Qeveria: Ende nuk ka vendim zyrtar për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës

Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk konfirmon se ende nuk kanë miratuar vendim për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës, pasi e njëjta nuk është diskutuar ende në seancat e Qeverisë. Kryetari i Komunës së Tetovës tha se janë në pritje të vendimit sipas afateve ligjore.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se shkresa nga Komuna e Tetovës i është dorëzuar Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, e cila në procedurë të mëtutjeshme në afatin e përcaktuar ligjor e ka njoftuar apo dorëzuar në Qeveri, por vendim ende nuk ka.

“Në këtë drejtim, duam të konfirmojmë se letra është në procedurë qeveritare, por deri më tani kjo çështje nuk është diskutuar në seanca. Menjëherë pas përfundimit të procedurave të nevojshme dhe konkluzioneve apo vendimeve të miratuara, publiku do të informohet në kohën e duhur”, thanë nga Qeveria për Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se institucionet e ekzekutivit janë të informuar dhe janë në pritje të përgjigjes.

“Mund të them se nëse Qeveria në afat prej një muaji sipas ligjit nuk sjell vendim, atëherë do të konsultohemi me të gjitha grupet e këshilltarëve që këshilli të vazhdojë me punë”, tha Bilall Kasami.

Çfarë ka ndodhur dhe çka më tutje? 

Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal, pasi këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Kryetari i Komunës së Tetovës e ka shkelur nenin 33 të  Ligjit për financim të pushtetit lokal, pasi nuk e ka dorëzuar projektligjin vjetor për miratim në Këshillin e Komunës, më së voni deri më 28 shkurt. Nga ku më pas Këshilli është dashur ta miratojë llogarinë vjetore për vitin paraprak më së voni deri më 15 mars dhe të ja dorëzon Ministrisë së Financave më së voni deri më 31 mars të këtij viti.

Pika e miratimit të llogarisë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Tetovës për vitin 2021, në vend se të mbahet më 31 mars, kur ishte afati i fundit ligjor, atë ditë vetëm u lajmërua se kjo pikë së pari herë në rend dite do të jetë në seancën e nëntë e cila u mbajt me 7 prill 2021. Në këtë datë, pika nuk u miratua në këshill pasi këshilltarët kërkuan sqarime shtesë për të. Në seancën e fundit, të dhjetën, me  27 prill, seanca dështoi, andaj dhe kjo pikë sërish nuk arriti të miratohet.

Për rastin në fjalë, sipas dispozitave ligjore, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me 5 maj e ka pranuar njoftimin nga Komuna e Tetovës për plotësimin e kushtit për shpërbërje të Këshillit Komunal.

MVL, më 9 maj na informoi se kanë paraqitur propozim Qeverisë së RMV-së për shpërbërje të këtij këshilli.

Qeveria, në afat prej një muaj nga dita e pranimit të propozimit duhet të sjell vendim për shpërndarjen e këshillit sipas fuqisë ligjore. Afati që Qeveria të sjell vendim për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës është deri me 6 qershor, dhe të njëjtin ta publikojë në Gazetën Zyrtare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) tha se sipas nenit 16 dhe 159 të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e mundshme të parakohshme për Këshillin e Komunës së Tetovës shpallen pas plotësimit të kushteve të përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Rrjedhja e këtij procesi varret nga ajo se çfarë do të vendos Qeveria më tej për Këshillin e Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button