Procesi i anëtarësimit në NATO është i gjatë dhe me shumë faza

Anëtarësimi në NATO, aleancë së cilës duan t’i bashkohen Suedia dhe Finlanda, kërkon një proces të gjatë në kushte normale. Në mënyrë që NATO të pranojë anëtarë të rinj, duke përfshirë Bosnjë e Hercegovinën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën që dëshirojnë të anëtarësohen, kërkohet të plotësohen kushte të ndryshme dhe procese ligjore, raporton Anadolu Agency (AA).

NATO u themelua në vitin 1949 pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore nga 12 shtete. Këto shtete ishin SHBA-të, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Italia, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Luksemburgu, Islanda, Danimarka dhe Belgjika. Në 73 vitet që kanë kaluar, numri i anëtarëve u rrit nga 12 në 30 me 8 valë zgjerimi.

Turqia dhe Greqia u anëtarësuan në NATO në vitin 1952. Në 1955 anëtare u bë me emrin e atëhershëm Gjermania Federale dhe në 1982 Spanja.

Me aderimin e Çekisë, Hungarisë dhe Polonisë në vitin 1999, numri i shteteve anëtare u rrit në 19.

Në 2004, Bullgaria, Letonia, Lituania, Estonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia u anëtarësuan në NATO.

Shqipëria dhe Kroacia në 2009, Mali i Zi në 2017 dhe së fundmi Maqedonia e Veriut në vitin 2020 u bënë pjesë e NATO-s.

Vetoja e Greqisë ndaj anëtarit të fundit zgjati për vite me radhë

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, u bë i mundshëm pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë që zgjati me vite.

Greqia bllokonte anëtarësimin e vendit në NATO pasi kundërshtonte emrin e mëparshëm, të cilit më vonë iu shtua pjesa “e Veriut”.

Me zgjidhjen e kontestit të emrit në vitin 2018, Greqia hoqi veton dhe Maqedonia e Veriut u ftua që të fillojë negociatat për anëtarësim me NATO. Maqedonia e Veriut në mars të vitit 2020 aderoi në NATO.

Tre shtete me vite kërkojnë anëtarësim

Në këto valë të zgjerimit, disa vende njoftuan se donin të anëtarësoheshin në NATO, por nuk kanë mundur të anëtarësohen deri më tani. Këto vende janë Bosnjë e Hercegovina, Ukraina dhe Gjeorgjia.

Në Samitin e NATO-s të mbajtur në Bukuresht, kryeqyteti i Rumanisë, në vitin 2008, u ra dakord që Gjeorgjia dhe Ukraina të bëhen anëtarë të NATO-s në të ardhmen. Megjithatë, këtyre vendeve nuk u dha datë. Bosnjë e Hercegovina u ftua të përfshihet në Planin e Veprimit të Anëtarësimit në 2010.

Finlanda dhe Suedia do të aplikojnë për anëtarësim në NATO

Së fundmi, në rend dite erdhi edhe anëtarësimi i dy anëtarëve të rinj në NATO. Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Finlanda dhe Suedia, të prekura nga zhvillimet në arkitekturën e sigurisë evropiane, vendosën të braktisin neutralitetin e tyre të gjatë ushtarak dhe të aplikojnë për anëtarësim në NATO.

Finlanda ka një kufi në gjatësi prej afërsisht 1.500 kilometrash me Rusinë. Duke luftuar kundër Bashkimit Sovjetik të atëhershëm në Luftën e Dytë Botërore, Finlanda humbi rreth 10 për qind të territorit të saj, zhvendosi 11 për qind të popullsisë së saj dhe pagoi rreth 5 miliardë euro dëmshpërblim lufte me kursin e këmbimit të sotëm.

Pas këtyre humbjeve me marrëveshjen që Finlanda nënshkroi me Bashkimin Sovjetik, bëri që vendi të ishte i paangazhuar ushtarakisht për shumë vite. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Finlanda u bë pjesë e BE-së dhe kaloi në euro, por nuk u bë anëtare e NATO-s.

Vite të tëra vetëm 20 për qind e popullsisë së Finlandës dëshironin anëtarësim në NATO. Por pas sulmit rus ndaj Ukrainës, përqindja e finlandezëve që mbështetnin anëtarësimin në NATO u rrit në mbi 70 për qind.

Suedia, nga ana tjetër, vendosi të aplikojë për anëtarësim në NATO pas Finlandës.

Pasi luftoi me Rusinë në 1809 dhe humbi Finlandën ndaj Rusisë në atë luftë, Suedia nuk luftoi me Rusinë për gati 200 vjet. Suedia mbeti shtet i paanshëm edhe në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Por në dokumentet e zbuluara nga ish-punonjësi i inteligjencës amerikane Edward Snowden, Suedia ka bërë një marrëveshje sekrete me SHBA-të në vitet 1950-ta. Sipas kësaj, në rast se Suedia sulmohej nga Rusia, pretendohej se SHBA-të do ta ndihmojnë.

Procesi i aderimit në NATO dhe kërkesa për unanimitet

NATO ndjek një politikë të “dyerve të hapur”. Kjo politikë, bazohet në nenin e 10-të të marrëveshjes themeluese të aleancës.

Në këtë nen thuhet se vendet që janë palë në Traktatin themelues të Washingtonit mund të ftojnë çdo vend evropian të anëtarësohet në aleancë për të kontribuar në sigurinë e rajonit veriatlantik.

Por që një vend të bëhet pjesë e NATO-s kërkohet unanimitet, pra të gjithë 30 vendet ekzistuese aleate duhet të japin pëlqimin e tyre.

Anëtarësimi në NATO në kushte normale kërkon një proces të gjatë. Për këtë kërkohet të plotësohet një proces me shumë faza.

Sipas kësaj, kur aleatët e NATO-s vendosin që një vend tjetër t’i bashkohet aleancës, NATO i dërgon një ftesë zyrtare atij vendi. Pas kësaj, fillon procesi i aderimit me 7 hapa.

Në hapin e parë, ekspertët e NATO-s dhe përfaqësuesit e vendit të ftuar takohen në Bruksel dhe zhvillojnë bisedime. Në këto takime diskutohet nëse vendi i ftuar përmbush kërkesat politike, ligjore dhe ushtarake të NATO-s dhe nëse mund t’i përmbushë detyrimet ekonomike, ushtarake, ligjore, politike dhe të inteligjencës të anëtarësimit në NATO. Sipas këtyre negociatave, përcaktohet nëse vendi i ftuar do të bëjë reforma për të përmbushur kushtet dhe standardet e NATO-s.

Në hapin e dytë, vendi i ftuar i dërgon Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s një letër zyrtare të qëllimit dhe deklaron se pranon detyrimet dhe angazhimet që i takojnë me anëtarësimin në NATO. Nëse duhet të bëhen reforma, në këtë letër përcaktohet edhe kalendari i reformave.

Në hapin e tretë, NATO përgatit protokollet shtesë të aderimit në Traktatin e Washingtonit. Kështu, në një farë mënyre përditësohet marrëveshja themeluese e aleancës. Këto protokolle nënshkruhen nga shtetet e NATO-s.

Në fazën e katërt, protokollet nevojitet të ratifikohen nga shtetet anëtare të NATO-s në përputhje me ligjet dhe procedurat e tyre kombëtare. Procesi i ratifikimit ndryshon nga shteti në shtet. Për shembull për ratifikim në SHBA nevojitet vota e dy të tretave të Senatit, ndërsa në Britani nuk nevojitet një votim zyrtar në parlament.

Në hapin e pestë, të gjitha vendet anëtare pasi të përfundojnë proceset e tyre të ratifikimit, njoftojnë SHBA-të, i cili ruan Traktatin e Washingtonit, se kanë pranuar protokollet që parashikojnë pranimin e anëtarit të ri.

Në hapin e gjashtë, pasi të përfundojnë këto faza, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e fton anëtarin e ri që t’i bashkohet aleancës.

Hapi i shtatë dhe i fundit, anëtari i ri përfundon procesin e tij ligjor kombëtar dhe dorëzon dokumentin e tij të anëtarësimit në SHBA dhe bëhet anëtar i NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button