8.3 milionë turistë në Shqipëri nga janari në shtator

Afro 8.3 milionë të huaj kanë ardhur në Shqipëri nga Janari deri në Shtator. Fluksi i lartë i të huajve këtë vit ka tejkaluar me gati 30% më shumë numrin e atyre të hyrë vjet për po të njëjtën periudhë, raporton Klan. Në 9 muaj është thyer kështu rekordi prej 7.5 milionë të huajsh që u arrit në 2022-in, vitin e cilësuar si më i miri ndonjëherë në turizëm në bilanc shifrash.

Të dhënat e Ministrisë së Turizmit tregojnë se vetëm në muajin Shtator kanë hyrë në vend mbi 1.1 milionë të huaj.

Të tilla shifra rekord reflektojnë interesin e lartë që turistët e huaj shfaqën për Shqipërinë, destinacionin turistik aq shumë të komentuar këtë vit edhe në mediat ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, për periudhën Janar-Gusht peshën kryesore të turistëve e mbajnë shqiptarët nga Kosova me 2.5 milionë hyrje.

Grupi i dytë i vizitorëve të huaj është ai i italianëve me rreth 658 mijë hyrje. Vendin e tretë e mbajnë vizitorët nga Maqedonia e Veriut me 510 mijë hyrje, ndërsa në vend të katërt janë turistët nga Greqia me 450 mijë hyrje.