Funksiokratia dhe partitë e kujtesës 

Adam Michniku (1946) është historian, eseist dhe njëri nga udhëheqësit e lëvizjes disidente në Poloni (Solidarnostit). Është thënë se nëse Çekia e ka Vaclav Havelin, Polonia e ka Adam Michnik-un. Dy disidentët politikë u angazhuan për një shoqëri të lirë, demokratike, pluraliste dhe me pamje njerëzore.

Pas triumfit të demokracisë, Michnik-u refuzoi të merrej me politikë, sepse “politika bën lojëra”. Ai iu përkushtua gazetarisë. Beson që gazeta duhet t’i bëjë njerëzit më inteligjentë, më të matur, më të ndërgjegjshëm, më demokratë dhe më të aftë për të reflektuar.

Michnik-u, mes tjerash, shkruan edhe për funksiokratinë dhe demokracinë. Funksiokratia është qeverisje funksionarësh, kurse demokracia i ndërron funksionarët me rrugë demokratike. Edhe Gjergj Konradi e përkufizon demokracinë si vetëmbrojtje civile nga funksionarët.

Nëse e analizojmë skenën politike këtu dhe në rajon, do të vërejmë se ende kemi shumë funksiokraci. Me dekada kemi të njëjtët funksionarë nëpër poste të ndryshme, si ministra, deputetë, kryetarë komunash. Mbeten funksionarë edhe kur i dënon votuesi. Mjafton mos t’i dënojë partia.

Le të vazhdojmë me Michnik-un, me këtë kundërshtar të paepur të regjimit komunist, që sot është kritik ndaj elitave politike postkomuniste.

Te libri “Në kërkim të sensit të humbur” (një përmbledhje sprovash për shoqërinë totalitare dhe postkomuniste), derisa shkruan për partitë politike të sotme, i referohet filozofit Aleksandar Smolar, i cili tha se në vend që të kemi “parti të shpresës”, kemi “parti të kujtesës”. Madje, të kujtesës më të keqe.

Fatkeqësisht këtu dhe në rajon kemi parti kujtese. Parti që votohen jo pse ngjallin shpresë, por sepse kujtohen si parti që kanë bërë diçka në të kaluarën. Por, brezi i ri më nuk ka nevojë për parti kujtese, por për parti shprese.

Michnik-u, që u burgos në rininë e tij si kundërshtar i regjimit komunist, ka refuzuar të quhet disident ose “ikonë e heroizmit”. Ai është vetëquajtur “luftëtar për një jetë normale” dhe i është referuar Bertolt Brecht-it që thotë: “Është fatkeq vendi që i duhen heronj”.

Adam Michnik-u, ky autoritet moral në Europë, në vend se të përfitonte nga lavdia e kaluar, është kritik ndaj defekteve të shoqërisë dhe kërkon parti shprese.

Kur një politikan, funksionar, intelektual ose kushdo qoftë vazhdon të thirret në kujtesë, në lavditë e së kaluarës, dijeni se të kaluarën e ka mjet për qëllime pragmatike. Ai që lavdërohet me të kaluarën i ngjan personazhit nga rrëfimet popullore të cilit i këndohet këngë trimërie. I mahnitur nga kënga, nxjerr alltinë dhe shkrep. Këngëtari stepet dhe nuk e vazhdon më këngën. Vetëm i thotë: “E vrave këngën tënde”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button