Maqedonia mund të përballet me shumë sfida nëse shtyhet sërish procesi i eurointegrimeve

Shtyrja eventuale e fillimit të procesit negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të sjellë pasoja dhe sfida të mëdha për vendin, por edhe Ballkanin Perëndimor. Bullgaria vazhdon të mbetet në qëndrimin për vendosje të vetos ndaj Shkupit edhe pse kohëve të fundit, presionet nga faktori ndërkombëtar ndaj saj sa vinë e rriten, transmeton Portalb.mk.

Pritshmëria e komisionerit të BE-së për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë Oliver Varheji pas takimit me liderët bullgarë – presidentin Rumen Radev, kryeministrin Kiril Petkov dhe ministren e jashtme bullgare Teodora Gençovska, është që në afat prej tre javësh Sofja të pajtohet për fillimin e procesit të negociatave me Shkupin.

Presioni për zgjidhjen e ngërçit erdhi edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, Josep Borrell para disa ditësh, i cili deklaroi se po vendos një afat kohor për zgjidhjen e mosmarrëveshjes deri në fund të qershorit dhe paralajmëroi se do të kishte krizë serioze në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor nëse kjo mosmarrëveshje nuk zgjidhet.

Malinka Ristevska Jordanova

Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane, thotë se vendi do të përballet me tre sfida kyçe nëse eventualisht edhe njëherë shtyhet ky proces.

Sfida e parë, sipas saj, është rritja e mundshme e presionit mbi politikën e jashtme, pra problematizimi i orientimit 100% drejt BE-së dhe lënia e hapësirës për ndikime të tjera të huaja.

Sfida e dytë është rritja e ndarjeve të brendshme politike sipas linjave partiake dhe etnike, që mund të çojë në rritjen e paqëndrueshmërisë politike. Kjo më së shumti do të varet nga ajo se sa partitë do ta përdorin këtë çështje për përdorim të brendshëm politik, të cilit padyshim nuk mund t’i rezistojnë. Sfida e tretë dhe për mua më e madhja është përdorimi i mungesës së negociatave si justifikim për moszbatimin e reformave, pasi nuk pati shtysë të fortë të jashtme përmes negociatave”, deklaron Jordanova.

Ndërkohë si pengesë për zgjerimin e Unionit shihet propozimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për krijimin e një organizate të re politike me qëllim të bashkimit të vendeve që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.

Analisti Selim Ibraimi, në kolumnën për Portalb.mk, shprehet se Parisi qysh moti është shprehur kundër anëtarësimeve të reja të shteteve që nuk i plotësojnë kriteret ose për arsye të sigurisë evropiane-të drojës nga konfliktet siç është rasti tani me Rusinë, BE-ja ka ka qenë dhe është kundër anëtarësimeve të reja në union. Brukseli dhe Parisi, shton ai, janë larg projektit të përfshirjes së Ballkanit në BE. Dhe këtu roli francez po bëhet gjithnjë e më i çuditshëm brenda BE-së ashtu njëjtë siç po ndodh në raport me Rusinë.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

“Nga Franca, Holanda dhe Danimarka duhet të kemi një qëndrim më të qartë. Nëse janë për një BE bashkë me Ballkanin apo jo. Nga ana tjetër, disa kritikë thonë se një bllok apo një Ballkan me një shpejtësi tjetër do të shkonte në favor të vetë qeverive ballkanike deri në plotësimin e kushteve dhe ndërtimit të paqes ndëretnike. Megjithatë, deri në një gjendje më të qetë, nuk dihet se çfarë mund të ndodhë me Ballkanin përderisa Brukseli dhe Parisi të kujtohen t’i hapin dyert. Nëse me këtë ide do të pajtohen shtetet anëtare të unionit, atëherë nuk është për tu habitur që “Open Balkans” të “zëvendësojë” BE-në. Gjasat janë që Franca dhe disa shtete në BE të vazhdojnë të mbajnë një qëndrim refuzues e të heshtur ndaj Ballkanit dhe shteteve të Evropës Lindore”, thotë Selimi.

Lidhur me pasojat dhe rreziqet që e presin Ballkanin Perëndimor, në rast të pengimit të zgjerimit të BE-së, Ibraimi thotë se, mund të shfaqet droja jonë e kahershme se Ballkani mund të ndahet formalisht në nën blloqe dhe sipas interesave gjeopolitike globale dhe rajonale.

“Frika më tej qëndron te krijimi i aleancave ashtu njëjtë si para një shekulli. Mirëpo, deri në fund të vitit asgjë më shumë nuk mund të themi, përderisa jemi në pritje të zgjidhjes së çështjes me Bullgarinë, ku Franca ka deklaruar se do të organizojë konferencën e parë-ndërqeveritare në mes dy vendeve. Historikisht Franca ka luajtur në disa karta dhe ka lënë përshtypje se nuk është aktor global serioz”, thotë Ibraimi.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button