Qershori momenti për përcaktimin e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, paralajmërojnë nga PE-ja

Grupimi socialist dhe demokrat në Parlamentin Evropian u bën thirrje shteteve anëtare që të fillojnë menjëherë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, raporton ABC. Ky grupim e konsideron procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor si një motor për demokracinë, lirinë, shtetin e së drejtës dhe prosperitetin ekonomik.

“Në dritën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, riangazhimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është më urgjent se kurrë dhe vendimi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të merret në qershorit më së voni. Vonesa e mëtejshme jo vetëm që po dëmton besueshmërinë e BE-së, por gjithashtu po e bën rajonin e Ballkanit Perëndimor më të prekshëm ndaj ndërhyrjeve nga vendet e treta armiqësore”, thuhet në komunikatën e këtij grupimi.

Isabel Santos, raportuesja për Shqipërinë në Parlamentit Evropian është shprehur, se Shqipëria mbetet një partner strategjik plotësisht i besueshëm dhe i përkushtuar.

Sipas Santos vendi vazhdon të ecë përpara me reformat themelore të integrimit evropian dhe ka përmbush kushtet për fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit.

“Procesi i anëtarësimit për Shqipërinë nuk mund të mbahet peng i diskutimeve dhe interesave të palëve të treta. Është e drejtë që Këshilli më në fund të bie dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vonuara me Shqipërinë, aq më tepër përballë sfidave gjeostrategjike në rritje” është shprehur Santos.

Eurodeputeti Tonino Picula, që është njëkohësisht zëdhënës i këtij grupimi ka nxjerrë në pah, se edhe pse Maqedonia e Veriut bëri gjithçka që kërkohej, nuk dihet ende data e konferencës së parë ndërqeveritare që shënon fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësim.

“Vendi iu nënshtrua reformave thelbësore, duke përfshirë forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit, madje edhe ndryshimin e emrit! Nuk duhet të ketë më justifikime për vonesa të mëtejshme, nëse duam të ruajmë besueshmërinë tonë. Është e nevojshme të mbahet gjallë aspirata  pro-evropiane në Maqedoninë e Veriut dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Picula.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button