fbpx

Pas 55 vitesh përçarje, kishat e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut mbajtën liturgji të përbashkët pajtimi

Në Kishën “Shën Sava” në Beograd në mëngjes është mbajtur liturgjia disaorëshe e pajtimit mes kishave të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Pas 55 viteve, Kisha Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) bashkë mbajtën shërbesë, pasi që KOS deklaroi se me liturgjinë e pajtimit do ta rinovojë komunitetin liturgjik dhe kanonik të dy kishave simotër, në pajtueshmëri me vendimin e Kishës së KOS, i cili është miratuar para disa ditëve në Nish, njofton Portalb.mk.

“Me vendim të KOS që të vendoset unitet eukaristie në tërë botën ortodokse dhe me këtë liturgji hierarkike në vepër e treguam unitetin, se jemi bashkë dhe një në fe, me çka konfirmuam unitet mes dy kishave tona dhe me atë unitet mes të gjitha kishave lokale”, theksoi kryepeshkopi i KOM-KO, z.z. Stefan.

Ai i falënderoi klerikët serbë për mirëkuptimin dhe vetëm disa ditë pasi Patrikana Ekumenike miratoi vendim për pranimin e KOM-KO, në të njëjtën frymë miratuan vendim për vendosjen e unitetit kanonik mes dy kishave.

“Me këtë akt të sotëm, me të cilin u konfirmua nevoja për dashuri dhe unitet në kishë, është ilaç i pazëvendësueshëm me të cilin shërohet plaga në kishë. Vendosja e unitetit mes dy kishave, është ngjarje të cilës i gëzohen edhe Shën Klimenti i Ohrit dhe Shën Sava”, tha z.z. Stefan, i cili bashkë me disa klerikë dhe persona kishtarë nga vendi morën pjesë në liturgjinë në Beograd.

Ai theksoi se presin që këto ditë të ketë “gëzim të plotë”, duke iu referuar fitimit të statusit për autoqefalitet, pasi që statusi aktual është vetëm autonomi, e cila është një gradë më e ulët se grada më e lartë.

Patriarku i KOS, Porfirij në liturgjinë për pajtim me KOM theksoi se pas 55 viteve është shëruar plaga e thellë dhe e dhimbshme e përçarjes dhe se kjo është ditë e madhe dhe mrekulli e Zotit.

“Të gëzohemi dhe të festojmë, motra dhe vëllezër, pasi që sot gëzohet qielli dhe toka, gëzohen të gjithë të shenjtët, Shën Sava dhe të gjithë të cilët dhe gjithçka që është mbjellë në rrënjën e saj”, tha Porfirij në kishën “Shën Sava” në Beograd, ku u shërbye liturgjia e pajtimit bashkë me kryepeshkopin e KOM-KO, Stefan dhe kryepeshkopët e dy kishave.

Patriarku serb theksoi se përçarja e vëllezërve nga Maqedonia e Veriut ka zgjatur 55 vite dhe se KOS çdo ditë ka pritur që ajo plagë të shërohet. Ai thotë se në bisedime janë marrë vesh që veprimet e tyre të jenë piramidë e përmbysur.

“Populli të jetë në krye, a ne poshtë të shërbejmë, të jemi më të vegjël, a kisha dhe Krishti në ne dhe mes ne të rriten”, tha Porfirij.

Problemi prej vitit 1967

Më 9 maj, në seancën e Sinodit të Shenjtë të Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës e cila ndodhet në Stambolli, është miratuar vendim që klerikët dhe besimtarët e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) të pranohet në unitetin liturgjik, gjegjësisht e pranon si kishë me organizimin e saj, por nuk është autoqefale (pavarësi e plotë). Pranimi i KOM-KO është nën emrin “E Ohrit”, me z.z. Stefan si kryetar i saj, thuhet në publikimin e vendimit në ueb-faqen e Patrikanës Ekumenike.

“Pranohen në unitetin liturgjik, klerikët dhe populli i udhëhequr nga kryepeshkopi zotëri Stefan, duke shëruar plagën e përçarjes. Për këtë qëllim, lëshohen dokumente përkatëse patriarkale dhe sinodale. Me pranimin e emrit të kësaj kishe si “E Ohrit” (që do të thotë se juridiksioni i saj është vetëm në kufijtë e territorit të shtetit të Maqedonisë së Veriut). Mbetet që kisha më e shenjtë në Serbi t’i rregullojë çështjet administrative që i ka mes saj dhe Kishës në Maqedoninë e Veriut, gjithsesi brenda katit kanonik (pranim si ligj a si rregull të kishës) dhe traditës kishtare”, thuhet në kumtesën, në të cilën shtohet se vendimi është miratuar pas thirrjeve nga “kisha e atjeshme”, por edhe thirrjeve të përsëritura të shtetit të Maqedonisë së Veriut.

Me këtë akt, Patrikana Ekumenike e pranon kanonikitetin e KOM-KO dhe e vendos në rangun e kishave tjera me të cilat është në unitet. Megjithatë, rregullimi i marrëdhënieve mes Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) shihet si problem pasi që KOS deri më tani KOM-in e ka parë si përçarëse, a për kishë kanonike në Maqedonia e Veriut e ka pranuar vetëm Kryepeshkopatën Ortodokse të Ohrit të Jovan Vranishkovskit.

Kontesti i KOM-KO dhe KOS-it daton që nga viti 1967, kur siç thotë hierarkia kishtare serbe ndër vite, ndodh përçarje me shpalljen e autoqefalisë së kishës së KOM-it. Përpjekje për zgjidhje të problemit kishte në fillim të këtij mileniumi, kur u nënshkrua Marrëveshja e Nishit – KOM të kthehet në gjendjen e autonomisë, a më pas të bëhet autoqefale. Pasi që nën trysni të opinionit KOM u tërhoq nga marrëveshja, KOS i ftoi klerikët dhe besimtarët në Maqedonia që të kthehen në unitetin kanonin me KOS-in, të cilës i janë përgjigjur ipeshkvi i atëhershëm i KOM-it, Jovan Vranishkovski dhe disa murgj dhe besimtarë, pas së cilës është themeluar Kryepeshkopata Ortodokse e Ohrit.

Rruga deri te autoqefaliteti i plotë që do të ishte i pranishëm nga të gjitha kishat ortodokse në botë do të ishte dhënia e “Tomos-it” (dokument i lëshuar nga Kisha Ortodokse në Kostandinopojë) për autoqefali, që sipas sinjaleve nga Fanar, do të mund ta bëjë Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës nëse KOS qëndron fortë idesë që kisha maqedonase të bëhet autoqefale. KOS deri më tani insiston se ajo është kisha e cila mund të japë “Tomos” për autoqefali të “kishës maqedonase”.

Kisha Ortodokse Ruse (KOR), e cila për disa çështje të mëdha kishtare është diametralisht kundër me Patrikanën Ekumenike të Kostandinopojës, menjëherë pas vendimit të Fanar njoftoi se nuk e pranon vendimin e Patrikanës Ekumenike dhe se i pranon vetëm të drejtat kanonike të KOS në Maqedoninë e Veriut. Kontesti mes dy patriarkëve është thelluar para disa viteve, kur Patrikana Ekumenike e pranoi Kishën Ortodokse Ukrainase (KOU), e cila me dekada e ka pasur kontestin e njëjtë me KOR-in, ashtu siç KOM-i me KOS-in.

Edhe pse me këtë akt statusi dhe emri përfundimtar ende nuk janë zgjidhur, hapi më i rëndësishëm dhe më i madh ka përfunduar. Tani kisha jonë ortodokse është në bashkësi me të gjitha kishat ortodokse dhe kjo ditë është një ditë historike pas 7 dekadash izolimi total.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button