ANALIZË: Punëtorët nga RMV masivisht largohen për të punuar buzë detit për pagë prej 800 deri në 1.000 euro

“Ofrohet rrogë nga 800 deri në 1.000 euro, kërkohet kamerier/banakier, 9 orë pune” – kjo është vetëm një nga shpalljet e shumta për punë sezonale në Zagreb të Kroacisë. Ka filluar sezoni veror – këtë vit destinacioni “hit” për punë sezonale në hoteleri është Kroacia. Rrogat arrijnë deri në 1.500 euro. Ndërsa hotelet dhe restorantet kroate po mbushen me punonjës të kualifikuar nga Maqedonia e Veriut, hotelierët vendas po përballen me deficit, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Çfarë ofrohet – rrogë, akomodim, ushqim, viza pune…

Greqia dhe Kroacia janë destinacionet më tërheqëse për punë sezonale këtë verë. Shumë nga punonjësit në bare, kafene, restorante shkojnë jashtë vendit. Rroga veçanërisht të larta me akomodim të siguruar, viza pune, bonuse ofrohen nga Kroacia.

“Po iki për rrogë prej 1.300 eurosh, do të punoj më shumë se 8 orë, por duhet të iki të paktën tre, katër muaj. Nuk kam shpenzime për akomodim, ushqim” – thotë punonjësi i një kafeneje në Shkup.

“Piku” i verës nis zyrtarisht më 1 qershor, por disa nga “punëtorët sezonalë” janë larguar që nga maji. Në bregdetin dhe ishujt kroatë kërkohen banakierë, kamerierë, kuzhinierë, pastrues, mjeshtra picash. Lartësia e rrogave varet nga pozicioni i punës, orët e punës, përvoja, por rrogat përgjithësisht nuk janë më të ulëta se 900 euro në muaj. Shpalljet janë plot me oferta:

“Punë për kuzhinier kryesor, ndihmës kuzhinier, mjeshtër picash në një restorant buzë detit. Rroga e kuzhinierit kryesor është 1.485 euro, e mjeshtrit të picës 1.215 euro”.

Për kuzhinier kryesor, rroga mujore në disa nga restorantet kroate arrin pothuajse 1.800 euro, ndërsa një kamerier mund të kalojë edhe 1.200 euro në muaj.

“Orari i punës 9 orë. Akomodimi në ishull, ushqimi i siguruar, leje pune, transferim i paguar deri në destinacionin përfundimtar. Asistent kuzhine – rroga 1.080 euro, kamerier në restorant 1.000 euro” – shkruan në një shpallje tjetër.

Përveç kamerierëve, banakierëve, kuzhinierëve, disa nga komplekset hoteliere në Kroaci kërkojnë edhe staf tjetër – estetistë. Kryesisht orari i punës për këto punësime sezonale varion nga 8 deri në 10 orë. Në disa nga shpalljet kërkohet njohuri e gjuhës angleze dhe përvojë. Interesi për t’u larguar, veçanërisht në Kroaci, është shumë i madh.

Sezoni përfundon në tetor, që do të thotë se me një rrogë mujore prej të paktën 1.000 eurosh dhe shpenzime të paguara nga punëdhënësit, fitohen 4.000 euro për katër muaj, pa “bakshish” të përfshirë, i cili në destinacionet tërheqëse turistike dhe restorantet e mbushura me mysafirë mund ta rrisin dukshëm këtë shumë.

Sektori i hotelerisë në Maqedoni ka mungesë të punëtorëve

“Gjatë pandemisë, masave për parandalimin e Kovidit, karantinave, u përpoqëm t’i mbanim punonjësit. U shfrytëzuan të gjitha masat e mundshme nga shteti për të shpëtuar çdo vend pune, kemi paguar taksa edhe kur nuk kemi punuar apo kur kemi punuar me humbje. Tani po përballemi me një problem të ri, është pothuajse e pamundur të gjejmë punonjës të trajnuar për punësim në industrinë e hotelerisë. Në disa objekte hoteliere rrogat kalojnë edhe 40.000 denarë, por edhe me këto rroga është e vështirë që punëtorët të motivohen to mos largohen jashtë vendit, sidomos ata më të rinjtë” – thotë pronari i një restoranti.

Një tjetër pronar kafiterie, thotë se me muaj po përpiqet të gjejë kamerierë dhe se ata që aplikojnë për punë janë kryesisht të rinj, shpesh pa përvojë dhe kur e fitojnë përvojën, largohen.

Industria e hotelerisë ishte në grupin më të prekur nga pandemia e Kovidit, shumë prej tyre punonin me humbje, duke paguar fatura, taksa, rroga edhe pse punonin me kufizime. Tani ata po përballen me një largim masiv të punonjësve të kualifikuar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, këto veprimtari janë renditur lart sipas numrit të vendeve të lira – në pozitën e katërt me gati 1.000 vende të lira të punës.

Vende të lira pune në RMV
Vende të lira pune në RMV

Ka mungesë kamerierësh dhe banakierësh, ose në vend ka mbi 360 vende të lira pune për kamerierë dhe mbi 200 për banakierë. Vitet e fundit, problemi me punëtorët sezonalë jashtë vendit ka marrë hov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button