara mund të shihen në tabelën më poshtë:

Infografik: Fisnik Xhelili, burimi: MPB
Infografik: Fisnik Xhelili, burimi: MPB

Përkufizimi juridik dhe ndëshkimi i pedofilisë në RMV

Kur jemi te drejtësia, profesoresha universitare e së drejtës penale, Vedije Ratkoceri thotë se në kuptimin juridik, se çfarë konsiderohet abuzim seksual i fëmijëve varet nga inkriminimi përkatës i çdo legjislacioni veç e veç dhe mosha përkatëse që e ka caktuar legjislacioni si kufi ndarës i asaj se kush konsiderohet fëmijë.

Foto: Vedije Raktoceri
Foto: Vedije Raktoceri

“Në Kodin Penal të RMV-së kemi veprën penale në nenin 188 – Sulm seksual i fëmijëve nën moshën 14 vjeçare. Sipas këtij neni “ai i cili do të kryejë marrëdhënie apo veprim tjetër seksual ndaj fëmijës që nuk ka mbushur 14 vjet do të dënohet me më së paku 12 vjet burgim (paragrafi 1). Paragrafi i dytë më tej parasheh edhe formën më të rëndë të kësaj vepre penale, ku theksohet se nëse për shkak të veprimit të kryer të përshkruar në paragrafin 1 do të shkaktohet lëndim i rëndë trupor, vdekje apo pasoja të tjera të rënda  apo nëse vepra është kryer nga më shumë persona apo në mënyrë të vrazhdë dhe nënçmuese, kryerësi do të dënohet me më së paku 15 vite burgim apo me burgim të përjetshëm (paragrafi 2)”, sqaron Ratkoceri.

Ratkoceri thotë se nga viti 2008 e këndej kemi trajtim më serioz në shtetin tonë për të luftuar dhe parandaluar abuzimin seksual të fëmijëve. Por pavarësisht këtyre hapave konkret dhe të rëndësishëm në hartimin e politikave penale shtetërore, në praktikë situata lë për të dëshiruar.

“Ende në gjykatat e vendit shqiptohen dënime të ulëta për këto vepra. Regjistri publik nuk është funksional vazhdimisht dhe shumë pak është bërë për promovimin e tij, në mënyrë që publiku i gjerë të ketë njohuri për ekzistimin dhe qëllimin e këtij regjistri, që është një mjet shumë i fuqishëm parandalues për këto raste. Tretmani mjekësor-farmakologjik nuk u zbatua asnjëherë në asnjë rast, ndërsa raste prej vitit 2014 e këndej kishim mjaft. Në fund, në vitin 2019 edhe u hoq nga legjislacioni, pa zhurmë dhe pa asnjë diskutim më të gjerë. Vlen të potencohet se ky tretman është një tretman bashkëkohor, human dhe i domosdoshëm për trajtimin e pedofilëve, në mënyrë që ata të mos e përsërisin veprën penale”, tha Ratkoceri.

Sipas sociologut Latifi, pedofilia paraqet sjellje devijuese që meriton më shumë vëmendje nga publiku

Sociologu Latif Mustafa thotë se pedofilia është ves dhe sjellje devijuese me ç’rast individi i pjekur në moshë synon të dominojë dhe abuzojë seksualisht me trupin e të miturit, gjë që bëhet kundër vullnetit të këtij të të miturve.

Foto: Latif Mustafa
Foto: Latif Mustafa

“Të miturit e që janë në moshë të njomë, shpeshherë nuk janë edhe të vetëdijshëm për fenomenin dhe psikopatologjinë e pedofilëve dhe bëhen viktimë e lehtë e tyre. Njëra ndër format më të shpeshta që i hasim sot është përdorimi i shfrenuar dhe i pakontrolluar i rrjeteve sociale me ç’rast të miturit bien pre e këtyre individëve. Rasti i fundit në Kosovë, ku një mësues në pension, vihej në kërkim të të miturave, ngriti alarmin se shoqëria jonë rrezikohet fort nga njerëz me karakter psikopatik. Institucionet shkollore dhe mediat duhet të ngritin zërin për këtë fenomen dhe të merren me edukimin në lidhje me identifikimin e rreziqeve të mundshme që shkaktojnë rrjetet dhe informimin e institucioneve të sigurisë në lidhje me denoncimin e rasteve, ngaqë, ekspozimi ndaj këtij rreziku s’ka qenë asnjëherë më i lartë se sot”, tha Latifi.

Psikologët alarmojnë se rrjetet sociale kanë krijuar hapësirë të sigurt për pedofilët, por si mund të parandalohet dhe cilat janë efektet që bart pedofilia?

Pedofilia si një lloj abuzimi seksual ndaj fëmijëve, sipas psikologes Nebahate ZiberiImeri dita ditës po merr përmasa më të mëdha me zhvillimin e teknologjisë dhe numri i të ekspozuarve ndaj kësaj dukurie është rritur. Ajo sqaron se ende për këtë nuk flitet haptas dhe kjo ende më shumë e thellon problemin, i dëmton viktimat kështu duke ju shkaktuar pasoja psikologjike.

Por, sipas saj kjo nuk do të thotë se duhet të rijmë duar kryq dhe të heshtur para kësaj problematike dhe kur e themi këtë flitet pikërisht për masa parandaluese.

Nebahate Ziberi-Imeri
Nebahate Ziberi-Imeri

“Pa dyshim se prindërit dhe kujdestarët duhet të kenë shumë kujdes në atë se në çka ekspozohet fëmija dhe adoleshenti. Gjëja e parë që duhet bërë këtu është të vërejmë në ndryshimin e sjelljes. Djali apo vajza mund të përjetojnë ndryshime në sjellje, humor, vështirësi për të fjetur, ankthe, makthe. Në disa raste, ata flasin për seks në mënyrë të përsëritur, mund të refuzojnë disa anëtarë të familjes ose papritur të ndjejnë frikë ose ankth për të qenë në kontakt me një person të afërt. Duhet të jenë shumë vigjilentë, nëse ka shenja që flasin për dëmtime fizike, skuqje në pjesët intime, çarje vagjinale apo anale. Të rriturit nuk duhet të neglizhojnë këto simptome, ata duhet të jenë vigjilentë, të monitorojnë vazhdimisht dhe në çdo shenjë të kërkojnë ndihmë për të përcaktuar se çfarë po ndodh”, tha ZiberiImeri.

Nga ana tjetër, psikologja Edlira Destani sqaron se abuzuesit e fëmijëve me apo pa diagnozë të pedofilisë, nuk mendojnë se kanë një sëmundje apo çrregullim, ndaj edhe nuk ju shkon në mend që kanë nevojë për trajtim. Ajo sqaron se ata asnjëherë nuk pranojnë bashkëpunim. Por sipas saj, e kundërta është me fëmijët e abuzuar sepse ata mbi të gjitha bartin një dëshpërim të thellë dhe më lehtë pranojnë që t’ju ofrohet ndihmë.

Foto: Edlira Destani
Foto: Edlira Destani

“Shpesh herë pedofilët janë afër ambientit të fëmijës që duan të abuzojnë, kanë mungesë të plotë të empatisë, kanë një vlerësim të ulët të vetes, por të njëjtën pretendojnë edhe që e bëjnë të tjerët, pra nuk e vlerësojnë të tjerët, mund të kenë pësuar abuzime në fëmijëri.  Ndaj edhe fëmijët e abuzuar mund të kenë një përcjellje në abuzues në një moshë relativisht të mesme, nëse nuk merren masa për t’i ndihmuar në kohën e duhur. Fëmijët e abuzuar gjithashtu ndryshojnë sjelljen menjëherë pas abuzimit, bëhen të mbyllur, ndryshojnë ritmin e ushqimit, gjumit dhe aktiviteteve të tjera. Bëhen aksioz, fitojnë elemente antisociale, agresivitet, humbasin besimin edhe tek prindërit në shumicën e rasteve”, tha Destani.

Ziberi-Imeri sqaron se diagnoza nuk është aspak e lehtë dhe pasi zakonisht kalon pa u vënë re për një kohë të gjatë ajo lë shenja emocionale, të cilat sa më të vjetra të jenë aq më të vështira për t’u trajtuar.

“Pasojat psikologjike që kanë qenë të lidhura me përvojën e abuzimit seksual në fëmijëri mund të zgjasin gjatë gjithë ciklit evolucionar dhe të konfigurojnë, në moshën madhore, të ashtuquajturat efekte afatgjata të abuzimit seksual. Gjithashtu është e mundur që viktima të mos zhvillojë probleme të dukshme gjatë fëmijërisë dhe këto të shfaqen si probleme të reja në moshën madhore. Për efektet afatgjata flitet kur ato gjenden dy vjet pas përvojës së abuzimit, që bazuar në shumë studime  ndodhin në afërsisht 20% të viktimave të abuzimit seksual të fëmijëve. Abuzimi seksual i fëmijëve është një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e një sërë çrregullimesh psikopatologjike në moshën madhore, pasi që përvoja e abuzimit seksual prek fusha të ndryshme të jetës së viktimës (fizikë, emocional dhe shoqëror), me çka shumë viktima pësojnë çrregullime serioze në periudhat e mëvonshme të jetës ankth, depresion, vështirësi në vendosjen dhe mbajtjen e marrëdhënieve me të tjerët po edhe çrregullime si Çrregullimet e stresit post-traumatik dhe rrjet të traumave”, tha Imeri.

Si zgjidhje për parandalimin e këtij fenomeni, psikologja Ziberi-Imeri thekson përfshirjen e edukimit seksual në plan programet shkollore, me çka do të përfshiheshin të gjitha palët e rëndësishme ne luftë kundër kësaj dukurie filluar nga familja, shkollat dhe profesionistë të fushave të ndryshme, psikolog, këshillues, punëtor social, organet e policisë, mjekët dhe të gjithë që do ta jepnin në mënyra të ndryshme kontributin e tyre.

“Do e kisha potencuar përsëri edukimin seksual pasi që vlerësojmë se është vendimtar që në vitet e para të jetës. Djemtë dhe vajzat duhet të dinë se trupi i tyre respektohet, se nuk mund të preket dhe abuzohet nga asnjë i rritur i çuditshëm që nuk është babi, mami, gjyshër, motër apo vëlla, për shembull, kur i lajnë. Ata duhet të mësohen të dallojnë një shprehje dashurie nga një përkëdhelje seksuale, të thonë jo kur mendojnë se nuk i respektojnë”, tha Ziberi-Imeri.

Psikologja Destani, po ashtu si kolegja e saj Ziberi-Imeri mendon se është e nevojshme që fëmijëve që në moshën 5-6 vjeçare t’ju mësohet se cilat janë disa elemente që mbajnë larg pedofilët.

“Duhet të njihen se cilat janë prekjet që ju lejohen ti bëjnë të tjerët tek ata dhe cilat jo, afërsia dhe largësia që duhet të kenë me të njohur dhe të panjohur. Prindërit duhet të jenë shumë të vetëdijshëm se pedofilia nuk është abstrakte, pasi deri në 25% e popullsisë së rritur pretendojnë që të paktën një herë në fëmijërinë e tyre kanë qenë në tentim deri në abuzim nga forma pedofilie.  Mosha shkollore e ka të nevojshme që ta fus në program edukativ edhe mbrojtjen nga pedofilët, si duhet të reagojnë, si dhe nga kush të kërkojnë ndihmë. Ndihma për abuzuesit dhe të abuzuarit është një proces shumë afatgjatë. Por e rëndësishme është që familja, kopshtet, shkollat, psikiatrit dhe psikologët të mund të gjejnë një strategji informuese dhe ndërhyrëse sa më efektive”, tha Destani.

Ndryshe, opinioni në vend mori një mesazh të fortë për sa i përket kësaj çështjeje pas bërjes publike të skandalit të “Dhomës Publike” ku shpërndaheshin materiale pornografike të vajzave, ku në mesin e tyre kishte edhe të mitura. Krijuesit e këtij kanali në “Telegram” u dënuan me katër vite burg. Së fundmi, në Shqipëri emisioni televiziv “Piranjat” ka vënë në shënjestër raste të pedofilëve, në Shqipëri dhe Kosovë të cilët abuzojnë me fëmijë-vajza. Një nga pedofilët në këtë rast përfundoi edhe para organeve të drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button