Ukraina ka zbrapsur forcat ruse nga Kharkivi në vijën kufitare

Ushtria ukrainase arriti të shtyjë forcat ruse në kufirin ruso-ukrainas. Kundërsulmi nga Kharkiv çoi në tërheqjen e ushtrisë ruse në veri, dhe një pjesë e mbrojtjes territoriale të Ukrainës arriti të rimarrë territorin deri në kufi, raporton BBC. Si rezultat i këtij suksesi, në veri të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Rusisë i është pamundësuar bombardimi i Kharkivit me artileri.

Ukrinform raporton se forcat ajrore ruse kanë bombarduar objektet industriale brenda Ukrainës gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa shpërthime janë dëgjuar mëngjesin e sotëm në qytetin port jugor të Mykolaivit. Deri më tani nuk ka detaje për persona të lënduar dhe të vdekur, as se çfarë objektivash janë goditur.

BBC raporton të dhënat e Ministrisë britanike të Mbrojtjes, e cila njofton se njësitet speciale bjelloruse janë dërguar në kufirin bjelloruso-ukrainas, përveç njësive tashmë të pranishme të mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe ushtarëve. Britanikët parashikojnë se një prani e tillë e forcave bjelloruse në kufirin verior do t’i pengojë autoritetet ukrainase të rigrupojnë forcat e tyre për t’i dërguar në Donbas, gjegjësisht trupat dhe pajisjet ukrainase do të duhet të qëndrojnë në mbrojtje të kufirit Ukrainë-Bjellorusi.

Pushtimin rus të Ukrainës e komentoi edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Ai tha se Ukraina mund ta fitojë luftën pasi pushtimi i Rusisë nuk po shkon sipas planit.

“Nuk arritën të marrin Kievin, u tërhoqën rrethina e Kharkiv, ofensiva e tyre më e madhe në Donbas u ndal. Rusia nuk po i arrin qëllimet e saj strategjike”, tha Stoltenberg.

Ndryshe, që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë e deri më sot, 229 fëmijë janë vrarë dhe 421 janë plagosur. Luftimet dhe granatimet nga forcat ruse kanë dëmtuar 1748 institucione arsimore në mbarë Ukrainën, ndërsa 144 objekte janë shkatërruar plotësisht, transmeton Ukrinform.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button