Projekti “Radika Village” u anulua, kompania e planifikimit mund të mbetet pa licencë

Lagjja private luksoze “Radika Village” kinse ndërtohej konform ligjit. Lejen për realizim e ka miratuar pushteti lokal i Mavrovës dhe Rostushës. Katër vite më vonë, komuna me urdhër të Inspektoratit Shtetëror për Urbanizëm e anuloi projektin e Planit Arkitekturor – Urbanistik (PAP) me të cilin parashikohej ndërtimi i 87 vilave luksoze. Gjithashtu kërkohet heqja e licencave të kompanisë së planifikimit që ka përgatitur këtë dokument dhe kompanisë që është angazhuar për mbikëqyrje. IRL tashmë ka njoftuar se, në kundërshtim me rregulloret, me lejen e autoriteteve lokale, po realizohet një ide biznesi për turizmin elitar – me vila luksoze në zemër të Parkut Kombëtar të Mavrovës, të cilat ishin planifikuar të shiten nga 200.000 euro, shkruan IRL, transmeton Portalb.mk.

Katër vite më parë, Komuna e Mavrovës dhe Rostushës, në krye me kryetarin Medat Kurtovski nga LSDM-ja, miratoi projektin megaloman “Radika Village”. Tani me urdhër të Inspektoratit Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, e njëjta administratë lokale e ka hequr dokumentacionin e planifikimit (projekt arkitektonik-urbanistik), pasi inspektorët kanë përcaktuar parregullsi në procedurë.

Inspektorati Shtetëror ka kërkuar përgjegjësi edhe nga kompania projektuese “Pologproekt-pro” nga Gostivari, e cila e ka zhvilluar projektin me kërkesë të investitorit “Radika Resort”. Inspektorati kërkon nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve  t’ia heqë licencën e funksionimit “Pologproekt-pro”.

“Ka kërkesë për heqjen e licencës për kompaninë konkrete. Aktualisht shërbimet profesionale në Ministri janë duke i shqyrtuar dokumentet e dorëzuara dhe do të veprojnë në përputhje me rregulloret ligjore”, u përgjigjën nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

IRL i është drejtuar edhe Komunës së Mavrovës dhe Rostushës, por ato nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me këtë rast. Kryetari Medat Kurtovski na konfirmoi përmes telefonit se PAP është shfuqizuar dhe na porositi që të kërkojmë përgjigje më të detajuara nga shërbimet komunale. Mirëpo, as shërbimet e profesionale nuk iu përgjigjën pyetjeve.

Siç ka raportuar më parë IRL, projekti “Radika Village” është ideja e një prej njerëzve më të pasur në Shqipëri dhe ish-konsullit të Maqedonisë në Durrës – Aleksandër Pilo. Ai ka qenë pronari i parë i Hotel Radika kur objekti luksoz kaloi nga shteti në pronësi private. Në vitin 2017, hoteli së bashku me 170 mijë metra katrorë tokë u ble nga kosovari Sherif Ramuka dhe filloi procedura për ndërtimin e fshatit luksoz “Radika Village”.

Nga 87 shtëpitë e planifikuara, deri më tani janë ndërtuar 17, prej të cilave 10 të parat janë me leje ndërtimi në bazë të planit urbanistik për fshatin, ndërsa shtatë të tjerat janë miratuar me projekt arkitektonik-urbanistik.

Në ndërtim ishin edhe nëntë vikend-shtëpiza të tjera nga projekti, por në shtator të vitit të kaluar inspektori komunal i ndërtimit Qirko Xhukovski kishte marrë vendim për rrënim me arsyetim se ato ndërtohen pa leje ndërtimi. Kështu, investitorit iu dha një afat prej 15 ditësh për t’i prishur vetë nëntë objektet dhe nëse nuk e bën këtë në afatin e paraparë, detyrimin për shembje e merr komuna. Mirëpo, as investitori dhe as komuna nuk i kanë hequr objektet për të cilat ka kontest.

Më vonë Komisioni inspektues i shkallës së dytë duke vepruar në bazë të ankesës nga investitori, e anuloi vendimin për rrënimin e inspektorit Xhukovski, me arsyetimin se nuk i ka respektuar dispozitat themelore ligjore në përgatitjen e procesverbalit të dy inspektimeve të “Radika Village”, si dhe në sjelljen e vendimit për rrënimin e objekteve kontestuese. Xhukovski, i cili ka kohë që është i punësuar në komunë, tani është në pozitën e inspektorit ndërtimor, ndërsa para dy vitesh ka qenë udhëheqës i Sektorit për Urbanizëm dhe i ka nënshkruar lejet e ndërtimit.

Komuna Mavrovë dhe Rostushë deri sot nuk kanë rrënuar asnjë objekt të vetëm të ndërtuar ilegalisht në territorin e tyre. Këtë vit, në shkurt, për herë të parë është shpallur prokurimi publik për përzgjedhjen e një kompanie që do të prishë objektet pa leje, por ky tender është anuluar me arsyetimin se “nuk është paraqitur asnjë ofertë apo asnjë ofertë e pranueshme”.

Vitet e fundit, Mavrova është shndërruar në një oazë prestigjioze ndërtimi që bazohet në luksin e paketuar në një uikend destinacion elitar vetëm 100 km nga Shkupi. Dhjetëra objekte banesore, shtëpi, hotele janë në ndërtim e sipër… Por, meqenëse pjesa më e madhe e territorit të kësaj komune është në kuadër të Parkut Kombëtar “Mavrovë”, për këto aktivitete duhet të kërkohet ekspertizë nga Departamenti i Natyrës, departament special në Drejtorinë e Mjedisit Jetësor. Nga viti 2015 komuna vetëm një herë ka kërkuar ekspertizë për Planin Urbanistik të fshatit Bitushe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button