Scholz së shpejti për vizitë në rajon: Nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësimin e Ukrainës në BE, do të ishte e padrejtë për Ballkanin

Kancelari gjerman Olaf Scholz pritet të udhëtojë në shtetet e Ballkanit Perëndimor para takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian që mbahet muajin e ardhshëm, përkatësisht më 23 -24 qershor.

Scholz para deputetëve gjermanë tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë aspirata për anëtarësim në BE dhe BE-ja duhet t’i përmbahet zotimeve të saj për rajonin.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE – Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova – janë përfshirë në procesin e reformave shumëvjeçare. Mbajtja e zotimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike,” tha ai, duke treguar ndikimin e “fuqive të jashtme” në rajon, duke përfshirë Rusinë, transmeton OraInfo.

Scholz ka paralajmëruar se përpjekjet e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian nuk mund të përshpejtohen pavarësisht pushtimit rus.

Duke iu drejtuar Bundestagut, parlamentit të Gjermanisë,  përpara një takimi të liderëve të BE-së, ai tha se nuk ka asnjë rrugë të shkurtër për t’u bashkuar me bllokun tregtar dhe argumentoi se një përjashtim për Ukrainën do të ishte i padrejtë për vendet e Ballkanit që po kërkojnë gjithashtu anëtarësim, raporton TCH.

Presidenti Emmanuel Macron i Francës paralajmëroi më parë se mund të duhen “dekada” që Ukraina të bëhet një vend anëtar, një vlerësim me të cilin u pajtua lideri gjerman.

Në prill, Scholz bëri thirrje që aplikimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor të Shqipërisë, Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të përshpejtohen.

Në deklaratën e tij të enjten, ai tha: “Për vite me radhë ata kanë ndërmarrë reforma intensive dhe po përgatiten për anëtarësim. Zbatimi i premtimeve ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot, më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike.”

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button