fbpx

Hakatonët janë dera kryesore për një hap drejt promovimit të biznes ideve inovative të të rinjve

Idetë inovative të fituesve të rinj në Hakatonët e të dhënave, që u  organizua nga Fondacioni Metamorfozis në kuadër të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrje Qytetare, si dhe në iniciativa të tjera në rajon, dëshmuan potencialin e tyre të madh në panelin e sotëm me temë “Çfarë mund të bëhet me të dhëna të hapura?”, që u mbajt në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për të Dhëna të Hapura, transmeton Meta.mk.

Programuesit dhe biznesmenët e rinj para audiencës, e cila shfaqi interes jashtëzakonisht të madh, i prezantuan projektet e tyre që i kanë krijuar duke i përpunuar të dhënat publike në mënyrë që, siç tha Tanja Marash, eksperte e lidhjes digjitale nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, të lejojë rrjedhën e lirë të të dhënave për të arritur lidhje unike mes sektorit publik dhe privat në rajon.

Ndër projektet me të cilat u njoh publiku ishte projekti i Novica Nakovit, përfaqësues i Disindo, i cili me një video i prezantoi mundësitë për hartimin e buxheteve komunale.

Versioni i tij provë i hartës interaktive, shpjegoi ai, e lehtëson qasjen dhe mënyrën se si mund të shqyrtohen dhe përpunohen buxhetet komunale. Në këtë mënyrë, sipas Nakovit, thjeshtësohet dhe është më i kuptueshëm interpretimi i kodeve buxhetore për gazetarët, por edhe për secilin që ka nevojë të marrë ndonjë informacion. Për më tepër, nëpërmjet aplikacionit mund të zgjidhni ekrane dhe vizualizime të ndryshme interaktive, grafikë që mund të përdoren për prezantime. Ka edhe tabela të të hyrave dhe shpenzimeve që mund të analizohen në mënyra të ndryshme dhe për shkak se elzistojnë të dhëna të arkivuara për të gjitha ose për komuna të caktuara, mund të bëhen analiza për krahasime të periudhave të caktuara kohore.

Ali Avzaj gjatë prezantimit të aplikacionit, i cili është në fazën e zhvillimit dhe synon përpunimin e të dhënave për shkollat ​​e mesme, tha se gjatë përpunimit të të dhënave ishte befasuese se sa kazino ndodhen në afërsi të shkollave.

Ai theksoi se një nga problemet me të cilat janë përballur gjatë zhvillimit të aplikacionit, që duhet të përdoret nga nxënësit dhe prindërit kur zgjedhin shkollën më të mirë, është se shumë shkolla nuk i kishin publikuar adresat e sakta.

Një problem tjetër që u shfaq gjatë punës, të cilin ata e zgjidhën me ndihmën e Metamorfozis, ishte mungesa e informacioneve më të detajuara për shkollat, e këtë u desh ta kapërcenin duke plotësuar një pyetësor.

Simeon Markovski nga Data Grabers, e prezantoi zgjidhjen e tij digjitale për një aplikacion që i vë në hartë të gjitha barnatoret dhe institucionet mjekësore dhe i krahason çmimet e barnave. Sipas pritshmërive të tij, aplikacioni duhet të hyjë në funksion së shpejti.

“Jemi në proces të përsosjes dhe kemi grumbulluar rreth 17 mijë produkte. Nëse një përdorues dëshiron të blejë një produkt të caktuar në ndonjë farmaci, ai do të mund të shohë në hartë distancën e farmacisë, si dhe do të mund të shohë çmimet. Kështu, përdoruesit do të mund të gjejnë produktin më të lirë që do të renditej sipas një algoritmi të caktuar,” tha Markovski.

Tha se pret që në të ardhmen nëpërmjet aplikacionit të identifikohen edhe shërbimet shëndetësore, gjë që do të ishte e dobishme për institucionet kompetente për të identifikuar shërbimet shëndetësore të cilat mungojnë në rajone të caktuara.

Markovski shprehu shpresë se kur ky mjet digjital të bëhet funksional, do të jetë motiv për farmacitë që të rrisin përgjegjësinë shoqërore dhe të përditësojnë e ripërtërijnë më shpesh të dhënat e çmimeve të barnave për t’i vënë ato në dispozicion për publikun.

Nenad Jovanovski nga Bifrost, Serbi u prezantua me një eko ide inovative. Ai e prezantoi zgjidhjen e tij për prodhimin e bio plastikës nga kërpi industrial.

“Kjo nuk është vetëm një zgjidhje softuerike, ajo ka një sfond të madh. “Zgjidhja jonë lindi qysh në fillimet e krizës së koronës kur morëm pajisje për të printuar maska ​​​​mbrojtëse 3D për stafin mjekësor dhe për shkak se vijmë nga një organizatë që është miqësore me mjedisin, ne u përpoqëm të krijonim eko zgjidhje për të reduktuar përdorimin e plastikës“, tha Jovanovski.

Ai shtoi se është duke punuar në një projekt për prodhimin e kutive për ambalazhimin e ushqimeve dhe se rezultatet e testeve të deritanishme kanë treguar se produkti i tij është 100% i degradueshëm.

“Besojmë se ky material mund të ndryshojë rregullat e lojës sepse shumë vende po e ndalojnë dhe do ta ndalojnë përdorimin e plastikës,” tha Jovanovski.

Shtoi se zgjidhja softuerike kërkon shumë të dhëna, duhet të sigurohet një patentë për mbrojtje të pronës intelektuale. Ndërsa ai dhe bashkëpunëtorët e tij është dashur të projektonin edhe makinat për prodhimin e kutive.

Megjithatë, siç tha Jovanovski, i tërë procesi kërkon të përgatitet shumë dokumentacion.

“Ne ishim vendi i parë që mendoi për të zgjeruar idenë e biznesit në Maqedoni sepse ka partnerë dhe prodhues cilësorë dhe të vlefshëm të kërpit industrial. Duam të zgjerohemi në vendet e tjera të rajonit”, tha Jovanovski.

Sanella Pajazitoviq, krijuese e aplikacionit Pokupi nga Mali i Zi, tha se është frymëzuar nga miqtë e saj nga jashtë, të cilët shpesh vinin në aeroportin e Podgoricës dhe nuk dinin si të thërrisnin taksi.

“Mali i Zi, i cili është një vend turistik, nuk kishte një aplikacion që turistët të thërrisnin një taksi nëpërmjet një aplikacioni, prandaj kanë qenë të detyruat të udhëtojnë me shoferë që paraqiteshin si taksistë”, tha Sanella.

Aplikacioni i saj tani funksionon në katër gjuhë dhe do të përmirësohet edhe për personat me aftësi të kufizuara, megjithatë edhe ajo është përballur me një sërë problemesh për ta krijuar aplikacionin.

“Hulumtimet u desh t’i bënim vetë. Duke qenë se janë shumë të shtrenjta dhe shumë prej tyre u desh të bëhen nëpërmjet bisedave personale për të parë nevojat e industrisë,” tha Pajazitoviq.

Ajo theksoi se për të aktivizuar aplikacionin, ndonëse ka kompani TI, është dashur të regjistrojë edhe një kompani dispeçer për të plotësuar kuadrin ligjor për punë.

Gjithashtu theksoi se janë përballur me mungesën e kulturës së pagesave me kartë tek taksistët dhe kompanitë e taksive.

“Në industrinë e taksive, mund të jetë frika nga teknologjitë e reja dhe kalimi në një mënyrë të re të ofrimit të shërbimeve, por një problem me të cilin u përballëm është edhe ekonomia informale”, tha Pajazitoviq.

Prezantimet u ndoqën me shumë reagime pozitive dhe dëshirën e audiencës për përfshirjen e këtyre aplikacioneve, duke përfshirë aplikacionin e Simeon Markovskit, në aplikacione më të mëdha si Smart Cities, sepse do të ishin shumë të dobishme jo vetëm për vendasit por edhe për vizitorët e huaj. Dhe, nëse vërtetohet ka interes për përdorimin e aplikacionit, Agjencia e Barnave mund të detyrojë ligjërisht farmacitë të publikojnë në mënyrë transparente çmimet e barnave.

Gjithashtu, panelistët i befasoi oferta e kryetarit të Federatës Ndërkombëtare të Biznesmenëve dhe Investitorëve për Maqedoninë dhe Ballkanin, Mahmud Elkolali, për reklamë njëvjeçare falas në mënyrë që ata të ofrojnë ndonjë nga produktet e tyre për shitje ne Egjipt dhe Emiratet.

Në diskutim u theksua edhe rëndësia e organizimit të hakatonëve. Sipas panelistëve, ato janë dera kryesore për hap drejt promovimit të biznes ideve inovative të të rinjve.

“Hapi i parë është hapi më i vështirë dhe kur ke një grup njerëzish që janë këtu për t’ju ndihmuar në hapat e parë, është shumë e rëndësishme për arritjen e qëllimit”, konkluduan pjesëmarrësit në diskutim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button