Antikorrupsioni: Të shfuqizohet “Balancuesi”, pasi kandidatë të caktuar aplikojnë për punë duke gënjyer për kombësinë

Komisioni për Parandalim të Korrupsionit (Antikorrupsioni) ka konstatuar dobësi të përdorimit të “balancuesit” gjatë punësimit të zyrtarëve administrativ, gjegjësisht nuk është konstatuar procedurë për kontroll të besueshmërisë së të dhënave e as nuk është bërë bazë e unifikuar nga e cila do të merren të dhëna për përkatësinë etnike të kandidatëve, njofton Portalb.mk.

Nga Antikorrupsioni propozojnë që në Ligjin e ri për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligjin për Zyrtarë Administrativ të parashikohet mjet efikas për parandalimin e keqpërdorimit të balancuesit gjatë punësimit në sektorin publik ose të shfuqizohet balancuesi, pasi që është transformuar në mjet për keqpërdorim dhe nënçmim.

Kjo është theksuar, pasi që Antikorrupsioni ka ngritur iniciativë për ndjekje penale të dy personave për kryerjen e veprës penale keqpërdorim të deklarimit të përkatësisë etnike të parashikuar sipas balancuesit për përfaqësim përkatës dhe të drejtë të komuniteteve etnike gjatë punësimit në sektorin publik

Anëtari i Antikorrupsionit, Nuri Bajrami, theksoi se kjo lëndë është formuar sipas detyrës zyrtare pas publikimit të shpalljes më 23 mars të vitit 2022 nga Antikorrupsioni për punësimin e 13 zyrtarëve administrativ, dy prej të cilëve janë deklaruar si përfaqësues të një komuniteti etnik, ashtu siç kërkohet në shpallje, edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se i përkasin një përkatësie tjetër etnike.

Sipas analizës së dokumentacionit të plotë, P.B. me kombësi shqiptare, ka aplikuar në 5 vende pune, në të cilat sipas balancuesit në 3 është kërkuar që përkatësia të jetë maqedonase, në një shqiptare dhe tjetrën rome. Nga ana tjetër, kandidati maqedonas A.R. ka kandiduar për vendin e punës që sipas balancuesit duhet të jetë për pjesëtar të kombësisë turke.

“Antikorrupsioni ka konstatuar se ka dyshim të  bazuar se kandidati P.B.. dhe A.R. me qëllim të përfitimit personal – punësim në Antikorrupsion kanë paraqitur të dhënë të ndryshme për përkatësinë etnike në paraqitjen elektronike për punësim në shpalljen publike, krahasuar me të dhënën për përkatësi në Agjencinë për Punësim”, deklaroi Bajrami.

Anëtari tjetër i Komisionit, Goran Trpenovski, i ka ftuar Kuvendin dhe të gjithë aktorët dhe partitë politike që të mendojnë nëse është koha që të shfuqizohet balancuesi, duke theksuar se regjistrimi është bërë, janë hapur universitete dhe situata nuk është siç ka qenë më herët, të mund të ketë kuota.

“Sipas kësaj, të gjithë ne mund të paraqitemi në 5-6 nacionalitete të ndryshme dhe askush asgjë s’mund të të bëjë. Për atë e mbështes shfuqizimin e balancuesit dhe të mendohet që të mos ketë më kuota. Është koha që kualiteti të vijë në skenë”, tha Tërpenovski.

Sipas Katica Nikollovskës, është koha përfundimtare që të bëhet diçka për këtë pasi që situata në punësimet te ne e ka devalvuar dinjitetin njerëzor, që të mund të bëjë disa përjashtime që të hyjë në punë, edhe pse siç tha, me Kushtetutë është e garantuar e drejta e barabarësisë gjatë punësimit.

Sofka Pejkovska-Dojçinovska, anëtare e Antikorrupsionit, tha se balancuesi ndoshta në fillim kur u vendos ishte mjet për përfaqësim të drejtë, por dukshëm tani është në kundërshtim me atë.

Shemsi Sallai, gjithashtu anëtar, tha se balancuesi duhet ose të rregullohet ose të shfuqizohet, por se përgjegjësia më e madhe është e institucionit që ka lejuar që të zbatohet ky veprim se sa e vetë personave të cilët, siç tha, nga halli janë paraqitur vetëm që të punësohen dhe ftoi që të shqyrtohet përgjegjësia e vetë Agjencisë për Punësim dhe institucioneve tjera që kanë heshtur dhe kanë lejuar që të punësohen personat.

Ndryshe, problemi i ndryshimit të përkatësisë etnike vetëm sa për t’u punësuar është i kamotshëm. Në janar të vitit 2020, drejtori i Agjencisë së Administratës, Spase Gligorov, për Portalb.mk, deklaroi se ata nuk kanë mekanizëm ligjor me të cilin do ta parandalonin këtë situatë.

“Nuk kemi mekanizëm ligjor që të konstatojnë se dikush është shqiptar apo maqedonas. Kjo është problem dhe duhet që të korrigjohet që të mos vihet deri te këto situata. Nuk ekziston dokument në shtet në të cilën shkruan përkatësia nacionale. Kur aplikohet për konkurs publik, në vetë aplikimin shkruhen të dhënat personale në mesin e të cilave shkruhet edhe përkatësia etnike. Atje çdo kandidat si të dëshirojë e shkruan. Dhe ne ashtu i trajtojmë deri në fund të procedurës, pra ashtu siç janë deklaruar. Ne nuk kemi as mekanizëm e as të drejtë që të kontrollojmë përkatësi etnike. Kjo nuk është e re, kjo ka ndodhur në periudhën e kaluar dhe është problem, megjithatë ne nuk kemi mekanizëm ta parandalojmë”, tha për Portalb.mkGligorov.

LEXO: Maqedonasit e punësuar si shqiptarë, drejtori i Agjencisë së Administratës: S’kemi mekanizëm ligjor për ta penguar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button