Kur neutraliteti bëhet i pakuptimtë

Pas një kohe të gjatë neutraliteti, Suedia dhe Finlanda ngritën iniciativën për t’u anëtarësuar në NATO. Bëhet gjithnjë më e qartë që në kohëra krize, neutraliteti e humb kuptimin. Ashtu si ka thënë Dante Aligieri: ka një vend të posaçëm në ferr për ata që e ruajnë neutralitetin në kohëra të krizës morale. Siç duket dy vendet skandinave e kanë kuptuar tani më këtë thënie, veçanërisht pas luftës së përgjakshme dhe të paprovokuar që Rusia e filloi në Ukrainë.

Një luftë aq e pakuptimtë dhe e tmerrshme në mes të Evropës e që ende nuk po mbaron, tregoi edhe një herë se sa fragjile është paqa dhe sa shpejt jeta e përditshme mund të shndërohet në makth. Rreziku nga liderë të papërgjegjshëm që me një veprim mund ta çorrodisin ekonominë e tërë botës dhe ta kthejnë realitetin përbys është gjithmonë aty. Prandaj edhe ekzistenca e paktit të NATO-s që gjithmonë e ka parasysh sigurinë e vendeve anëtare, mbetet sot e kësaj dite e domosdoshme dhe kruciale për të gjithë ne.

Kur Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO si vendi anëtar i tridhjettë, të gjithë, edhe vet NATO, menduan se për një kohë të gjatë ky do të ishte zgjerimi i fudnit i këtij pakti. Pas vetëm dy vitesh dhe një krize globale, situata ndryshoi, dhe dy vende tjera të rëndësishme të Evropës paraqitën kërkesën e tyre për anëtarësim. Kishte një thënie komike në rrjetet sociale sipas të cilës Putinit duhet t’i jepet lëvdatë si rekrutuesi më i mirë për NATO-n për vitin 2022. Si pasojë e veprimeve të tij, NATO po zgjerohet me dy vende kyçe strategjike, ndërsa Putini që e filloi luftën në Ukrainë si përgjigje ndaj ambicjeve për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, tani përballet me situatën ku dy vende tjera fqinje tani më janë nisur në rrugën e anëtarësimit në paktin ushtarak që ai e quan armiqësor ndaj tij dhe të rrezikshëm për sigurinë e Rusisë.

Mbetet posaçërisht i çudistshëm reagimi i Turqisë ndaj kërkesës për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Kreu i shteti turk ka qenë i vetmi që ka reaguar ndaj kësaj kërkese, ndrësa ministri i jashtëm i këtij shteti ka ngrtitur bile zërin ndaj ministres së jashtme të Suedisë duke thënë se është i irrituar nga politika feministe e saj!? Është tejet interesante të shihet si diskursi i barazisë gjinore dhe fërkimet që paraqiten lidhur me këtë koncept vinë në shprehje sa herë që ka ngjarje të ngjashme ku kutura perëndimore takohet me atë lindoren. Sa irritues është diskursi feminist ose të paktën të qenit femër në pozita të larta shtetërore ka qenë gjithmonë mjaft e dukshme në politikbërjen turke të viteve të fundit, e veçanërisht në rasin kur Ursula Von Der Leyen u detyrua të ulej në divan dhe jo në vendin kryesor gjatë takimit me Erdoanin para një kohe. Mbrojtja e vlerave perëndimore për të cilat angazhohet NATO e përfshin edhe barazinë gjinore dhe vlerat tjera demokratike, pavarësisht sa kjo gjë mund ta irritojë Turqinë.

Përfundimisht, ajo që është me rëndësi është se NATO po zgjerohet dhe korpusi i vendeve perëdnimore progresive është më i unifikuar se kurrë. Meritat i takojnë çuditërisht Putinit, i cili arriti ta zgjojë perëndimin dhe ta rikujtojë që në kohërat e krizës morale, neutraliteti bëhet i pakuptimtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button