Geer nuk tregon afate, por dëshiron që negociatat me Shkupin dhe Tiranën të nisin sa më shpejt

Dëshirojmë fillimin sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe inkurajojmë të gjitha përpjekjet për arritjen e këtij qëllimi, tha sot në Shkup ambasadori dhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend David Geer, transmeton Portalb.mk.

Euroambasadori Geer në një prononcim për media para hapjes së panelit në kuadër të shënimit të 9 Majit – Ditës së Evropës tha se nuk dëshiron të hyjë në debat me afate, por tha se duhet bërë përpjekje maksimale për të arritur qëllimin për hapjen sa më të shpejtë të negociatave.

“Ne jemi absolutisht të vendosur për të ecur përpara, e dimë se është në interesin strategjik të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që këto vende të anëtarësohen në Union dhe presim që procesi të vazhdojë dhe ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Geer.

I pyetur nëse propozimi i ri i presidentit francez Emmanuel Macron ishte një zëvendësim për ndonjë mos sukses eventual të procesit të zgjerimit, Geer tha se Macron dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel janë të qartë.

“Proceset qasëse për vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten forca kryesore lëvizëse. Nuk ka ndryshime në procesin e zgjerimit dhe e vetmja rrugë është zgjerimi në Ballkanin Perëndimor. Është prioritet absolut dhe rrugë e bazuar në reforma. Prandaj, unë nuk e shoh këtë si ndikim në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”, tha Geer.

Ambasadorja gjermane Anke Holstein tha se vendet e rajonit i përkasin BE-së.

“Kancelari gjerman në një deklaratë qeveritare mëngjesin e sotëm tha se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Ky është mesazhi që i duhet rajonit. Ai shtoi gjithashtu se situata gjeopolitike është më urgjente se kurrë dhe ky është një synim strategjik edhe për Gjermaninë. Qeveria gjermane mbetet e përkushtuar”, tha Holstein.

Në panel diskutimin e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra për Studime Evropiane Wilfred Martens në Bruksel, është paralajmëruar të flasin edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, kryetarit i Këshillit Nacional për Integrime Evropiane Aleksandar Nikoloski, nënkryetarja e Komisionit për Çështje Evropiane Arta Bilalli-Zendeli, si dhe anëtarja së Komisionit për Çështje Evropiane Monika Zajkova.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button