Udhëheqësia shtetërore e Maqedonisë dha pëlqimin për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Si anëtare e NATO-s, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme të jashtëzakonshme mori vendim që të autorizojë përfaqësuesin e përhershëm të vendit tonë në NATO, ambasadorin Dane Taleski, që të miratojë anëtarësimin e Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Finlandës në NATO, njoftohet nga shërbimi për shtyp i qeverisë, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, para tri ditësh deklaroi se Maqedonia e Veriut fuqishëm e mbështet politikën e dyerve të hapura në NATO dhe në këtë mënyrë mbështet anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në Aleancë.

Mbështetje për anëtarësimin e dy vendeve skandinave në NATO ka paralajmëruar dje presidenti Stevo Pendarovski. Ai përshëndeti aplikimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO dhe shprehu mbështetjen për anëtarësimin e shpejtë të vendeve, që padyshim do të kontribuojë në sigurinë kolektive, veçanërisht në forcimin e krahut lindor të NATO-s.

Ndryshe, Finlanda dhe Suedia dje zyrtarisht aplikuan për anëtarësim në aleancën e NATO-s. Përfaqësuesit e dy shteteve dorëzuan aplikimet në selinë e aleancës në Bruksel.

Vendimi i dy shteteve nordike, që kanë qenë neutrale, u nxit pas shqetësimeve të sigurisë për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës,.

“Unë mirëpres ngrohtësisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerë të ngushtë”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi mori aplikimet zyrtare për anëtarësim nga ambasadorët e dy shteteve nordike.

Stoltenberg e cilësoi këtë lëvizje si “ditë historike”.

Procesi i pranimit pritet të zgjasë dy javë, ndërkaq ratifikimi në parlamentet e 30 shteteve anëtare deri në një vit, kanë thënë diplomatët.

Pavarësisht se procesi i pranimit pritet të marrë kohë disa javë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po kundërshton anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës.

Nëse tejkalohen shqetësimet që ka Turqia dhe nisin bisedimet e anëtarësimit, atëherë këto dy shtete mund të bëhen anëtare brenda muajsh. Procesi zakonisht merr kohë tetë deri në 12 muaj, por NATO dëshiron që të lëvizë shpejt, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia për këto dy shtete nordike.

Opinioni publik në Finlandë dhe Suedi mbështeti në mënyrë masive anëtarësimin, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button