Gjukanoviçi dhe Osmani të vendosur në lidhje me Ballkanin e Hapur

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha të mërkurën se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane, do të ishte investim i duhur gjeopolitik i Bashkimit Evropian për paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e tij, raporton VOA. Ai i bëri këto komente në Prishtinë në fillim të vizitës dyditëshe, që është vizita e parë zyrtare e presidentit malazez në Kosovë.

“Fatkeqësisht, besojmë se një tragjedi serioze që ende po vazhdon në Ukrainë ka qenë një moment që të gjithë të kthehemi nga Evropa, të kuptojmë se në Ukrainë nuk është goditur vetëm liria dhe pavarësia e saj por edhe siguria e Evropës dhe sistemi i vlerave evropiane dhe nga kjo përvojë është ngritur një mësim për gjithë Evropën, por parimisht kur bëhet fjalë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, tha presidenti malazez.

Ai tha se Mali i Zi i mbështet bisedimet Kosovë – Serbi si rruga e vetme që mund të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të jeni këmbëngulës në këtë proces politik sepse kjo nuk është vetëm çështje e cila ka të bëj vetëm me Kosovën dhe Serbinë. Kjo është çështje e cila prek qëndrueshmërinë e rajonit dhe prandaj si një fqinj i Kosovës dhe Serbisë ne tregojmë interesim të madh që ky dialog të vazhdojë dhe që në të ardhmen e afërt të çojë në një marrëveshje të qëndrueshme”, tha presidenti Gjukanoviç.

Presidentja, Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe Mali i Zi janë bosht i ndalimit të ndikimeve keqdashëse të Rusisë në rajon të cilat sipas saj, kanë synim të shkatërrojnë të arriturat e përbashkëta drejt rrugës euro-atlantike.

“Duke potencuar rëndësinë e forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, sot natyrisht kam kërkuar edhe mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe po ashtu edhe në organizata të tjera dhe siç e dini me rëndësi të veçantë, sidomos në situatën aktuale të sigurisë në Evropë është NATO-ja, në veçanti për Kosovën, Partneriteti për Paqe si hapi i parë drejt anëtarësimit në NATO”, tha ajo.

Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç tha se vendi i tij e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera evropiane. Duke folur për nismën “Ballkani i Hapur”, ai tha se ajo doli në kohën e një lloj depresioni që i kishte kapluar vendet e rajonit dhe se Mali i Zi ka vendosur të mos ngutet me këtë nismë, por të vazhdojë bashkëpunimin brenda procesit të Berlinit.

Nismës Ballkani i Hapur, që është hedhur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, nuk i janë bashkuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Të dy presidentët biseduan edhe për çështjen e shënimit të kufirit ndërmjet dy vendeve, një proces ky që ende ngjallë reagime në Kosovë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes ndërmjet të dy vendeve.

“Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme, ne s’dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’u përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojnë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm, të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”, tha presidenti malazez.

Kjo marrëveshje e nënshkruar në vitin 2015, kishte bërë që Kosova të përballet me krizën më të thellë politike, për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës së asaj kohe për mënyrën e shënimit të këtij kufiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button