fbpx

Zylbeari: Sipas hulumtimit, 90% e popullatës kanë deklaruar që politikanët janë shpërndarësit më të mëdhenj të dezinformatave

Sipas një hulumtimi dhe ankete të kryer nga “Metamorfozis” për perceptimin e dezinformatave, 90% e të anketuarve kanë deklaruar se politikanët janë shpërndarësit më të mëdhenj të dezinformatave, ndërkaq pas tyre vijnë mediat dhe gazetarët dhe më pas rrjetet sociale.
Këto janë vetëm disa nga të dhënat që i zbuloi kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari në emisionin “Click Plus” në TV21 ku është diskutuar për lajmet e rrejshme, lirinë e shprehjes dhe edukimit mediatik.

“Kjo është dëshpëruese që fuqitë politike dhe liderët kanë rol edhe në pjesën e prishjes së profesionalitetit gazetaresk. Çdo i treti i anketuar ka hasur në kronika të cilat janë dezinformuese dhe ka fakte të shtrembëruara. Rezultatet e tjera do t’i prezantojmë në konferencën për dezinformata”, tha Zylbeari.

Ajo deklaroi se gazetaria kohëve të fundit ka shumë sfida dhe është koha e fundit se çfarë mund të bëhet me luftën kundër dezinformatave dhe të ngritët profesionaliteti i mediave të cilat synojnë që ta kenë atë synim primar, ashtu siç duhet.

“Kemi gabime të paqëllimshme që bëhen në proces dhe kjo ka shërim, kërkohet falje, përmirësohet gabimi, vazhdon procesi normal i verifikimit me më shumë kujdes dhe kjo është profesionale dhe humane, sepse kush gabon patjetër që duhet të kërkosh falje. Nga ana tjetër, janë gabimet e qëllimshme, dezinformatat, shpërndarja me qëllim e deznformatave apo keqdashëse dhe shpërndahet nga personat që kanë agjendë për të dëmtuar dikë, apo për të përfituar diçka”, tha Zylbeari.

Në lidhje me dezinformatat ruse në Maqedoninë e Veriut, sipas Zylbearit kanë qenë të vazhdueshme që nga pavarësia e vendit dhe të njëjtat më tepër vijnë nëpërmjet Serbisë.

“Një pjesë e dezinformatave vjen nga Serbia sepse aty Sputniku [media ruse], e ka bazën dhe disa prej mediave, posaçërisht maqedonase i marrin lajmet nga Sputniku, por ka edhe prej atyre shqiptare të cilat nga padituria, lajmet e njëjta më pas i marrin nga mediat maqedonase. Dhe në njëfarë mënyre shpërndahet propaganda pro-ruse. Pos kësaj, ka edhe televizione, siç janë Russia Today, Russia Beyond etj. Pra ka disa burime që përmes Serbisë vijnë në Maqedoni, të njëjtat përkthehen, shkojnë në Kosovë, dalin edhe në Shqipëri. Pikërisht projekti jonë e ka këtë detyrë që ta ndjek rrugën e një dezinformate në ku fillon dhe deri ku arrin një dezinformatë”, tha Zylbeari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button