Kisha Ortodokse Serbe: E përshëndesin kthimin e statusit kanonik të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit

Kuvendi i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) sot për kishën maqedonase deklaroi se e pranon autonominë më të gjerë të mundshme, gjegjësisht pavarësinë e plotë të brendshme, status i cili i është ndarë që në vitin 1959, shkruajnë mediat serbe, transmeton Portalb.mk.

“Me falënderim ndaj Zotit dhe me gëzim, Kuvendi e përshëndet pranimin e statusit kanonik (pranim si ligj a si rregull të kishës), a ai është status i autonomisë më të gjerë të mundshme, gjegjësisht pavarësi të plotë të brendshme, i ndarë që prej vitit 1959. Duke e pasur parasysh se me këtë janë mënjanuar arsyet për ndalimin e bashkimit kanonik dhe liturgjik, të shkaktuara nga shpallja e njëanshme e autoqefalitetit në vitin 1967, vendoset bashkim i plotë kanonik dhe liturgjik. Duke vendosur unitetin mbi baza kanonike dhe në kushte të vlefshmërisë së urdhrit kanonik në të gjithë territorin e KOS-it, dialogu për statusin e ardhshëm dhe eventual të dioqezave në Maqedoninë e Veriut jo vetëm që është i mundshëm, por është i përshtatshëm, legjitim dhe real”, thuhet në kumtesën që e ka transmetuar mediumi serb “B92”.

Gjithashtu në të shtohet se edhe KOS në dialog për statusin e ardhshëm dhe eventual do të udhëhiqet nga parimet kanonike dhe kishtare, kritere dhe norma dhe jo nga faktet real-politike, gjeopolitike apo kishtaro-politike.

“Përfundimisht, pas zgjidhjes së statusit, Kuvendi nuk ka për qëllim që ta kushtëzojë kishën e re simotër me klauzola restriktive në lidhje fushëveprimin e juridiksionit në vendin amë dhe diasporë, me rekomandim që ta zgjidh çështjen për emrin e saj zyrtar në dialog të drejtpërdrejtë vëllazëror më kishat ortodokse tjera lokale”, thuhet në kumtesën e KOS-it.

Problemi prej vitit 1967

Kjo vjen pasi që më 9 maj, në seancën e Sinodit të Shenjtë të Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës e cila ndodhet në Stambolli, është miratuar vendim që klerikët dhe besimtarët e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) të pranohet në unitetin liturgjik, gjegjësisht e pranon si kishë me organizimin e saj, por nuk është autoqefale (pavarësi e plotë). Pranimi i KOM-KO është nën emrin “E Ohrit”, me z.z. Stefan si kryetar i saj, thuhet në publikimin e vendimit në ueb-faqen e Patrikanës Ekumenike.

“Pranohen në unitetin liturgjik, klerikët dhe populli i udhëhequr nga kryepeshkopi zotëri Stefan, duke shëruar plagën e përçarjes. Për këtë qëllim, lëshohen dokumente përkatëse patriarkale dhe sinodale. Me pranimin e emrit të kësaj kishe si “E Ohrit” (që do të thotë se juridiksioni i saj është vetëm në kufijtë e territorit të shtetit të Maqedonisë së Veriut). Mbetet që kisha më e shenjtë në Serbi t’i rregullojë çështjet administrative që i ka mes saj dhe Kishës në Maqedoninë e Veriut, gjithsesi brenda katit kanonik (pranim si ligj a si rregull të kishës) dhe traditës kishtare”, thuhet në kumtesën, në të cilën shtohet se vendimi është miratuar pas thirrjeve nga “kisha e atjeshme”, por edhe thirrjeve të përsëritura të shtetit të Maqedonisë së Veriut.

Me këtë akt, Patrikana Ekumenike e pranon kanonikitetin e KOM-KO dhe e vendos në rangun e kishave tjera me të cilat është në unitet. Megjithatë, rregullimi i marrëdhënieve mes Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) shihet si problem pasi që KOS deri më tani KOM-in e ka parë si përçarëse, a për kishë kanonike në Maqedonia e Veriut e ka pranuar vetëm Kryepeshkopatën Ortodokse të Ohrit të Jovan Vranishkovskit.

Kontesti i KOM-KO dhe KOS-it daton që nga viti 1967, kur siç thotë hierarkia kishtare serbe ndër vite, ndodh përçarje me shpalljen e autoqefalisë së kishës së KOM-it. Përpjekje për zgjidhje të problemit kishte në fillim të këtij mileniumi, kur u nënshkrua Marrëveshja e Nishit – KOM të kthehet në gjendjen e autonomisë, a më pas të bëhet autoqefale. Pasi që nën trysni të opinionit KOM u tërhoq nga marrëveshja, KOS i ftoi klerikët dhe besimtarët në Maqedonia që të kthehen në unitetin kanonin me KOS-in, të cilës i janë përgjigjur ipeshkvi i atëhershëm i KOM-it, Jovan Vranishkovski dhe disa murgj dhe besimtarë, pas së cilës është themeluar Kryepeshkopata Ortodokse e Ohrit.

Rruga deri te autoqefaliteti i plotë që do të ishte i pranishëm nga të gjitha kishat ortodokse në botë do të ishte dhënia e “Tomos-it” (dokument i lëshuar nga Kisha Ortodokse në Kostandinopojë) për autoqefali, që sipas sinjaleve nga Fanar, do të mund ta bëjë Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës nëse KOS qëndron fortë idesë që kisha maqedonase të bëhet autoqefale. KOS deri më tani insiston se ajo është kisha e cila mund të japë “Tomos” për autoqefali të “kishës maqedonase”.

Kisha Ortodokse Ruse (KOR), e cila për disa çështje të mëdha kishtare është diametralisht kundër me Patrikanën Ekumenike të Kostandinopojës, menjëherë pas vendimit të Fanar njoftoi se nuk e pranon vendimin e Patrikanës Ekumenike dhe se i pranon vetëm të drejtat kanonike të KOS në Maqedoninë e Veriut. Kontesti mes dy patriarkëve është thelluar para disa viteve, kur Patrikana Ekumenike e pranoi Kishën Ortodokse Ukrainase (KOU), e cila me dekada e ka pasur kontestin e njëjtë me KOR-in, ashtu siç KOM-i me KOS-in.

Edhe pse me këtë akt statusi dhe emri përfundimtar ende nuk janë zgjidhur, hapi më i rëndësishëm dhe më i madh ka përfunduar. Tani kisha jonë ortodokse është në bashkësi me të gjitha kishat ortodokse dhe kjo ditë është një ditë historike pas 7 dekadash izolimi total.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button