fbpx

Parlamenti Evropian kërkoi që BE-ja t’i fillojë negociatat me RMV-në dhe Shqipërinë

Parlamenti Evropian i kërkon Këshillit të Bashkimit Evropian që t’i hapë negociatat për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse i kanë plotësuar kushtet dhe kanë dhënë rezultate të qëndrueshme, njofton Portalb.mk.

Në kontekstin gjeostrategjik të luftës në Ukrainë, deputetët vlerësojnë se dështimi për të vepruar mund të ketë “implikime të rëndësishme historike të sigurisë për stabilitetin e Evropës”.

Në seancë plenare, Parlamenti i miratoi raportet vjetore për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me 519 vota “për”, 52 “kundër” dhe 28 “abstenime”.

“Parlamenti Evropian i kërkon Këshillit që t’i nis zyrtarisht negociatat për anëtarësim me këto dy vende, duke vënë në dukje kontekstin gjeostrategjik të marrëdhënieve me Rusinë dhe agresionin e saj kundër Ukrainës. Eurodeputetët i bëjnë thirrje BE-së që t’i vlerësojë në mënyrë kritike implikimet e rëndësishme historike të sigurisë, të një vendimi për stabilitet dhe unitet në kontinentin evropian dhe në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën për shtyp.

Për Maqedoninë e Veriut, deputetët vlerësuan se ka rekordin më të mirë të tranzicionit demokratik në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar sundimin e ligjit, pavarësinë gjyqësore, të drejtat e pakicave, por edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Maqedonia e Veriut ka demonstruar rekordin më të mirë të tranzicionit demokratik në të gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor dhe është plotësisht në linjë me politikën e jashtme të BE-së përballë agresionit rus kundër Ukrainës. Duke pasur parasysh kontekstin më të gjerë gjeostrategjik dhe se vendi ka dhënë rezultate të qëndrueshme, ne bëjmë thirrje që negociatat e anëtarësimit të cilat janë të vonuara të fillojnë zyrtarisht. E mirëpresim angazhimin pozitiv për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe i bëj thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të gjejnë zgjidhje të pranueshme reciproke”, tha raportuesi i PE-së për RMV-në, Ilhan Kyçuk.

Ministria e Punëve të Jashtme e përshëndet miratimin e Rezolutës së Parlamentit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut në seancën plenare të sotme në Strasburg.

“Ashtu si deri më tani, Parlamenti Evropian dërgoi një mesazh të qartë politik për rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian dhe fillimit të menjëhershëm të negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Inkurajon fakti që teksti i Rezolutës u mbështet nga një numër i madh deputetësh të Parlamentit Evropian, duke reflektuar mbështetjen e spektrit më të gjerë politik në kuadër të BE-së”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Ata shtojnë se është veçanërisht e rëndësishme që Parlamenti Evropian e rikonfirmoi rëndësinë strategjike të Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmen e tyre si pjesë e familjes evropiane.

“Fillimi i negociatave të anëtarësimit dhe anëtarësimi në BE është një investim i fortë për stabilitetin, jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për BE-në, veçanërisht në kontekstin aktual të sigurisë në Evropë. Në këtë drejtim, ne mirëpresim thirrjen e Parlamentit Evropian për tejkalimin e çështjeve bilaterale jashtë procesit të anëtarësimit, që është në frymën dhe parimet e procesit të anëtarësimit. Parlamenti e njeh gjithashtu progresin e reformave të vendit dhe gatishmërinë e tij për të nisur menjëherë negociatat me BE-në”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Eurodeputetët, sot gjithashtu e vlerësojnë orientimin strategjik dhe angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian dhe shprehin mbështetjen e tyre të qartë për transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE.

Ata i kërkojnë Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të funksionuar në mënyrë më efikase gjyqësorin, për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë.

“Shqipëria mbetet një partner strategjik plotësisht i besueshëm dhe i përkushtuar. Ajo vazhdon të ecë përpara me reformat themelore të BE-së dhe po përmbush dhe ruan kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Është e drejtë që Këshilli të pranojë përfundimisht të hapë negociatat e vonuara me Shqipërinë, jo më pak përballë sfidave gjeostrategjike në rritje”, tha raportuesja e PE-së për Shqipërinë Isabel Santos.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button